Konflikti për një tub uji/ Dëshmitë si dy vëllezërit vranë fqinjin në Dibër

Konflikti për një tub uji/ Dëshmitë si dy vëllezërit vranë fqinjin në Dibër

09:15, 14/04/2021
A+ Aa A-

Një tjetër vrasje ndodhi ditën e djeshme në Dibër. Pas krimit brenda familjes në Maqellarë, ku nusja vrau vjehrrën, dje një 50-vjeçar nga fshati Luzni humbi jetën, pasi u qëllua me armë zjarri nga dy vëllezër.

Ngjarja e rëndë tronditi fshatin e largët, ndërkohë që Policia lokale prangosi njërin nga autorët e dyshuar dhe është vënë në kërkim të të dyshuarit tjetër. Burime pranë Drejtorisë së Policisë Dibër pohuan se viktimë e konfliktit të kahershëm mes familjes Konesha dhe Mera është 50-vjeçari Xhetan Konesha.

Në pranga përfundoi Muhamet Mera, 30 vjeç dhe është shpallur në kërkim vëllai i tij, 42-vjeçari Altin Mera. Të afërm të familjes Konesha tregojnë se prej kohësh dy familjet ishin në konflikt mes tyre. Sipas tyre, kohë më parë Konesha ka dhunuar Altin Merën në lokalin e fshatit. Sakaq, ngjarja e fundit lidhet me një tubacion ujë. Një vit më parë Konesha investoi për ujin e pijshëm. Ai montoi një tubacion nga burimi deri në shtëpi. Kjo kishte shqetësuar familjen Mera, e cila pretendonte se burimi nuk ishte pronë e Koneshës.

Ngjarja

Xhetan Konesha ishte kthyer disa ditë më parë nga Greqia. Familjarët i kishin thënë se tubacionin e ujit e kishin dëmtuar vëllezërit Mera. Kjo e kishte shqetësuar Xhetanin. Ai kishte dërguar të afërm në familjen Mera dhe u kërkonte ta rikthenin tubin e ujit në gjendjen e mëparshme, ndryshe do të kishin probleme. Dje në mëngjes, në momentin kur Xhetan Konesha po lëvizte nga banesa e tij drejt qendrës së fshatit. Në një ngushticë është përballur me vëllezërit Altin e Muhamet Konesha. Fillimisht kanë debatuar mes tyre, madje janë përleshur fizikisht. Fjalët dhe konflikti kanë agravuar. Njëri nga vëllezërit ka qëlluar disa herë me automatik mbi Xhetanin. Pas krimit, dy vëllezërit janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkohë banorët e Luznisë pasi kanë dëgjuar krismat kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. 50-vjeçarin e kanë gjetur në gjendje kritike. Kanë siguruar një mjet transporti dhe e kanë dërguar me shpejtësi në Spitalin Rajonal të Peshkopisë. Për shkak të plagëve dhe humbjes së gjakut, pak orë pas mbërritjes në spitali, Xhetan Konesha ka ndërruar jetë.

Autorët

Ngjarja është zbardhur shpejt nga Policia. Konflikti mes dy familjeve ishte i njohur nga autoritetet e Policisë. Efektivët janë vënë në ndjekje të dy vëllezërve Mera. Policia arriti të arrestonte Muhamet Merën, ndërsa vëllai i tij, Altin Mera u arratis, duke u larguar në pyll. Policia po vijon me krehjen e zonës, për kapjen e autorit tjetër të dyshuar, ndërsa u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se dy vëllezërit vranë 50-vjeçarin. Pas arrestimit të njërit prej autorëve Policia mori në mbrojtje dy familjet e përfshira në konflikt të mëhershëm për ujin dhe tokën. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes./Panorama/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco