Mjekët: Ariola erdhi në spital me 90% të mushkërive të dëmtuara

Mjekët: Ariola erdhi në spital me 90% të mushkërive të dëmtuara

11:00, 04/03/2021
A+ Aa A-

Detaje të reja zbradhen sot në lidhje me vdekjen nga Covid-19 të 27-vjeçares Ariola Cakollari nga lagjia "Jani Vruho" në qytetin e Beratit.

Burimet zyrtare të Spitalit Rajonal të Beratit konfirmojnë se e reja mbërriti në këtë spital në gjendje kritike për jetën. Mjekja infeksioniste në repartin Covid-19 të Spitalit Rajonal të Beratit, Etleva Vila ka deklaruar sot për mediat se Ariola Cakollari është paraqitur në Repartin e Urgjencës të Spitalit Rajonal Berat në dt.25.02.2021, në orën 00:30 minuta dhe vajza ishte në gjendje të rënduar.

Mjekja Vila deklaron se vajzës i është dhënë ndihma e shpejtë, i janë kryer të gjitha ekzaminimet dhe nga skaneri ka rezultuar se 27-vjeçarja kishte 90% të mushkërive të prekura nga Covid-19.

"Pasi konstatuam se gjendja e saj shëndetësore ishte kritike, ne si mjekë konkluduam në nisjen e saj me urgjencë me autoambulancat e Spitalit Rajonal Berat drejt Spitalit Infektiv Covid-1 në Tiranë", ka deklaruar mjekja Vila.

27-vjeçarja nga Berati Arjola Cakollari jetonte e punonte prej kohësh në Tiranë dhe ishte kthyer në Berat për t'iu shërbyer në shtëpi prindërive që ishin të prekur me Covid-19.

Gjatë kohës që vajza u ka shërbyer prindërve është infektuar edhe vetë nga virusi që i mori jetën dy ditë më parë.

27-vjeçarja Ariola Cakollari gjeti vdekjen mbrëmjen e së martës në Spitalin Infektiv Covid1, ku ndodhej e intubuar. Mes dhimbjesh dhe lotësh nga familjarë, miq e të afërm Ariola u përcoll dje në mesditë për në banesën e saj të fundit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco