31-vjeçari që u vra në Vlorë, i njohur me tre mbiemra/ Kërkohej për vrasje, por ja si u kap në Tiranë

31-vjeçari që u vra në Vlorë, i njohur me tre mbiemra/ Kërkohej për vrasje, por ja si u kap në Tiranë

10:17, 04/03/2021
A+ Aa A-

Tauland Gjikaj njihet si një person me precedentë të mëparshëm penalë për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Vrasje e mbetur në tentativë”.

Për ekzekutimin e tij në mes të qytetit bregdetar, ngjarje e ndodhur pasditen e djeshme, Policia është fokusuar në konfliktet për larje të hesapeve për prishjen e pazareve të drogës. Më konkretisht, Policia dyshon se këto konflikte lidhen me aktivitetin e paligjshëm në Norvegji, ndërsa hetimet kryhen edhe për përplasjen e ndodhur në qytetin e Vlorës në vitin 2018, mes dy grupeve.

Ngjarja në vitin 2018

Tetë të rinj të armatosur me pistoleta dhe kallashnikovë janë përplasur me armë dhe kanë qëlluar ndaj njeri-tjetrit. Nga shkëmbimi i zjarrit ndërmjet dy bandave mbetën të plagosur 3 persona.

E gjithë ngjarja ndodhi në kulmin e lëvizjeve në qytetin bregdetar. Atë kohë pamjet e nxjerra nga kamerat e sigurisë tregonin momentin e përplasjes, ku ishte i përfshirë edhe 31- vjeçari Tauland Gjikaj.

Fillimisht ishte një makinë tip “Mercedes-Benz S-Class”, e cila bllokoi rrugën dhe më pas një mjet tip “Fiat Punto” mbeti i bllokuar në rrugë. Pas “Fiat”-it ndalon një makinë tjetër tip “Benz ML”.

Në këto momente dalin personat nga “ML”-ja dhe drejtohen për te makina tip “Fiat” ku ndodheshin tre persona, Elis Llanaj, Taulant Beqiraj dhe një tjetër. Makina tip “Fiat” tenton të largohet duke u përplasur me ‘Benz”-in. Personat e dalë nga “ML”-ja, Gazmir Canaj me dy persona të tjerë, hapin derën e “Fiat”-it dhe fillimisht njëri nga personat që kishte kallashnikovin në dorë qëllon me pjesën e pasme pasagjerin e “Fiat”-it.

Më pas fillon shkëmbimi i zjarrit nga brenda makinës “Fiat”, në atë moment pala tjetër që ishte drejtuar nga ana e shoferit ka qëlluar në drejtim të tij. Sapo ka filluar shkëmbimi i zjarrit është afruar edhe një person tjetër nga makina e parë “Mercedes-Benz S-Class”, e cila kishte bllokuar rrugën.

Ai ka shkuar për t’i ardhur në ndihmë grupit që kishte organizuar pritën, duke qëlluar me armë. Pasi ka përfunduar aksioni nga ana e personave të dalë nga “ML”-ja, tërhiqen dhe njëri nga ata mbush kallashin dhe qëllon në drejtim të pasagjerit të tretë, që ndodhej në pjesën e pasme të “Fiat”-it.

Sapo mbaron shkëmbimi i zjarrit, ngjarje e ndodhur për rreth 60 sekonda, shoferi i makinës “Fiat” që ishte shtrirë në tokë ka tentuar të largohej edhe pse ishte i plagosur. Të plagosurit, Taulant Beqiraj dhe Eris Llanajn nga njëri grup dhe Gazmir Canaj nga grupi tjetër, u dërguan në spital, ndërsa në kërkim atë kohë u shpallën dy persona të tjerë, E. M. dhe P. A., që ishin në makinën tip “Mercedes-Benz S-Class”.

Në vendin e ngjarjes u gjetën 12 gëzhoja kallashi dhe pistolete, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur arsyet e përplasjes me armë të bandave.

Arrestime për armëmbajtje pa leje

Dy vite më parë ai njihej si Tauland Manaj dhe konsiderohej si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Policia e Tiranës në muajin nëntor të viti 2018 njoftoi finalizimin e operacionit të koduar “Befasia”. Sipas Policisë, atë kohë Tauland Manaj, lindur në Vlorë dhe banues në Vlorë, fshihej në një pallat në lagjen “Ali Demi”.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Vlorë, më datë 18.09.2018, ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Apelit Vlorë, e cila kishte vendosur masën e arrestit me burg për “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”. “Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për ‘Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë’ dhe ‘Armëmbajtje pa leje’.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një person në kërkim nga Vlora fshihej në një pallat në lagjen ‘Ali Demi’ dhe falë një pune të mirorganizuar në bashkëpunim me patrullat e përgjithshme të këtij Komisariati, zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar ‘Befasia’”, ka njoftuar Policia dy vite më parë. /Panorama/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco