E qëlluan sapo zbriti nga shtëpia/ Makina hyri në kahun e kundërt …

E qëlluan sapo zbriti nga shtëpia/ Makina hyri në kahun e kundërt …

12:31, 25/02/2021
A+ Aa A-

Banesa ku jetonte Behar Sofia, i njohur edhe me mbiemrin Seferi, ndodhet vetëm 50 metra larg vendit ku ka ndodhur ekzekutimi i tij. Kamera sigurie në zonën përreth vendit të ngjarjes ka vetëm në pallatin ku jetonte Sofia, ndërsa në segmentin ku ndodhi krimi përgjatë bulevardit “Bajram Curri” nuk ka asnjë kamera vëzhguese.

Autorët me sa duket e kanë studiuar mirë zonën, ndërsa nuk përjashtohet nga pista e hetimeve që ai mund të jetë nxjerrë në pritë. Dyshohet po ashtu se në kryerjen e atentatit mund të ketë ndihmuar edhe një person tjetër që e ka vëzhguar Sofinë dhe mund t'i ketë orientuar autorët rreth lëvizjeve të tij.

Kjo sepse dyshohet që autorët që kanë qëlluar kanë qenë brenda një automjeti, dhe krahu nga lëvizte Sofia është në të kundërtën e aksit nga lejohet lëvizja e mjeteve. Autorët dyshohet se kanë përdorur armë me silenciator pasi nuk janë dëgjuar krisma, ndërsa nga burime të pakonfirmuara zyrtarisht raportohet se ka marrë 2 plumba.

66-vjeçari ka marrë dy plumba, një në qafë dhe një në gjoks dhe u dërgua me urgjencë në spital, por pa mundur të mbijetojë.

Policia ka thirrur për të dëshmuar të afërmit e viktimës në lidhje me aktivitetin e tij, por edhe konfliktet që mund të ketë pasur në të shkuarën. Dëshmitë e tyre pritet të hedhin më tepër dritë për ngjarjen, ndërsa nga ana e grupit të posaçëm të hetimit ngritur për këtë ngjarje, mund të bëhet edhe një transkriptim i telefonatave dhe mesazhe që ka realizuar së fundmi viktima. Gjithashtu pritet vëzhgimi kamerave të sigurisë të pallatit ku jetonte viktima si dhe aksit që dërgon për tek vendi i ngjarjes për të kontrolluar lëvizjet e shenjestrës dhe autorëve.

Behar (Sulo) Sofia nga Lapardhaja e Beratit, banues i regjistruar në Rrugën e Qelqit në Kombinat, por që jetonte prej disa vitesh në pallatin e ETC në Tiranë, është emër i njohur në kryeqytet si biznesmen, por edhe si person me precedent penal. Ai ka disa biznese në zonën e Komunës së Parisit ndërsa emri i tij rezulton i njohur kryesisht në tregtimin e lëndëve narkotike nga ku dyshohet se atentati ndaj tij është për pasojë e larjes së hesapeve.

SPAK do të njoftonte përpara disa kohësh se përfshirjen e Sofisë në aktivitetin kriminale të drogës në Turqi që sipas tij, më datë 02.09.1998 nga ekipet e sektorit kundër narkotikëve të Drejtorisë së Policisë së Stambollit Turqi, pas kryerjes së hetimeve proaktive dy mujore, në kuadër të operacionit të policisë ″ESAS″, për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, janë sekuestruar 30.5 kg lëndë narkotike heroinë dhe mes të arrestuarve në flgrancë rezulton edhe shtetasi Fatmir Sofia (Behar Sofia).

Në orën 9 të mëngjesit të enjteje, në Bulevardin “Bajra Curri”, Sofia u konstatua i shtrirë dhe i gjakosur në trotuar. Fillimisht u dyshua për aksident, por më pas u konstatua se ndaj tij ishte qëlluar me armë. Një patrullë policia është ndodhur pranë vendit të ngjarjes ku menjëherë pas sinjalizimit është afruar duke lajmëruar edhe urgjencën.

Sofia ka pasur shenja jete kur është nisur për në Spitalin e Traumës, por ka ndërruar jetë ende pa u marrë në duart e bluzave të bardha. Dyshohet se autorët janë larguar përmes Rrugës së Elbasanit dhe deri më tani, ndryshe nga sa raportohet në ngjarje të tilla kriminale, nuk ka informacione për djegie të ndonjë automjeti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco