U plagosen nënë e bir në Durrës/ Zbardhet sherri për parkimin

U plagosen nënë e bir në Durrës/ Zbardhet sherri për parkimin

09:25, 25/02/2021
A+ Aa A-

Policia e Durrësit ka zbardhur dhe dokumentuar ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së martës, në qytetin e Durrësit ku mbetën të plagosur dy persona, nënë e bir.

Shkak për këtë ngjarje është bërë një vend parkimi. Policia ka arrestuar autorin kryesor të ngjarjes, ku pas një konflikti për vendin e parkimit mbetën të plagosur nënë e bir, Valbona Çerma dhe Flamur Çerma.

Mësohet se në këtë konflikt të përgjakshëm mes dy familjeve Çerma dhe Juba, morën pjesë të paktën shtatë persona. Sipas Policisë, autori kryesor i ngjarjes është shtetasi Erges Juba, 33 vjeç nga Peqini me banim në Durrës.

Konflikti

Mësohet se konflikti ka nisur me shtetasin O. Çerma dhe Zyber Juba në sheshin e pallatit, i cili shërben edhe për vendparkim makinash. Në mbështetje të O. Çermës ka shkuar vëllai, Flamuri dhe nëna e tyre Valbona, të cilët sulmuan fizikisht shtetasin Zyber Juba. Në këto momente shfaqen vëllezërit e këtij të fundit, Erges Juba dhe A. Juba dhe një i njohur i tyre. Ergesi në një moment nxjerr pistoletën dhe qëllon në drejtim të Flamurit dhe nënës së tij, Valbonës duke i plagosur.

“Mbrëmjen e djeshme, (pardje) në lagjen Nr. 12, Durrës, ka ndodhur një konflikt i çastit për motive të dobëta (për vende parkimi), fillimisht me sende të forta, midis shtetasit O. Ç. dhe Z. J. Si pasojë e goditjeve u lëndua shtetasi Z. J., i cili u dërgua në spital për ndihmë mjekësore. Më pas konflikti u përshkallëzua me përdorimin e armës së zjarrit dhe si pasojë mbetën të plagosur nënë e bir.

Fillimisht u dyshua se autor i kësaj ngjarjeje ishte shtetasi Z. J., por pas hetimeve të shpejta dhe profesionale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës , rezultoi se shtetasi E. J. (i arrestuar), pas konfliktit të ndodhur midis vëllait të tij, shtetasit Z. J. dhe O. Ç., ka qëlluar me armë zjarri drejt shtetasit F. Ç., 23 vjeç dhe shtetases V. Ç., 51 vjeçe (e ëma), të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”, sqaroi Policia.

Hetimet

Në vijim të hetimeve është bërë shpallja në kërkim e shtetasve A. J., 34 vjeç (vëllai i autorit) dhe O. N., 28 vjeç, pasi rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetasin E. J., kanë konsumuar veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”, si dhe u procedua penalisht shtetasi O. Ç. (vëllai i shtetasit F. Ç.), për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”. Gjithashtu, në vijim të veprimeve shërbimet e Policisë kanë krehur zonën dhe kanë bërë të mundur gjetjen e armës së zjarrit, të cilën autori pas ngjarjes e kishte hedhur në distancë të largët nga vendi i ngjarjes.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Dëshmitë, çfarë ndodhi mes fqinjëve mbrëmjen e së martës

Oficerët e Krimeve në Policinë e Durrësit kanë marrë edhe dëshmitë e banorëve të lagjes ku ndodhi ngjarja. Sipas informacioneve, mësohet se ata janë shprehur se personat e përfshirë në këtë ngjarje jetojnë në të njëjtin pallat dhe janë fqinj me njëritjetrin.

Sipas tyre, konfliktet mes tyre kanë qenë të shpeshta, ndërsa shkak është bërë një vend parkimi. Ata kanë konfirmuar se mbrëmjen e së martës, vëllezërit Çerma dhe nëna e tyre goditën me sende të forta një nga personat e palës tjetër. kjo ka vërë që njëri prej tyre, të nxirrte armën dhe të qëllonte në drejtim të vëllezërve Çerma.

Si pasojë kanë mbetur të plagosur nënë e bir. Ata kanë marrë ndihmën mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco