Si nisën hetimet kundër dy bandave shqiptaro-italiane

Si nisën hetimet kundër dy bandave shqiptaro-italiane

10:17, 24/02/2021
A+ Aa A-

Një operacion i koordinuar i zhvilluar njëkohësisht në Itali dhe Shqipëri goditi dje dy organizata kriminale në fushën e trafikut të drogës mes dy shteteve.

Policia Italiane, nga orët e para të ditës së djeshme, nisi ekzekutimin e urdhër-arresteve të lëshuar nga gjykatësi për hetimet paraprake të Gjykatës së Milanos, me kërkesë të zëvendësprokurorit Alessandra Dolci dhe zëvendësprokurores Bruna Albertini të Prokurorisë Publike në Gjykatën e Milanos. Mediat italiane shkruanin dje se ishin ekzekutuar urdhrat e arrestit për 37 persona (36 arrest në burg dhe një në arrest shtëpie).

Personat e ndaluar janë me kombësi kryesisht italiane dhe shqiptare, të cilët akuzohen si pjesë ose si lidhje e dy organizatave kriminale që synojnë trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Operacioni u krye nga Seksioni Antidrogë i Skuadrës Lëvizëse, i koordinuar nga Milan DDA. Pikënisja e këtyre hetimeve ishte arrestimi i shtetasit italian Santo Tuçi, kryer më 2 tetor 2018, si pjesë e operacionit “Miracle 1”, përqendruar në trafikun e drogës. Tuçi u arrestua me 28 kg hashash, 1.7 kg kokainë, dy armë zjarri pa leje, një silenciator dhe 18 gëzhoja. Zhvillimi i hetimeve ka hapur një linjë të re hetimore kundër personave të tjerë, të specializuar në trafikun e drogës në provinca të ndryshme të Italisë, veçanërisht në Korsiko, Bucinasco dhe Trezzano dhe në disa rajone (Emilia Romagna, Lazio dhe Puglia). Organizata kriminale drejtohej nga i dënuari i njohur i Bucinasco Pietro Amante dhe Agatino Maurizio Scollo. Grupi mendohet se ka blerë, furnizuar dhe shitur kokainë, hashash e marijuanë në këto provinca.

Veprimi i dy grupeve kriminale

Gjatë fazës hetimore Policia gjithashtu bëri të mundur zbulimin e një linje tjetër trafiku. Një organizatë e përbërë nga shtetas shqiptarë që importonin sasi të mëdha droge, në veçanti kokainë, duke furnizuar vazhdimisht grupin AmanteScollo, doli në skenë gjatë hetimeve. Të dy grupet mësohet se kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrën dhe më pas kanë shitur drogë në sheshet milaneze. Bëhet fjalë për një strukturë solide, piramidale me role të përcaktuara mirë. Grupet ishin në gjendje të ruanin drogën në automjete të pajisura me ndarje artizanale.

Hetimet çuan në arrestimin e 12 personave, përfshirë Amante (tashmë në arrest shtëpie) dhe Scollo, përveç sekuestrimit të 4 kilogramëve kokainë, 35 kilogramë hashash, 52 kilogramë marijuanë dhe 260 mijë euro cash, dy armë, silenciator dhe municion. Dy të dyshuarit shqiptarë u gjurmuan nga autoritetet lokale, në bashkëpunim me Shërbimin Ndërkombëtar të Bashkëpunimit Policor dhe zyrën e Ekspertit të Sigurisë në Tiranë të Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale. Të dy janë në pritje të ekstradimit në Itali. Gjithashtu mësohet se ka nisur të kryhet sekuestrimi parandalues i lëshuar nga Gjykata, i dy pronave në Milano, të ndërmarrjes “Progresso di Russo Diego e C. sas”, tre skuterë, dy motorë, nëntë autovetura.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco