EMRI/ Sulmohet makina e biznesmenit, autorët i lënë një mesazh

EMRI/ Sulmohet makina e biznesmenit, autorët i lënë një mesazh

10:08, 25/01/2021
A+ Aa A-

Mjeti i një biznesmeni nga Shkodra ka rënë pre e një sulmi. Makina tip 'Volkswagen Tiguan' me targë AA 289 OA ngjyrë e bardhë është sulmuar në fshatin Hot i Ri, pjesë e njësisë Rrethina të bashkisë Shkodër.

Mjeti është në pronësi të biznesmenit Nikolin Shqau. Makina ndodhej e parkuar përpara derës së shtëpisë të biznesmenit në Hot të Ri, kur disa persona në mënyrë të papritur e kanë goditur mjetin, duke thyer xhamat dhe duke shkaktuar edhe disa dëme të tjera. Në momentin kur ka ndodhur ngjarja brenda mjetit nuk ndodhej askush ndërsa edhe në rrugë nuk ka patur ndonjë kalimtar të rastit.

Menjëherë përmes një sinjali pronari i mjetit ka kuptuar se diçka ka ndodhur dhe në momentin kur ka dalë jashtë ka parë makinën e dëmtuar. Ai ka njoftuar policinë vendore të Shkodrës dhe efektivët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke nisur hetimet pas kësaj ngjarje kriminale.

Autorët e kësaj ngjarje e kanë goditur mjetin tip “Tiguan” të biznesmenit Shqau me një shufër hekuri duke thyer pjesë përpara ta xhamave, por edhe pjesën e pasme.

Më pas atë shufër e kanë hedhur brenda makinës. Ndërkohë në anën e djathtë të mjetit, afër pasqyrës autorët kanë lënë edhe një letër të shkruar, duke i lënë kështu një mesazh pronarit makina e të cilit u dëmtua.

Në letër ishte e paqartë se çfarë shkruhej pasi ishte e palosur, por ajo letër bashkë me shufrën e hekurit janë sekuestruar nga grupi hetimor i policisë së Shkodrës.

Janë të paqarta arsyet e kësaj ngjarje të ndodhur pasi pronari Nikolin Shqau ka deklaruar se nuk ka konflikte me ndonjë person. Ndërkohë disa metra më tutje ka edhe kamera sigurie të një subjekti duke qenë se mjeti ishte i parkuar në rrugën kryesore të fshatit Hot i Ri.

Policia vendore e Shkodrës vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e autorëve të dyshuar që sulmuan mjetin e biznesmenit Nikolin Shqau.

ImageImageImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco