Ekzekutimi i Billës/ Gjenden tri fije floku në makinën e Malit

Ekzekutimi i Billës/ Gjenden tri fije floku në makinën e Malit

09:42, 20/01/2021
A+ Aa A-

Zbulohen detaje të reja nga hetimet për ekzekutimin e Hekuran Billës, në maj të 2020 në zonën e Komunës së Parisit, krim për të cilin janë të dyshuar Viktor Marku e nipi i tij Sebastjan Mali.

Në automjetin “Nissan Micra” që mori me qira i dyshuari Mali janë gjetur 3 fije floku nga ku janë përfituar dy kampione ADN. Me vendim prokurorie kampionet do të krahasohen me kampionet e dy të dyshuarve. Burime nga Prokuroria thanë se nëse do të konstatohet përputhshmëri, atëherë rezultati do të jetë një provë e pakundërshtueshme fajësie për të dyshuarit, dajë e nip, të cilët sipas Prokurorisë organizuan dhe ekzekutuan Billën për motive hakmarrje, përderisa ai kishte vrarë në 2006 në Britaninë e Madhe, të afërmin e tyre Prel Marku, 22 vjeç. Viktor Marku e nipi i tij Mali u arrestuan pak ditë pas ngjarjes së rëndë, si të dyshuarit kryesorë për krimin.

Prokuroria urdhëroi edhe arrestimin e Adjola Lakrës, e cila dyshohet se u përdor për të nxjerrë në pritë ish-të dënuarin, Hekuran Billa. Aktualisht Prokuroria është duke analizuar edhe të dhënat e siguruara nga kompanitë celulare, për të konfirmuar përmes qelizave të celularëve nëse të dyshuarit janë gjendur në vendin e ngjarjes. Hetimet për këtë ngjarje pritet të mbyllen në mars të 2021 kur do të vendoset për fatin e të dyshuarve, shkruan Panorama.

Hekuran Billa u ekzekutua më 11 qershor të vitit të kaluar vetëm pak kohë pasi ishte liruar me kusht nga Gjykata e Krujës. Ai ishte ekstraduar nga Britania e Madhe për vrasjen e Prel Markut dhe po vuante dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë. Nga kamerat e sigurisë është fiksuar edhe momenti i vrasjes së 40-vjeçarit Hekuran Billa, i njohur edhe me emrin Herland Bilali.

Nga pamjet filmike duket makina tip “BMVV X6”, ngjyrë e bardhë me targa angleze që drejtonte viktima, e cila ndiqej nga një automjet tjetër, ku janë atentatorët. Automjetet lëviznin njëra pas tjetrës nga Unaza e Re, para qendrës tregtare, në drejtim të “Komunës së Parisit”. Autorët futen në parakalim dhe i afrohen objektivit nga krahu i djathtë, duke qenë se e kishin edhe shumë afër, për shkak se mjeti i tij ishte me timon në krah të kundërt dhe e qëllojnë me breshëri. Billa mbetet i vdekur dhe automjeti i tij përplaset fillimisht me një mjet në krahun e majtë e më pas ndalon pasi përplaset me dy makina të parkuara. Ndërsa atentatorët ecin mbrapsht për disa metra dhe më pas kthejnë makinën duke u drejtuar nga Unaza e Re, andej edhe nga po vinin duke ndjekur Billën.

Hekuran Billa, 40-vjeçari që u ekzekutua mbrëmjen e 11 qershorit 2020 në Tiranë, kishte dalë nga burgu në vitin 2019. Në janar të këtij viti ai kishte hapur një biznes për automjete me qira. Familja e Billës, me origjinë nga fshati Bushtricë i Kukësit, jetonte prej vitesh në fshatin Domje, në Tiranë. Viktima ka dy vëllezër dhe dy motra, ndërsa nuk ishte i martuar. Para se të lirohej nga burgu, në rrethana ende të paqarta, edhe pse drejtësia britanike e kishte dënuar me burgim të përjetshëm, ai kishte qëndruar për 4 vite në Burgun e Fushë-Krujës. Familjarët e tij kanë deklaruar në Polici se mbrëmjen kur mbeti i vrarë ai kishte dalë për të takuar një shok, pikërisht pranë zonës ku u qëllua për vdekje. Policia e Tiranës ka njoftuar vrasjen e ndodhur në zonën e “Komunës së Parisit”, para një qendre tregtare rreth orës 22:00, ndërsa rreth 40 minuta më vonë ka marrë një tjetër njoftim për një makinë që po digjej në Pezë të Vogël. Kjo makinë dyshohet të jetë e atentatorëve, ndërsa brenda saj u gjet edhe arma me silenciator që është përdorur në krim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco