I shpëtoi shpërthimit të tmerrshëm të gazit, por ka tërë familjen rëndë, edhe mbesën 5-vjeçare me djegie Leonora Beka

I shpëtoi shpërthimit të tmerrshëm të gazit, por ka tërë familjen rëndë, edhe mbesën 5-vjeçare me djegie

09:07, 06/01/2021
A+ Aa A-

Kosovë - Nga shpërthimi që ka ndodhur dje në një lokal në Ferizaj kanë mbetur të plagosur dhjetëra persona. Në mes tyre edhe Leonora Beka dhe katër familjarë të saj.

Beka në një lidhje direkte për emisionin "#gjesi" në T7 ka treguar se si i ka shpëtuar shpërthimit dhe në çfarë gjendjeje janë familjarët e saj që po trajtohen në spital, sipas Gazetës Express.

Leonora Beka jeton në Zvicër, por që ka ardhur për pushime në Kosovë, tha se i ka të lënduar babanë, vëllanë, nusen e vëllait dhe vajzën e vëllait 5 vjeçe.

Në momentin e shpërthimit ajo tha se kishte qenë në banjë, ndaj edhe kishte shpëtuar me lëndime të vogla. Por tregoi se nusja e vëllait është në muajin e tretë të shtatzënisë dhe ka pësuar lëndime të rënda.

“Kam babin, vëllanë, nusen e vëllait dhe çikën e vëllait 5 vjeçe. Vëllanë e kam shumë të lënduar; edhe babanë; janë në Prishtinë në QKUK. Dy duart dhe këmbët (të djegura) i ka nusja që është edhe shtatzënë. Vajzës i është djegur veshi, qafa, flokët edhe gjysma e fytyrës. Nusja e ka komplet fytyrën, flokët deri në lëkurë. Unë kam shpëtuar, veç flokët i kam pak të djegura”..., tregoi ajo.

“Në muajin e tretë të shtatzënisë, nusja, por për momentin bebja është mirë. Nusja i mban mend të gjitha, veç nuk e di që kemi për t'i transferuar për në Turqi.  Duhet të përgatitemi për t'i treguar.

I falënderoj të gjithë që na kanë ndihmuar: taksistët që na kanë çuar të gjithëve në spital; një barnatore në Ferizaj që na kanë dhënë paketa ndihme dhe nuk kanë shiku, nuk ka pasur as gjilpëra për infuzione, as infuzione as send s’ka pas. Me barna e me kremëra na i kanë dhënë”, shtoi ajo.

Vëllai i saj, sipas dëshmitares, është në listën e personave që do të dërgohen për shërim jashtë vendit.

“90% është e sigurt që kanë për t'i çuar sot. Vëllai im është në atë listë, babai ka për të ndenjur këtu. Babai ka fytyrën, duart edhe kokën.

Unë jetoj në Zvicër. Dola me babanë, motrat, vëllezërit të hanim një drekë. Pasi kemi ngrënë drekë ndodhi rasti. Unë patjetër duhet që të kthehem”, tha Leonora Beka.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco