Lajmi i fundit

INTERVISTA/ Shpërthimi i Edi Ramës me 'RAI 3' dhe dosja e Olsi Ramës

Luftuan në vijën e parë – 18 mjekët që humbëm nga koronavirusi

Luftuan në vijën e parë – 18 mjekët që humbëm nga koronavirusi

10:46, 05/12/2020
A+ Aa A-

Gazeta MAPO bën një homazh për bluzat e bardha që kanë humbur jetën që nga nisja e pandemisë së COVID-19. Cilët janë 13 mjekët e vijës së parë të frontit dhe 5 në pension që vdiqën nga koronavirusi. Jeta e tyre dhe aktiviteti. Teksa gazeta MAPO kërkoi të dhëna zyrtare, Ministria dhe ISHP u shprehën se nuk kanë statistika të sakta për bluzat e bardha që na i mori virusi i rrezikshëm.

“Të vdekurit nuk bëjnë zhurmë, ata nuk bëjnë më shumë zhurmë se sa një fije bari”, shkruan poeti italian Giuseppe Ungaretti. Por, të vdekurit e këtij viti do të na rëndojnë gjatë.

Bilanci i dhimbshëm i 852 vdekjeve që kur u shpall pandemia e COVID-19 në mars ka brenda saj dhe një listë të trishtë të bluzave të bardha që humbën jetën në betejën me këtë virus. Janë ata që luftojnë për shëndetin dhe jetën, para bluzës së bardhë të të cilëve ne bëhemi qenie kaq të brishta duke u besuar shëndetin dhe jetën tonë çdo ditë.

Gazeta MAPO në numrin e sotëm iu kushton një homazh pikërisht atyre që më shumë se kushdo tjetër po përballen çdo ditë me pandeminë duke vënë veten në rrezik. Në këtë përballje për fatin tonë të keq kanë humbur jetën të paktën 17 mjekë, 12 prej tyre u infektuan në vendin e punës dhe 5 ishin mjekë të nderuar në pension. Ikja e tyre është humbje jo vetëm për familjet, por është humbje për shëndetësinë dhe për qindra pacientë që u besonin shëndetin dhe jetën.

Sot s’na mbetet gjë tjetër vetëm të kujtojmë, por pa harruar dhe sjelljen aspak ortodokse të kësaj qeverie me bluzat e bardha. Sot në spitalet COVID, heronjtë janë ata që zgjodhën të qëndrojnë në këtë vend për t’iu shërbyer njerëzve. Kanë halle si të gjithë ne, punojnë në kushte skandaloze me një rrogë mjerane. Në tërë këto vite kanë duruar represionin, përbaltjen dhe çdo lloj akuze që i vinte nga zyrat e kryeministrisë, por shumë pak vlerësimin.

Kryeministri që bën sot sikur është në krah të tyre ka pasur një qasje tjetër, në vigjilje të pushtetit të tij. E kush mund të harrojë listat e zeza që ai i mbushte me emra mjekësh. Rreth 20 prej tyre provuan dhe hekurat e burgut. Po testimet poshtëruese që bëheshin me urdhër të kryeministrit.

Ministrja e sotme e Shëndetësisë në atë kohë ka qenë drejtoreshë e QSUT-së dhe duhet t’i mbajë mend mirë. Kjo bëri që nga Shqipëria përgjatë epokës së rilindjes të largohen më shumë se 3 mijë mjekë e infermierë. Sot një infermieri i duhet të përballojë deri në 15 pacientë nga 2 që është protokolli.

Vdekja e mjekëve dhemb më shumë se çdo gjë tjetër. Në historinë tonë, mjeku apo “heqimi” siç i thoshin atëkohë ka qenë njeriu më i nderuar. Por, atë që mendësia e njerëzve e ngriti në kult përgjatë shekujve, është e papranueshme për një kastë qeverisëse, që kult ka PPP-të në shëndetësi, apo PPP-të e çdo lloji tjetër. Dhe sot kur kemi 17 mjekë më pak lotët nuk mjaftojnë, por duhet dhe revoltë. Janë dëshmi se si një qeveri nuk duhet të sillet me asetet e saj.

ISHP dhe Ministria: Nuk kemi statistika për mjekët

Ministria e Shëndetësisë nuk ka ende një bilanc për mjekët që kanë humbur jetën nga COVID-19 dhe pse në disa raste nuk kanë munguar statuset e ngushëllimit nga ministrja Ogerta Manistirliu. Në një kërkesë zyrtare të gazetës për të marrë një numër të saktë të mjekëve dhe infermierëve që kanë humbur deri më tani jetën për shkak të COVID-19 ministria nuk arriti t’i jepte një përgjigje. Ndërsa Instituti i Shëndetit Publik që raporton çdo ditë statistikat e infektimeve dhe fataliteteve u përgjigj se nuk dispononte të dhëna të tilla. “Të dhënat që ju kërkoni nuk disponohen nga ISHP”- u përgjigj epidemiologia Rovena Daja nga ISHP-ja.

Në ditët e para të epidemisë gjatë muajit mars e prill, në raportimet ditore të Ministrisë së Shëndetësisë, përfshiheshin herë pas here të dhëna për anëtarë të stafit mjekësor që prekeshin apo shëroheshin nga COVID-19. Më 30 qershor u shënua viktima e parë ndër radhët e mjekëve. Arjan Pushi, mjeku hematolog, u nda nga jeta ndërsa ndodhej në reanimacionin e Infektivit. Ndërsa në valën e dytë të epidemisë gjatë vjeshtës këto të dhëna mungojnë.

Por megjithëse nuk ka statistika zyrtare, në media ka çdo ditë raportime për fatalitete në radhën e bluzave të bardha në të gjitha strukturat shëndetësore në vend. Në shtetin tjetër shqiptar, në Kosovë, jo vetëm që këto statistika nuk mungojnë, por me propozim të presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, të gjithë punonjësit e shëndetësisë të cilët humbën jetën nga Covid-19 do të dekorohen me medaljen presidenciale të meritave.

Gazeta arriti të mbledhë nga njoftimet në media emrat e të gjithë mjekëve shqiptarë që i humbëm gjatë kësaj pandemie për të sjellë profilet e secilit prej tyre. Për shkak se institucionet nuk ofrojnë të dhëna të sakta në këtë homazh mungojnë infermierët dhe personeli mbështetës në shëndetësi që kanë humbur fatkeqësisht jetën në këtë betejë.

Mjekët që i humbëm nga COVID-19

Arjan Pushi- mjek hematolog
Ishte mjeku i parë që humbi jetën nga COVID-19 më 30 qershor të këtij viti, kur vendi sapo kishte dalë nga karantina disamujore. Dr. Pushi, ishte hematolog dhe pedagog i fakultetit të mjekësisë, i cili kishte përgatitur breza të tërë studentësh të mjekësisë. Vdekja e tij krijoi tronditje në publik, pasi u njoftua nga një koleg i tij, por u mohua fillimisht nga Ministria e Shëndetësisë, për t’u bërë publike vetëm një ditë më pas.

Hysni Shkjau – doktor familje
Mjeku i dytë që humbi betejën me COVID-19 ishte Hysni Shkjau, mjek familjeje. 69-vjeçari me 40 vite eksperiencë pune shërbeu deri në fund në qendrën shëndetësore Qafë Mali në Pukë. Mjeku Shkjau ndërroi jetë më 6 korrik pas disa ditësh i shtruar në spitalin infektiv në Tiranë.

Anibal Byberi- pneumolog
Mjeku pneumolog dhe drejtori i spitalit të Tropojës, Anibal Byberi, ishte vetëm 53 vjeç kur ndërroi jetë më 3 gusht pasi u infektua nga COVID-19. Ai e humbi betejën e tij vetëm 1 ditë pasi ishte shtruar në spitalin infektiv ku mbërriti në gjendje të rëndë.

Vilson Topulli- Epidemiolog (në pension)
Epidemiologu 73-vjeçar Vilson Topulli u nda nga jeta në 26 gusht pasi qëndroi 2 javë i shkruar në infektiv. Edhe pse kishte dalë në pension kolegët dhe vetë ministrja Manastirliu në një status të dedikuar e cilësuan humbjen e tij të madhe për mjekësinë shqiptare. Punoi që 19 vjeç në ISHP dhe konsiderohej si historia dhe kujtesa e këtij institucioni.

Zyliha Kraja – Kirurge
Më 4 shtator të këtij viti një lajm i hidhur erdhi për spitalin e Shkodrës. Kirurgia 78-vjeçare Zyliha Kraja humbi jetën nga COVID-19. Edhe pse në pension ajo kontribuonte në mënyrë aktive për në spitalin e Shkodrës me operacione dhe gjatë një operacioni ajo u infektua dhe kjo i kushtoi jetën. Kirurgu i njohur, Arben Beqiri, shkruante në dedikimin e tij se dr. Kraja bënte pjesë te drejtuesit e rëndësishme të kirurgjisë, të cilët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm.

Memo Boci- epidemiolog
Epidemiologu Memo Boci, mjeku që nuk lejoi që Shqipëria të pësonte katastrofë nga HIV/AIDS ka mbyllur sytë më 2 shtator. Boci u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare, teksa lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka dhënë doktoreshë Silva Bino. Bino shkruante se Boci luftoi HIV/AIDS në vendin tonë, duke ndërtuar programin e parë të parandalimit për këtë sëmundje vdekjeprurëse në të gjithë botën.

Agron Menzelxhiu- kirurg
Kirurgu i spitalit “Shefqet Ndroqi” i kthyer në një spital COVID, Agron Menzelxhiu, 71-vjeçar, mbylli sytë më 13 shtator pas betejës me COVID-19. Ai njihej si një mbrojtës i flaktë i të drejtave të mjekëve. Për humbjen e tij kishte dhe një mesazh ngushëllimi nga presidenti Ilir Meta, ndërsa kolegu i tij, Petrit Vargu, shkruante se ai ishte mjeku dhe njeriu i mirë që luftoi gjithmonë për jetën e njerëzve.

Sefer Dervishi – mjek familjeje
Ishte në krye të detyrës si mjek familjeje në qendrën shëndetësore Helmas, Kavajë, kur u infektua me COVID-19. Mjeku Sefer Dervishi, 61 vjeç, humbi jetën më 16 shtator në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Përmes një postimi në Facebook, Manastirliu teksa i shpreh ngushëllimet të sinqerta familjes dhe kolegëve të doktor Dervishit, ndërsa bënte me dije se beteja e tij me koronavirusin zgjati për rreth dy javë.

Esat Pashaj – Mjek i përgjithshëm
Pas 9 ditësh i intubuar më 5 tetor humbi jetën nga koronavirusi mjeku 72-vjeçar Esat Pashaj. Ai ishte një nga mjekët më të njohur në qytetin e Skraparit. I lindur më 16 maj 1948, doktor Esati ishte dhe njëherësh Anëtar i Këshillit Bashkiak Skrapar dhe njëherësh ishte nëndrejtor i Spitalit Bashkiak. Thuhet se Pashaj, edhe pse e kishte kaluar moshën e pensionit vijonte punën si mjek në spitalin Skraparit për shkak të mungesës së mjekëve.

Astrit Haziri- Mjek i përgjithshëm
Kukësi dhe Hasi do të kenë një mjek më pak për komunitetin e tyre, në zona ku mjekët mungojnë prej vitesh. Astrit Haziri, 54 vjeç, punonte si mjek i përgjithshëm në spitalin e Kukësit dhe mjek familjeje në Has. U dërgua në Turqi për mjekim të specializuar derisa mbylli sytë më 20 tetor. Ishte në vijën e parë të luftës ku u infektua në detyrë.

Ilirjan Draçi- gastrohepatolog
Mjek gastrohepatolog, drejtor i Poliklinikës së Specialiteteve në Njësinë nr.1. Nga spitali i shtruar bënte thirrje për kujdes. Humbi jetën më 17 nëntor pas 2 javësh në infektiv. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi vdekjen e tij duke shkruar se “Dr. Ilirjan Draçi ishte mjeku që me profesionalizëm e përkushtim i shërbeu komunitetit të banorëve të Tiranës për vite e vite me radhë, si mjek dhe drejtues në poliklinikën e specialiteteve nr.1.”

Shaqir Shehu- Kirurg
Shaqir Shehu ishte një tjetër humbje në radhën e bluzave të bardha të qytetit të Kukësit. Ai ishte 68 vjeç dhe punonte si kirurg ortoped në spitalin e qytetit. U dërgua në Turqi për mjekim të specializuar, por e humbi betejën me sëmundjen. Ishte shpallur qytetar nderi në Kukës për kontributin në luftën e Kosovës. Shehu ka qenë prefekt deri në 2005. Ai ndërroi jetë më 20 nëntor.

Ibrahim Kaziu- pneumolog
Një tjetër humbje e madhe për spitalet rajonale të vendit që vuajnë nga mungesa e personelit shëndetësor. Spitali i Dibrës humbi këtë vjeshtë mjekun 68 vjeçar Ibrahim Kaziu, i cili punonte si pneumolog në këtë spital në vijën e parë të frontit. Kaziu ishte anëtar i këshilli kombëtar të urdhrit të mjekëve . Pasi u shtrua në infektim ai humbi jetën më 24 nëntor.

Bledi Nini-Mjek ORL
Komuniteti i mjekëve u trondit thellë nga humbja e mjekut ORL, Bledi Nini, në moshën 48-vjeccare. Nini, i cili për shumë kohë ka punuar në shërbimin ORL apo spitalin francez siç njihet nga qytetarët pranë QSUT ishte prekur nga Covid prej disa javësh para se të humbte betejën gjatë trajnimit të specializuar në Itali. Qindra mesazhe ngushëllimi vërshuan për mjekun në rrjetet sociale.

Muharrem Xhepaxhiu- Mjek Familje
Më 27 tetor humbi jetën dr. Muharrem Xhepaxhiu, Mjek Familje dhe drejtor në Qendrën Shëndetësore Hysgjogaj në Lushnjë. 64-vjeçari Xhepaxhiu u përcoll me nderime të mëdha në homazhet që u bënë në qytetin e tij, ku qytetarë dhe stafi mjekësor i spitalit të Lushnjës, mbushën rrugën drejt qendrës së qytetit, e me duartrokitje e këngë baladë duke e përcjellë me dhimbje për në banesën e fundit.

Pëllumb Maletaj- infermier
Infermieri i Spitalit Ushtarak në Tiranë humbi jetën në moshën 63-vjeçare për shkak të koronavirusit. Të afërmit dhe miqtë e tij kanë shprehur hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të Pëllumb Zef Maletaj me origjinë nga Tetajt e Merturi. Siç shkruajnë miqtë e tij, Maletaj ishte një person i devotshëm në punën e tij dhe të gjithë e thërrisnin ‘doktori’.

Ibrahim Kaziu- Pneumo-fiziatër
Më 25 nëntor Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë njoftoi humbjen e mjekut dr. Ibrahim Kaziu, Mjek Pneumo-fiziatër dhe drejtues teknik në Spitalin Rajonal të Dibrës. Dr. Ibrahim Kaziu ishte President i Këshillit Rajonal të UMSH-së Dibër për 2 mandate si dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve.

Elmaz Eltari-mjek në pension
Më 23 tetor humbi jetën nga COVID-19 edhe mjeku në pension Elmaz Eltari. Ai ishte profesori i njohur i Sëmundjeve Infektive, pedagog dhe mjeshtri në njohjen dhe mjekimin e sëmundjeve infektive, sipas dedikimeve që i bënë kolegët e tij.

Myftar Zemani –mjek familje
Humbja më e fundit në radhën e bluzave të bardha është ajo e doktor Myftar Zemanit më datë 3 dhjetor. Humbja e tij u bë e ditur nga të afërm dhe miq të tij në rrjete sociale. Avokati Genc Gjokutaj e ka dhënë lajmin e trishtë në një postim në rrjete sociale. I lindur më 10 shkurt 1942 në Kuç të Vlorës, doktor Tarja pas mbarimit të fakultetit të mjekësisë, shërbeu në Bishan, Roskovec, Fier etj. Kudo ku ka punuar është dalluar për shpirtin human, i papërtuar, i lidhur me banorët edhe për hallet e shqetësimet e tyre, duke u bërë kështu një figurë popullore./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Daj Jaku05/12/2020 13:42

Nuk ka statistika ajo foka ministërleshi për humbjet njerëzore në rradhët e personelit të saj ?!?! Po çfarë statistikash ka ajo lloj krijese që as mjeke nuk është? Për çfarë punësh shejtani ka statistika ministërleshi, për sa tendera top sekret ka vjedhur, sa dhjetra milionë euro ka vjedhur dhe sa i takojnë sulltanit? Këto statistika i mban mirë ajo, se vjedhja është preokupimi i parë i ministërleshit dhe kuota e sulltanit është e shenjtë.

Shto koment

Denonco