Rritja dramatike e rasteve/ A po shkon Shqipëria drejt një karantine?

Rritja dramatike e rasteve/ A po shkon Shqipëria drejt një karantine?

08:28, 02/12/2020
A+ Aa A-

A po shkojmë drejt një karantine të dytë? Rama paralajmëroi dje masa të tjera shtrënguese nëse ka rritje të fataliteteve, të cilat në muajin që lamë pas arritën shifrën prej 304 ose 10 viktima në ditë. Dita e parë e dhjetorit shënoi 832 raste të reja për 2100 testime, çka do të thotë më shumë se një në tre persona të atyre që testohen është prekur nga pandemia. Në spitalet COVID-1 dhe COVID-2 nuk kanë më vende dhe një ezaurim i shpejtë po u bëhet dhe kapaciteteve të pavijonit COVID-3. Për kreun e opozitës Basha, shkaku kryesor i kësaj situate është keqmenaxhimi i qeverisë Rama, e cila jo vetëm nuk dëgjoi paralajmërimet për valën e dytë, por gjunjëzoi ekonominë dhe rrënoi shëndetësinë.

Situata e pandemisë dita-ditës sa po vjen po bëhet dhe më serioze. Dhjetori hyri me shifra të frikshme. 832 raste, në vetëm 2100 testime, çka do të thotë se më shumë se një në tre persona është prekur nga COVID-19.

Numri i vdekjeve prej gati një muaji ka arritur në shifra dyshifrore ndërsa vendet në spitalet COVID po ezurohen me shpejtësi. Ditën e djeshme u hap dhe spitali COVID-4 që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës.

Specialistët kanë dhënë alarmin se të gjitha shenjat tregojnë se pandemia ka dalë jashtë kontrollit dhe alarmi se vendet në spitale po ezaurohen është dhënë prej kohësh. Spitalet COVID-1 dhe COVID-2 nuk kanë më vende dhe burime për MAPO shprehen se pacientët e rinj refuzohen nga personeli për t’u shtruar.

Një ezaurim i shpejtë kapacitetesh po vihet re dhe në pavijonin COVID 3, dhe nëse ecet me këto ritme atëherë shumë shpejt dhe ky spital do pësojë fatin e dy të parëve.

Paralajmërimi

Edi Rama i sapokthyer nga Emiratet e Bashkuara Arabe pas një vizite treditore atje, tha dje gjatë një bisede në rrjetin social Instagram se nuk përjashtohen masat shtrënguese për vendin.

Disi paradoksale kjo deklaratë e tij, pasi paraditen e djeshme kryeministria shpërndau një intervistë të tij të dhënë për seksionin Frëngjisht të “Forbes”, ku lëvdatat se Shqipëria është ndër vendet më pak të prekura në botë ishin të shumta, madje dhe pyetjet rrekeshin të bëheshin në këtë drejtim nga gazetarja.

Rama tha se masat shtrënguese nuk i vendos ai, por komiteti teknik i ekspertëve, por pa harruar që topin e fajësisë t’ua lërë dhe qytetarëve.

“Besoj që do ta kalojmë dhe do ta kalojmë duke dalë jo të dërrmuar por sigurisht më të çliruar dhe më të fortë. Masat shtrënguese nuk i vendos unë, i vendos komiteti teknik i ekspertëve. Nëse shohim fatalitetet edhe pse një jetë e humbur është shumë, jemi në ekuilibër. Askush, askund nuk i di të gjitha, mësojmë hap pas hapi. Për momentin nuk kemi paraprirë masa shtrënguese, por nuk përjashtohen masat shtrënguese”, tha Rama.

Basha

Për kreun e opozitës, Lulzim Basha, situata të cilën po kalojmë ka vetëm një fajtor, Edi Ramën kryeministrin e vendit.

Në një mesazh në rrjetin social Facebook, Basha pas një takimi me një çift të moshuarish në Tiranë shkruan se shqiptarët janë të vetëm në luftë me pandeminë, pasi Rama po punon për veten e tij. Sipas tij, është qeveria e drejtuar nga Rama që gjunjëzoi ekonominë dhe rrënoi sistemin shëndetësor.

“Shqipëria është sot vendi që jep ndihmën ekonomike më të vogël për qytetarët e saj. Pensione nuk rriten, shëndetësia po kolapson, kosto e jetës po rritet, ushqimet dhe ilaçet shtrenjtohen. Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për një qeveri që punon për ta. Shqiptarët nuk kanë nevojë për një qeveri që sheh gjithë kohës interesin personal. Por për një qeveri që përpiqet çdo ditë për interesin kombëtar dhe që prin rrugën drejt Bashkimit Europian. Një qeveri që do të sjellë shpresë për njerëzit”, shkruan Basha.

Që prej gushtit, lideri i opozitës i ka prezantuar shefit të qeverisë një plan me pesë pika, kur parashikonte valën e dytë të pandemisë, ku ndër të tjera kërkonte rritjen e fondeve për shëndetësinë, rritjen e testimeve, apo kompensimin e barnave për ata që prekeshin nga kovid, apo rritjen e bonuseve për mjekët. Sipas Bashës në këtë situatë askush nuk duhet të lihet pas dore.

Një mbyllje tjetër?

Por çfarë do të thotë masë shtrënguese e mëtejshme. Deri më tani universitetet janë mbyllur po ashtu pjesërisht dhe arsimi parauniversitar. Ora policore është vendosur prej më shumë se dy javësh dhe pas orës 22 të mbrëmjes nuk lejohen aktivitetet ose dalja në rrugë. Po ashtu një sërë vendimesh bllokojnë grumbullimet e personave dhe kanë bërë të detyrueshme vendosjen e maskave dhe në rrugë.

Ajo çka mbetur është bllokimi i biznesit dhe shtimi i fashës orare, ose e thënë më qartë një rikarantinim i dytë. Në fakt një gjë e tillë do ishte shkatërruese për vendin ndoshta dhe më shumë se pandemia. Dy muajt e karantinës i shkaktuan vendit një humbje prej më shumë se 1 miliard eurosh.

Por shifrat janë shifra dhe dimri sapo ka nisur.

Specialistët thonë se është shumë e vështirë të parashikosh që tani kurbën e pandemisë për muajin dhjetor i cili në ditën e tij të parë regjistroi mbi 800 raste të prekurish. Ndjekja e personave të kontaktit tashmë thuajse është harruar fare dhe të shumtë janë njerëzit që janë prekur dhe nuk u është bërë tamponi. Po ashtu dhe menaxhimi i pandemisë pavarësisht rrahjes së gjoksit nga ana e qeverisë ka pasur mjaft të meta.

Periudha e verës që u dha si mundësi, nuk u shfrytëzua për të rritur kapacitetet spitalore dhe ato të shërbimit. Në fakt, kjo periudhë do mbahet mend më shumë për shpërthimin e ndërtimeve në kryeqytet, tenderat sekretë, fondet për PPP-të apo prishjen e teatrit./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco