Sherri/ Si u ekzekutua me 15 plumba 'i forti' i Shkodrës

Sherri/ Si u ekzekutua me 15 plumba 'i forti' i Shkodrës

12:06, 30/11/2020
A+ Aa A-

Policia e Shkodrës ka arrestuar një person të dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e shtetasit Ridvan Hyseni (i njohur edhe si Ridvan Ramazani), e ndodhur më 28 nëntor në fshatin Mushan të Njësisë Dajç dhe dy të tjerë për “Moskallëzim krimi”.

Ndërsa janë shpallur në kërkim autorët e dyshuar të vrasjes, që sipas Policisë, janë vëllezërit Duel dhe Hydajet Mehmedaj. Në pranga ka rënë shtetasi Milkjor Gjoka, 25 vjeç, lindur e banues në Njësinë Dajç, i dyshuar nga Policia për veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim. Ky shtetas dyshohet se ka qenë prezent në momentin kur është bërë vrasja duke ndihmuar vëllezërit Mehmedaj në ekzekutimin e 46- vjeçarit Ridvan Hyseni, që mbeti i vrarë në mjetin e tij tip “BMW X5”.

Për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” u bë arrestimi i shtetasve Blerim Mlloja, 49 vjeç, banues në fshatin Mushan, Dajç, Shkodër dhe Marjeta Gramshi, 49 vjeçe, banuese në fshatin Suka-Dajç, Shkodër, të cilët kanë qenë prezentë kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar në organet kompetente për krimin e ndodhur.  Shtetasi Blerim Mlloja është punonjës i karburantit në afërsi të të cilit ndodhi vrasja, ndërsa shtetasja Marjeta Gramshi ka qenë një kalimtare e rastit, por Policia ka dyshime se ka qenë prezente kur ka ndodhur vrasja. Policia thotë se është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve. Sipas Policisë, janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e dy vëllezërve Hydajet Mehmedaj 33, vjeç dhe Duel Mehmedaj, 31 vjeç, banues në fshatin Mushan, të dyshuar si autorë të vrasjes.

Si ndodhi ngjarja

Kjo vrasje ka tronditur Shkodrën më 28 nëntor, në ditën kur festohej 108-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. Ridvan Hyseni, i njohur edhe si Ridvan Ramazani, një nga “të fortët” e Shkodrës, u ekzekutua me mbi 15 plumba në një atentat duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ndodhi në fshatin Mushan të Njësisë Dajç. Ka qenë ora 11:20 e 28 nëntorit kur në afërsi të një pike karburanti në rrugën kryesore të fshatit Mushan është vrarë me armë zjarri brenda në mjetin e tij tip BMW X5, ngjyrë e bardhë, shtetasi Ridvan Hyseni, 46 vjeç, banues në fshatin Darragjat të Njësisë Dajç, Bashkia Shkodër. Viktima ka qenë i vetëm në mjetin e tij tip “BMW” kur njëri nga vëllezërit Mehmedaj dyshohet se ka qëlluar me breshëri në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend. Ridvan Hyseni nuk ka mundur që të bëjë asnjë lëvizje në këtë atentat që i mori jetën.

Pistat e vrasjes

Ridvan Hyseni është vrarë pas një debati që ka pasur djali i tij me vëllezërit Mehmedaj. Palët kanë zhvilluar një debat mes njëri-tjetrit në afërsi të një lokali dhe më pas janë larguar. Sipas Policisë, Ridvan Hyseni ka dashur që të sqarohej me vëllezërit Mehmedaj të cilët kanë shkuar në fshatin Mushan ku jetonte viktima. Ky i fundit i ka pritur në makinën e tij tip “BMW X5” dhe kanë kërkuar që të sqarohen, por në debat e sipër situata ka precipituar dhe njëri nga vëllezërit Mehmedaj, Duel Mehmedaj, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri automatik kallashnikov duke lënë të vdekur në vend shtetasin Ridvan Ramazani. Menjëherë forcat e Policisë janë vënë në kërkim të autorëve. Efektivët kanë arritur që në rrugë operative të marrin informacionin e duhur për konfliktin që ka pasur djali i viktimës, duke arritur tek autorët e dyshuar. Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur dyshohet se autorët kanë lëvizur me motor në drejtim të paditur duke arritur që të fshihen në kohë. Megjithatë një numër i madh efektivësh janë vënë në lëvizje në kërkim të autorëve të dyshuar të kësaj vrasjeje, duke kontrolluar të gjithë zonën por edhe kudo tjetër ku mendohet se mund të kenë lëvizur vëllezërit Mehmedaj.

Viktima

Viktima Ridvan Hyseni, që u qëllua me breshëri plumbash, rezulton të jetë një person me precedentë penalë të mëparshëm. 46-vjeçari që mbeti i vrarë është dënuar nga Gjykata e Shkodrës me 120 orë punë të detyrueshme për interes publik për veprën penale “Falsifikim të dokumenteve”. Ridvan Hyseni është pjesë e një prej familjeve më të forta në Shkodër, ndërsa ka qenë ai që ka drejtuar këtë familje.

Kontrollet

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë rrethuar gjithë zonën dhe nisën hetimet paraprake për këtë ngjarje të rëndë. Efektivëve në ndihmë u kanë ardhur edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forcat RENEA nga Tirana duke kontrolluar gjithë zonën dhe duke bërë aktet e ekspertimit. Trupi i pajetë ka qëndruar brenda makinës në të cilën u qëllua përreth dy dorë derisa Policia ka kryer veprimet hetimore në vendngjarje./Panorama

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco