Lajmi i fundit

LIVE/ Kreu i PD, Sali Berisha takim me drejtuesit e Departamenteve

Qeveria nuk ua jep 6 mijë policëve mbi 500 orë pune jashtë orari

Qeveria nuk ua jep 6 mijë policëve mbi 500 orë pune jashtë orari

10:14, 30/11/2020
A+ Aa A-

Policia e shtetit përballet me pandeminë pa asnjë përkrahje nga shteti. Prej 9 muajsh afro 6 mijë policë, në kundërshtim me kodin e punës dhe ligjin e Policisë punojnë 64 orë shtesë në muaj pa pagesë. 700 policë të infektuar në detyrë, 12 prej tyre kanë humbur jetën. Kreu i sindikatës Sadedin Fishta: Shteti i ka miliona lekë borxh policisë.

Banush Ferhati, 57 vjeç, ndërroi jetë mëngjesin e 29 nëntorit në Spitalin “Shefqet Ndroqi” i infektuar nga COVID-19. Ai la pas tre fëmijë jetimë. Ferhati ia kishte kushtuar jetën uniformës blu duke numëruar plot 23 vite shërbim në radhën e forcave të policisë në qytetin e Elbasanit.

Vdekja e tij e çoi në 12-të numrin e policëve që kanë humbur jetë që nga nisja e pandemisë, ndërsa numërohen rreth 700 të infektuar në radhët e policisë. Për familjen e Ferhatit humbja është e madhe jo vetëm se humbën babanë dhe bashkëshortin, por humbën dhe të ardhurat për jetesën. Shteti shqiptar nuk njeh asnjë dëmshpërblim financiar për policët që po përballen me pandeminë, as për ata që fatkeqësisht po humbin jetën në këtë betejë. Ata nuk klasifikohen si të rënë në krye të detyrës dhe pse gjasat janë të mëdha që të jenë infektuar pikërisht në krye të detyrës, pasi janë çdo ditë në kontakt me qytetarët.

Prej 9 muajsh përveç detyrave të mëparshme, efektivët e policisë së shtetit duhet të zbatojnë dhe detyrat që rrjedhin nga aktet normative të qeverisë për mbajtjen e maskës me detyrim në publik apo ndalimin e tubimeve me më shumë se 10 veta etj. Prej 9 muajsh afro 6 mijë policë po punojnë në kushtet e pandemisë që ka mbërthyer vendin me zgjatje të orarit të punës së papaguar dhe në kushte të vështira.

Uniforma blu është një pasqyrë ku shteti sheh veten ose siç do të shprehej ministri Lleshaj: “Do të më shikoni mua në fytyrën e çdo polici”.

Por, sa e sheh veten sot shteti te polici që detyrohet të qëndrojë 12 orë në ditë në punë dhe në fund të muajit të çojë në shtëpi pagën modeste që merrte kur punonte 8 orë në ditë?! A po e sheh shteti policin vetëm si makineri pune dhe jo si qenie me dinjitet?! Kreu i Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta, thotë se polici sot po nëpërkëmbet si asnjëherë më parë. Po abuzohet me të dhe nuk po merr atë që i takon me ligj. Ndërsa ne flasim për dinjitet të uniformës blu këto ditë na ka dhembur në zemër me imazhet e policive me këpucë të reja dhuratë ndërsa dorëzonin këpucët e vjetra të grisura me të cilat kishin kaluar kushedi sa dimra në detyrë.

Shteti në borxh me policinë
Në një bisedë me Gazetën MAPO, kreu i sindikatës së policisë ngre alarmin se po abuzohet me efektivët e policisë duke i lënë 12 orë në ditë në punë pa pagesë dhe pa një vakt ushqimor. “Kjo është dhunë e pastër”, -thotë Fishta duke përcjellë kësisoj zërin e dhjetëra efektivëve që janë ankuar në sindikatë.

“Drejtori i Përgjithshëm i policisë ka nxjerrë urdhër që të gjithë policët e terrenit të punojnë 12 orë në ditë, një urdhër që është në kundërshtim me Kodin e Punës dhe ligjin e Policisë. Nga 40 orë ose maksimumi 50 orë në javë që lejohet, ata punojnë 60 orë në javë. Në muaj kanë 80 orë pune suplementare, nga të cilat vetëm 16 orë u paguhen edhe këto janë pagesa për orët e natës. Pra, 64 orë pune në muaj nuk paguhen për policët, të cilët në këto kohë të vështira po detyrohen të sakrifikojnë dhe shëndetin e tyre. Ata nuk marrin as një suplement ushqimor që ua njeh ligji, bëhet fjalë për një vakt ushqimor gjatë këtyre 12 orëve të punës.

Ky vakt llogaritet në një shumë prej 350 lekësh të rinj, por dhe pse ka një vendim qeverie nga viti 2017 për këtë, efektivët e policisë në terren nuk e marrin. Pra, një polic qëndron 12 orë në punë në ditë dhe pa ushqim dhe i rrezikuar çdo moment që të infektohet nga koronavirusi”, apelon Fishta.

Ai akuzon drejtpërdrejt drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, dhe ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, për shpërdorim detyre dhe abuzim me policët duke i lënë të vetëm në frontin e përballjes me pandeminë. Për të ilustruar këtë Fishta sjell si krahasim Kosovën, ku që prej nisjes së pandemisë policët janë shpërblyer çdo 3 muaj me nga 300 euro.

Sipas tij, pas punonjësve të shëndetësisë që janë në vijën e parë të frontit, vijnë policët, të cilët janë çdo ditë në kontakt me qytetarët dhe vënë jetën në rrezik. Po, dora e shtetit për policin e thjeshtë nuk ndihet as atëherë kur ai ka nevojë për më shumë për të, kur përballen me sëmundjen.

“Asnjë ndihmë financiare nuk u është dhënë qindra efektivëve që janë infektuar me COVID dhe ju e dini sa shumë kushton mjekimi, ilaçet dhe diagnostikimi i sëmundjes”, – thotë Fishta.

Po ashtu, ai beson se ata efektivë që kanë humbur jetën nga kjo sëmundje duhet të konsiderohen si të rënë në detyrë dhe të mbështeten familjet e tyre. Por, ky nuk është borxhi i vetëm që shteti iu ka uniformave blu, thekson Fishta.

“Forcat speciale nuk kanë marrë dietat që u takojnë për shërbimet jashtë qyteteve të tyre. Këto dieta llogaritet të shkojnë deri në 3-4 milionë të vjetra për një efektiv policie dhe deri në 2 miliardë lekë në total. Janë para që këta punonjës të policisë i kanë marrë borxh, janë para që u mungojnë sot në familjet e tyre për ushqim, ujë dhe drita”.

Borxhi tjetër i pallogaritshëm është ai që rrjedh nga moszbatimi i ligjit për gradat në policinë e shtetit. “Ligji për gradat nuk zbatohet për afro 6 mijë policë duke u mohuar atyre kështu rritjen në pagë sipas vjetërsisë së punës. Dhe ky është një borxh i akumuluar nga janari i vitit 2018”– thotë Fishta.

Nëse s’ka zgjidhje, do të ketë protesta
Sindikata e Policisë, e krijuar që në vitin 2007, ka luftuar shpesh për të drejtat e policëve duke ndjekur gjyqet e tyre kur janë hequr padrejtësisht nga puna dhe probleme të tjera, por këtë herë situata ka vajtur aty ku nuk mban më.

Nëse nuk do të jepet zgjidhje për borxhin financiar që shteti u detyrohet policëve atëherë ata do të dalin në protesta si një reagim final. “Ne po punojmë me Avokatin e Popullit dhe Komisionerin për Diskriminimin që t’i zgjidhim këto probleme. Do të ndjekim të gjitha rrugët administrative e ligjore”, – thotë kreu i sindikatës, por ai shton se “po mendojmë dhe mundësinë e tubimeve nëse ankesat tona do të bien në vesh të shurdhër”.

64- vjeçari, Sadedin Fishta, që ka shërbyer për 43 vite në policinë e shtetit, beson se kurrë më parë nuk ka qenë kaq keq situata e policit të thjeshtë.

“Polici po shihet vetëm si makineri pune, jo si qenie sociale që ka familje dhe po përballet me një rrezik për jetën çdo ditë të punës së tij duke i shërbyer shtetit e qytetarëve”, përfundon Fishta.

Sipas tij, shteti nga ana e tij nuk zbaton as ligjet në fuqi. Prej vitit 2014, kur është miratuar ligji për policinë, nuk janë nxjerrë nga qeveria aktet nënligjore që kanë faturën financiare të këtij ligji, janë këto akte që marrin përsipër sigurimin e jetës së policit, dhënia e shtëpisë falas për ata që bien në detyrë, ndihmë për policët e pastrehë, pension shërbimi për ata mbi 55 vjeç etj.

Janë pikërisht të gjitha këto veprime që duke mos i bërë shteti fshihet pas përgjegjësisë për të trajtuar me dinjitetin që i takon efektivin e policisë së shtetit.

Problemet e pazgjidhura të policisë:
• Punë jashtë orarit zyrtar e papaguar
• Mungesa e trajtimit me një vakt ushqimor sipas ligjit
• Moszbatimi i ligjit për gradat e oficerëve që ndikon direkt te paga
• Borxhi i dietave për forcat speciale prej janarit, afro 2 miliardë lekë
• Asnjë ndihmë për ilaçet për 700 efektivë të infektuar nga COVID-19
• Asnjë mbështetje për familjet e 12 policëve që humbën jetën nga COVID-19./Mapo/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco