Vrasja si skenar filmash, dënohen vrasësit sicilianë të shqiptarit të murosur

Vrasja si skenar filmash, dënohen vrasësit sicilianë të shqiptarit të murosur

13:26, 27/11/2020
A+ Aa A-

Tre dënime nga 30 në 14 vjet burg janë dhënë nga gjykata e Monzas për vrasjen mafioze të shqiptarit Astrit Lamaj.

Ai u zhduk papritmas në janar 2013, në moshën 42 vjeç, për t’u gjetur më 15 janar 2019 i murosur brenda një pusi antik artezian, gjatë punimeve të rikonstruksionit të një rezidence të quajtur ‘Villa degli Occhi’.

Gjyqtarja e çështjes dënoi me 30 vjet burg, për vrasje të vullnetshme me paramendim, Carmela Sciacchitano, 64 vjeç, siciliane rezidente në Genova, shpallur fajtore si porositëse për vrasjen e Lamajt.

Viktima kishte ndërprerë lidhjen sentimentale që zgjati një vit me gruan dhe u largua duke marrë nga shtëpia e saj stoli me vlerë 100 mijë euro. Carmelina, siç e thërrasin miqtë, kërkoi leje nga kapot mafiozë të Riesit, fshati i lindjes në provincën Caltanissetta në Sicili, për të rekrutuar vrasësit me pagesë sicilianë për ekzekutimin e shqiptarit.

Me 24 e 14 vjet burg u dënuan, për vrasje pa paramendim dhe mbajtje kokaine me qëllim shitjen, vëllezërit Angelo dhe Carmelo Arlotta, bashkëfshatarë të Sciacchitanos, të transferuar në Muggiò, Monza.

Carmelo Arlotta, nga burgu, vendosi të bashkëpunonte me drejtësinë, duke treguar se shqiptari u thirr në Muggiò me justifikimin e shitblerjes së marijuanës, u trullos me një goditje e më pas u mbyt me një fill najloni. Për të, prokurori i çështjes kërkoi 12 vjet burg, dënim të përjetshëm për Angelo Arlotta, dhe 30 vjet për Carmela Sciacchitano. Gjyqtarja pranoi pretencën e prokurorit vetëm për gruan, duke i dhënë 30 vjet burg, dhe 24 e 14 përkatësisht për Angelo e Carmelo Arlotta.

Në proces ishin si palë civile familjarët e viktimës, të cilët morën nga 15 në 70 mijë euro secili në formë dëmshpërblimi. Për këtë çështje janë ende nën procedim në Gjykatën e Krimeve të Rënda kushëriri i Arlottave, Francesco Serio, 45 vjeç, rezident në Muggiò, i akuzuar për vrasje të qëllimshme të paramenduar (por faktikisht i shfajësuar nga i penduari Carmelo), fshehje kufome, drogë, armë dhe vjedhje makinash; dhe Cosimo Mazzola, 54 vjeç, nga Cabiate, i akuzuar për fshehje kufome dhe drogë. Carmelo Arlotta ka deklaruar që ai, vëllai dhe Serio u thirrën nga kapoja i Riesit në Brianza pa e ditur për ç’arsye, por vetëm i penduari mori pjesë në vrasje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco