Rekord vdekjesh nga virusi/ VOA 'kap' paradoksin e qeverisë me OBSH-në

Rekord vdekjesh nga virusi/ VOA 'kap' paradoksin e qeverisë me OBSH-në

19:36, 24/11/2020
A+ Aa A-

Në Shqipëri, në 24 orët e fundit u regjistrua një rekord i ri i viktimave nga koronavirusi, me 19 vdekje. Të dhënat e ministrisë së Shëndetësisë bën të ditur të martën pasdite se bëhet fjalë për 7 qytetarë nga Tirana, 2 qytetare nga Elbasani, 2 qytetarë nga Saranda, 1 qytetar nga Librazhdi, 1 qytetar nga Korca, 1 qytetare nga Pogradeci, 1 qytetare nga Vlora, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Kruja, 1 qytetar nga Berati, 1 qytetar nga Shijaku, të moshave 59 vjeç deri në 85 vjeç.

Sipas të dhënave zyrtare totali i vdekjeve deri më tani është në nivelin e 735 personave. Ditët e fundit për këtë çështje është hapur një debat i gjerë, i nxitur nga shifrat që publikoi javën e shkuar kryetari i opozitës Lulzim Basha, sipas të cilit, në spitalet COVID deri në fund të muajit tetor kishin humbur jetën të paktën 414 persona më shumë sa sa ato që ishin raportuar zyrtarisht. Sipas autoriteteve “pasja e infeksionit COVID nuk do të thotë patjetër që vdekja ka ardhur nga sëmundja COVID”, deklaroi një ditë më parë, në emisionin "Opinion", zëvendës ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, e cila kryeson dhe Komitetin Teknik të Ekspertëve.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë “COVID 19 duhet të shënohet në certifikatën e shkaqeve të vdekjes, për të gjitha rastet në të cilat sëmundja (COVID 19) ka shkaktuar, ose mendohet të ketë shkaktuar ose kontribuar në humbjen e jetës”.

Autoritetet shqiptare kanë përdorur gjithnjë OBSH-në si organizatën, në bazë të rekomandimeve dhe udhëzimeve të së cilës ato kanë hartuar strategjitë dhe kanë marrë vendimet për përballimin e situatës së pandemisë. Por për këtë rast zonja Rakacolli tha se “fakti që ka përcaktime të OBSH, do të thotë që ka debate”.

Numri i vdekjeve ditët e fundit ka ardhur duke u rritur ndjeshëm. Paralelisht dhe shtrimet në spitale janë shtuar gjithashtu. Sipas të dhënave zyrtare, deri pasditen e së martës, “në 3 spitalet COVID, po trajtohen 455 pacientë, 21 në terapi intensive, 7 pacientë janë të intubuar”.

Rastet e reja të konfirmuara mbetën po ashtu të larta, me 744 qytetarë të infektuar. Sipas ministrisë së Shëndetësisë, “rastet pozitive janë identifikuar në këto bashki: 307 raste në Tiranë, 85 në Fier, 44 në Lushnje, 39 në Kavajë, 34 në Elbasan, 33 në Shkodër, 32 në Durrës, 29 në Vlorë, nga 24 raste në Korçë, Gjirokastër, 19 në Përmet, 14 në Lezhë, 11 në Berat, 8 në Malësi e Madhe, nga 7 raste në Kuçovë, Skrapar, nga 6 raste në Mat, Tepelenë, nga 5 raste në Mallakastër, Pogradec, 4 në Kolonjë, 1 në Devoll”./VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco