Vrasja e dyfishtë/ Kreshnik Tusha merret i pandehur. Ja akuzat…

Vrasja e dyfishtë/ Kreshnik Tusha merret i pandehur. Ja akuzat…

11:53, 23/11/2020
A+ Aa A-

Kreshnik Tusha, personi i parë i arrestuar si i dyshuar në vrasjen e Bujar Likës dhe biznesmenit Paulin Gjergji (Markaj) në maj të këtij viti në një lokal në Kurbin, është marrë i pandehur dhe dosja penale kundër tij i ka kaluar për gjykim Gjykatës.

Prokuroria e Kurbinit ka mbyllur hetimet dhe akuzat e ngritura ndaj 21-vjeçarit janë “Mbajtja pa leje të armëve të zjarrit” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Mbrëmjen e datës 30 maj, kohë kur ndodhi masakra brenda lokalit në autostradën Milot-Mamurras, Kreshnik Tusha u paraqit në urgjencën e Laçit i plagosur me armë zjarri në këmbë.

Një ditë më vonë ai u prangos nga Policia si i përfshirë në ekzekutimin e Paulin Gjergjit e Bujar Likës, ndërsa dëshmitë e tij kanë qenë kontradiktore. Ai ka deklaruar se i kishin bërë atentat, duke e qëlluar me pistoletë teksa po hynte në banesën e tij, por blutë kanë gjetur 4 gëzhoja automatiku në rrugicën e shtëpisë së tij. Pas zbardhjes së ngjarjes së 30 majit dhe arrestimit të autorit kryesor, Eduart Lamajt, 21-vjeçari Kreshnik Tusha u la i lirë nga Gjykata e Kurbinit, pasi kishte mungesë provash që e implikonin në këtë ngjare. Por, një muaj më pas Tusha u arrestua sërish, pasi Gjykata e Apelit Tiranë vendosi ricaktimin e masës së “Arrest në burg” për Tushën, pasi pozicioni i tij në masakrën me dy të vrarë ka qenë shumë i dyshimtë.

21-vjeçarit i kanë dalë elementë kimikë baruti në duar, duke sjellë dhe ngritjen e dyshimeve se Tusha në 30 maj ka përdorur një armë zjarri. Një ndër faktorët kryesorë që kthyen Tushën në burg, sipas vendimit të Gjykatës, ishte dëshmia e tij kontradiktore për ngjarjen e ndodhur në datën 30 maj 2020, por ai ka mohuar në vazhdimësi që të jetë pjesë e grupit që ekzekutuan dy personat. Tashmë mbeten për t’u parë provat që do të paraqesë Prokuroria për të provuar akuzat e ngritura ndaj të riut dhe vendimin që do të marrë Gjykata e Kurbinit.

Ndërkohë, hetimet për vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit, vijojnë, ku për këtë çështje janë identifikuar dhe arrestuar, Eduard Lamaj e Ilir Xhepaj. Në kërkim vijojnë të jenë Elson (Oltion) Alija (Vlashi) si dhe Klaudio Perkola. Identifikimi i autorëve erdhi pasi Eduart Lamaj u paraqit për t’u mjekuar disa ditë pas ngjarjes në një spital privat në Tiranë, pasi mbeti i plagosur nga shkëmbimi i zjarrit në momentin kur ndodhi ngjarja./panorama/

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco