Austria heton 21 bashkëpunëtorë të mundshëm të terroristit të Vjenës

Austria heton 21 bashkëpunëtorë të mundshëm të terroristit të Vjenës

13:25, 13/11/2020
A+ Aa A-

Vjenë  - Austria po heton 21 persona si bashkëpunëtorë të mundshëm të xhihadistit i cili kreu një sulm vdekjeprurës në Vjenë javën e kaluar, por shumë hollësi mbeten të panjohura, përfshirë mënyrën se si ai arriti në zonën e sulmit, thanë zyrtarët të premten.

20-vjeçari i lindur në Vjenë, i armatosur me një pushkë, pistoletë dhe hanxhar vrau katër persona në një pjesë të qendrës së qytetit me shumë lokale dhe ku ndodhej edhe sinagoga kryesore e Vjenës, e cila ishte e mbyllur në atë kohë. Ai u qëllua për vdekje nga policia.

"Askush tjetër nuk u përfshi menjëherë në kryerjen e këtij krimi në 2 nëntor. Ajo që ende nuk mund të themi përfundimisht është se në çfarë mase bashkëpunëtorët i dhanë mbështetje përpara sulmit," tha zyrtari i policisë që drejtoi hetimin, Michael Lohnegger, në një konferencë për shtyp.

Zëdhënësja e Zyrës së Prokurorëve të Vjenës, Nina Bussek tha se numri i personave të paraburgosur për sulmin ishte i pandryshuar,  10 dhe 21 persona në total ishin nën hetim, të moshës 16-28 vjeç. Ende nuk dihen bashkëpunëtorët e tjerë që po kërkohen.

Austria ka pranuar një dështim të punës së shërbimti sekret para sulmit, pasi ka keqpërdorur informacionin se sulmuesi u përpoq të blinte municion në Sllovaki në korrik dhe se ishte takuar me islamikë të huaj të njohur atë muaj - dy nga Gjermania që ishin nën mbikëqyrje dhe dy nga Zvicra që kishin qenë të arrestuar.

Mbetet e paqartë se si sulmuesi që mbante armë, municion dhe një rrip eksplozivësh arriti deri në qendër të qytetit më shumë se 10 ditë më parë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco