VIDEO e atentatit/ I dënuari për vrasje qëllohet me snajper në mes të Vlorës

VIDEO e atentatit/ I dënuari për vrasje qëllohet me snajper në mes të Vlorës

11:29, 27/10/2020
A+ Aa A-

Klan Plus ka publikuar për herë të parë pamjet ekskluzive të atentatit me armë në Vlorë ndaj ish-mësuesit të fiskulturës Eljus Thartori. Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë të shtëpisë së 37-vjeçarit.

Atentati ka ndodhur rreth orës 19:23 më 30 Gusht 2019, por ora dhe data në pamjet filmike është e pasaktë. Sikurse duket në video, Eljus Thartori qëndron i ulur në një tavolinë në ballkonin e shtëpisë së tij. Disa çaste më vonë, në ballkon del edhe bashkëshortja, e cila po mban në krah foshnjen 7-muajshe.

5 sekonda pasi ajo ulet në karrigen përballë bashkëshortit, shkrepet arma. Nga rruga përballë shtëpisë së tyre qëllohet Eljus Thartori.

Plumbi kalon tejpërtej xhamit mbrojtës të ballkonit dhe godet në kraharor ish-mësuesin e fiskulturës. Eljus Thartori dhe bashkëshortja e tij ngrihen menjëherë në këmbë. 37-vjeçari largohet prej andej dhe humbet nga rrezja e kamerës së sigurisë. Ndërsa gruaja e tij futet në banesë dhe del sërish. E trembur dhe e shtangur nga çka ndodhi, bën ecejake nëpër ballkon duke mbajtur foshnjen në duar. Ndoshta nuk e kishte kuptuar ende se çfarë kishte ndodhur.

Pak sekonda më vonë, në kamerat e sigurisë shfaqet sërish Eljus Thartori. Ai kishte zbritur shkallët dhe kishte dalë në oborr. I gjakosur nga plumbi dhe copat e xhamit, 37-vjeçari kishte hequr kanatjeren dhe mbante të shtrënguar plagën për të ndalur gjakderdhjen.

Edhe pse ishte qëlluar me armë, ai vazhdonte të qëndronte në këmbë. Madje, i kërkon gruas që ti hedhë nga ballkoni pultin për të hapur derën e oborrit. Ai del jashtë për të parë se kush e kishte qëlluar, por tepër vonë.

Atentatorët ishin larguar menjëherë. Nëse do të rishikojmë videon nga fillimi, do të vëmë re një makinë të dyshimtë. Është një fuoristradë ngjyrë e zezë tip Mercedes-Benz që qëndron e ndaluar në anë të rrugës përpara shtëpisë së Eljus Thartorit. Mjeti ishte me xhama të zinj, çka u mundësonte autorëve që të mos dukeshin nga jashtë. Në objektiv të tyre ishte ish-mësuesi i fiskulturës. Ata kishin pamje ballore të 37-vjeçarit. Mënyra se si atentatorët zgjodhën të vepronin, ishte agresive.

Sapo zonja ulet në karrige, pas 5 sekondash qëllohet Eljus Thartori. Ka qenë një person në sediljen e pasme të makinës që shënjestroi dhe hapi zjarri ndaj ish-mësuesit të fiskulturës. Eljus Thartori u qëllua nga një distancë 60 deri në 70 metra në vijë ajrore. Në vendngjarje policia nuk gjeti asnjë gëzhojë, për shkak se autorët kishin qëlluar nga brenda mjetit. Makina e atentatorëve u gjet e djegur në Pyllin e Sodës 10 minuta më vonë.

Këto janë disa pamje të tjera të siguruara nga emisioni Uniko. Në këto kamera sigurie duken disa persona të dyshimtë pranë shtëpisë së Eljus Thartorit. Mendohet se ata ruanin 37-vjeçarin dhe po vëzhgonin lëvizjet e tij. Këto pamje janë regjistruar dy ditë përpara se Eljus Thartori të qëllohej me armë.

37-vjeçari mundi t’i shpëtonte paq atentatit. Pasi u plagos, ai shkoi në Spitalin e Vlorës me një makinë të rastit. Më pas u dërgua në një spital privat në Tiranë ku qëndroi 5 ditë. Për të marrë mjekim më të specializuar, u transportua drejt Italisë. Në shtetin fqinj qëndroi gati 10 ditë dhe më pas u rikthye në Vlorë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco