Lul Berisha rimerr BMW-në e blinduar/ Si u shfry aksioni i OFL-së

Lul Berisha rimerr BMW-në e blinduar/ Si u shfry aksioni i OFL-së

08:31, 24/10/2020
A+ Aa A-

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kthyer makinën e blinduar Lulzim Berishës, ish-kreut të bandës së Durrësit. Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata, makina i është kthyer Berishës, pasi pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se ishte e pajisur me dokumente të rregullta.

Këtë fakt e ka deklaruar edhe avokati mbrojtës i shtetasit Lulzim Berisha, Detar Hysi. Mjeti i blinduar ishte sekuestruar në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit.

Sipas avokatit të Lulzim Berishës, pasuria e klientit të tij gjatë shqyrtimit gjyqësor ka rezultuar se është e ligjshme. Më herët, gjatë aksionit të OFL-së në “sitë” kaluan 21 prona të Lulzim Berishës, 4 prej të cilave të sekuestruara në procese të tjera gjyqësore.

Nga lista e pronave që OFL-ja ka zbuluar se pas tyre mund të kenë Lulzim Berishën, edhe pse të regjistruara zyrtarisht janë në emra të personave të tjerë. Dy janë pallate në zonën mjaft të preferuar bregdetare të Qerretit në Durrës, konsideruar “parajsa bregdetare e të pasurve”, sipërfaqe të mëdha tokash, trualli, arash e ullishtash, disa në emër të Lulzim Berishës, një pjesë e konsiderueshme në emër të motrës së tij Luljeta Berisha, por edhe të afërmve të tjerë.

Mes tyre ishte edhe automjeti tip “BMW” i blinduar, i vit prodhimit 2010, një biznes bar kafe dhe 40% të aksioneve në një kompani për tregtimin brenda dhe jashtë vendit të hidrokarbureve, për të cilat gjithashtu kërkohet sekuestro.

KUSH ËSHTË LULZIM BERISHA

Në muajin dhjetor të vitit 2016, Gjykata e Durrësit vendosi të lirojë nga burgu ishkreun e bandës famëkeqe, Lulzim Berisha.

Ky vendim është marrë atë kohë, pasi Gjykata e Lartë kishte rrëzuar një kërkesë të Prokurorisë, për ta dënuar Lulzim Berishën me burgim të përjetshëm.

Me vendim të Gjykatës së Apelit ai ishte dënuar me 25 vjet burg dhe i kishin mbetur edhe 5 vjet për të shlyer. Ish-kreu i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha iu drejtua Gjykatës me kërkesën e lirimit nga burgu, me pretendimin se ishte sëmurë rëndë.

Kujtojmë që Lulzim Berisha u arrestua në prill të vitit 2006. Berisha ishte dënuar me 25 vite burgim me vendim të formës së prerë. Në vitin 2014, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë rrëzoi dënimin me burg përjetë dhënë ndaj Lulzim Berishës, duke lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg.

Në argumentet e saj, Gjykata e Lartë teksa hoqi dënimin me burg përjetë sqaroi se aktiviteti kriminal i Bandës së Durrësit ishte kryer në vitet 1998-2000 dhe dënimet duhet të bazoheshin në Kodin Penal të asaj periudhe që kishte dënime më të ulëta, po kështu gjatë asaj kohe nuk njihej ende ligji “Krijimi i organizatës kriminale”. 16 anëtarët e ish-bandës së Durrësit u dënuan në total me 245 vite burgim nga gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, vendim i lënë në fuqi dhe nga Apeli, ndërsa pas rekursit në Gjykatën e Lartë i vetmi që nuk mundi t’i shpëtojë burgimit për jetë ishte Indrit Dokle.

Por, edhe pse mori këtë vendim, Dokle ia doli të lirohet me kusht disa muaj më parë nga Gjykata e Krujës. Dënimi me burg përjetë iu hoq dhe Plarent Dervishajt, i cili nga 5 dhjetori 2016 ndodhet në liri. Kjo bandë, sipas dënimeve të gjykatës përbëhej nga 16 persona, ndërsa ndër provat e prokurorisë që çuan në dënimin e tyre ishte dëshmia e Adriatik Colit, i cili u pendua dhe mori statusin e bashkëpunëtorit./Panorama

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

adiola dushi24/10/2020 13:07

Turp per qeverine qe kemi turp per gjykatesit qe kemi turp per prokuroret qe kemi turp per te gjithe pushtetarkriminelet qe kemi

almeda dushi24/10/2020 11:42

Ikni rini nga ky vend qe eshte mbushur me pjera politikan

Shto koment

Denonco