‘Fjeta dy ditë në makinë’/ Leka pranon vrasjen e biznesmenit

‘Fjeta dy ditë në makinë’/ Leka pranon vrasjen e biznesmenit

19:56, 20/10/2020
A+ Aa A-

Gjykata e Vlorës ka dhënë burg pa afat për Kliti Lekën, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Niko Goro në Himarë tre ditë më parë. I ftohtë dhe i veshur me sportive, 53-vjeçari ka pranuar krimin para togave të zeza, duke shpjeguar se kishte dy ditë që flinte në makinë për të vrarë Goron.

“Prej dy ditësh kisha shkuar në Himarë me një automjet të marrë me qira në Tiranë. Gjatë këtyre dy ditëve kam fjetur në makinë. Pasi kam parë Nikollaq Goron, e kam ndjekur nga pas dhe në momentin që ka zbritur nga makina dhe është drejtuar te marketi i motrës, kam zbritur dhe e kam qëlluar disa herë me armë zjarri. Më pas jam larguar me makinë dhe jam futur në zonën e Livadhit, ku kam hedhur çelësat në det dhe jam larguar drejt vendit të njohur si “Prozhektori”, vend ku më pas më ka kapur policia”.

Ndërkohë, në lidhje me motivin e krimit, Leka ka deklaruar se motiv sherri është bërë kontrata me Goron për pallatin që po ndërton.

“Motivi i ngjarjes lidhet me një konflikt të mëparshëm për një sipërfaqe toke 2650 metra katrorë të ndodhur në Himarë, të cilët ia kam dhënë me kontratë noteriale Goros për të ndërtuar një pallat dhe në këmbim do të merrja sipërfaqe ndërtimore sipas përqindjes së rëndë dakord. Nikollaq Goro nuk e ka respektuar marrëveshjen e lidhur, duke mos më dhënë pjesën që më takon në këtë objekt”.

Këto deklarata, Leka i ka bërë para oficerit të policisë gjyqësore, ndërsa në gjykatë nuk kishte marrë avokat. 53-vjeçari u shpreh në gjykatë se është me profesion radiolog dhe prej vitit 90 ka qenë në emigracion dhe është i padënuar më parë.

Biznesmeni Niko Goro u qëllua me breshëri nga Leka pranë marketit të motrës së viktimës, ndërkohë që autori u kap rreth një orë më vonë nga policia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco