U vra duke mbrojtur një fëmijë me nënën, Bari ngre pllakë përkujtimore për Florian Mesutin

U vra duke mbrojtur një fëmijë me nënën, Bari ngre pllakë përkujtimore për Florian Mesutin

11:28, 17/10/2020
A+ Aa A-

Një pllakë përkujtimore është vendosur dje më 16 tetor në portin e Barit, kushtuar të riut nga Durrësi Florian Mesuti, i cili u vra më 26 gusht 2014, ndërsa po tentonte të mbronte një nënë dhe djalin e saj nga sulmi i një grupi djemsh në lagjen Liberta.

Në ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Barit morën pjesë Kryetari i Bashkisë së Barit Antonio Decaro, Prefektja e Barit Antonia Bellomo, Presidenti i Autoritetit Portual Ugo Patroni Griffi, Nënkryetari i Bashkisë Durrës Florian Tahiri, Prefekti i Qarkut, Roland Nasto, Konsullja e Përgjithshme e Shqipërisë në Bari Gentiana Mburimi, perfaqësues të institucioneve të qytetit të Barit si dhe qyetarë shqiptarë.

Teksti i pllakës përkujtimore, është hartuar nga kinoregjisori i shquar shqiptar Piro Milkani. Pllaka është në dy gjuhë për të kujtuar lidhjen e thellë midis popullit shqiptar dhe qytetit të Barit në një vend zbarkimi dhe nisje midis dy brigjeve të Adriatikut.

“Nuk gjen dot fjalë për gjestin tënd të dashurisë për jetën, duke mbrojtur të pambrojturit dhe të dobëtit. Ti je tashmë një ambasador i paqes në këtë botë të mbushur me urrejtje, intolerancë dhe absurditet. Bekuar qofshin prindërit që të vunë këtë emër të bukur, Florian! Ti je një Flori i çmuar me gjestin tënd sublim”.

Kryebashkiaku Decaro shpjegoi gjatë ceremonisë se “pllaka përkujtimore u vendos në portin e Barit, pasi këtu Flori ka zbritur për herë të parë në qytet. Këtu, në këtë bankinë, ku kanë zbarkuar ëndrrat dhe këmbët e mijëra të rinjve si Flori, ne duam të lëmë një gjurmë humaniteti. Detit, të njëjtit det që solli Florin në tokën tonë, të njëjtit det që për shekuj ka shënuar fatin e qytetit tonë, ne i besojmë kujtimin e kësaj viktime të re, që humbi jetën prej dorës kriminale”.

Prefekti i Qarkut Durrës Roland Nasto falenderoi përzemerisht autoritetet italiane për ceremoninë e organizuar në nder të qytetarit shqiptar, dhe rikujtoi marrëdheniet e shkëlqyera ndermjet dy vendeve tona e ndjenjen e miqësisë e solidaritetit mes popujve tanë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco