EMRI/ Zbardhet atentati në Shkodër: Shpallet në kërkim 19-vjeçari

EMRI/ Zbardhet atentati në Shkodër: Shpallet në kërkim 19-vjeçari

09:58, 12/10/2020
A+ Aa A-

Policia e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur gjatë ditës së djeshme, ku iu bë atentat me armë kreu të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe Mentor Hasanajt, dhe familjes së tij.

Sipas burimeve nga Policia për ngjarjen është shpallur në kërkim 19-vjeçari Ilirian Hasanaj, pasi ka prova që ai ka qenë personi që ka qenë në motorin ku është qëlluar drejt makinës së Hasanajt.

NJOFTIMI

Zbardhet ngjarja e ndodhur mesditën e djeshme në aksin rrugor Shkodër-Koplik. Identifikohet me prova shkencore e biologjike autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur dje më datë 11.10.2020, ku mbetën të plagosur rëndë shtetasit M. H. dhe Xh. H.

Shpallet në kërkim 19-vjeçari I. H. 

Sekuestrohet motomjeti i përdorur  gjatë kryerjes së krimit dhe prova të tjera materiale.

Strukturat e DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, falë reagimit të shpejtë e profesional, në vijim të hetimeve kanë bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, shtetasit I. H. 19 vjeç, banues në lagjen “Tepe”, Shkodër.

Ky shtetas, më datë 11.10.2020, në orën 12:30, në aksin rrugor Shkodër-Malësi e Madhe, te rrethrrotullimi i “5 Heronjve”, ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur rëndë shtetasit M. H. 39 vjeç banues në Grudë Fushë, Malësi e Madhe, me detyre përgjegjës i Policisë Bashkiake Malësi e Madhe dhe shtetasin Xh. H., 74 vjeç, banues në Grudë Fushë, Malësi e Madhe, të cilët po udhëtonin nga Shkodra drejt Malësisë së Madhe, me automjetin tip “Skoda”, në pronësi të Bashkisë Malësi e Madhe.

Gjithashtu, falë reagimit në kohë, rrethimit të zonës dhe kontrollit të imtësishëm të territorit, shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur Livadhe, kanë gjetur motomjetin pa targa, një skafandër dhe sende të tjera që ishin përdorur nga autori i ngjarjes.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ata të Malësisë së Madhe, vijojnë intensivisht punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të DVP Shkodër po vijojnë punën për zbardhjen e shkakut të kësaj ngjarjeje.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja e më shumë se një personi” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco