‘Tentativë vrasje e plagosje’, i shpallur në kërkim 11 herë, gjykata merr vendimin për ‘Lypenin’ shqiptar

‘Tentativë vrasje e plagosje’, i shpallur në kërkim 11 herë, gjykata merr vendimin për ‘Lypenin’ shqiptar

11:42, 06/10/2020
A+ Aa A-

Gjykata e Tiranës ka vendosur që të lë në “arrest me burg”, 27- vjeçarin, Lajden Kadilli, i cili i kishte shpëtuar drejtësisë në disa raste, edhe pse kishte qenë i shpallur në kërkim policor 11 herë.

Së fundmi, ai u akuzua për “Vrasje me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtje pa leje”. Kadilli më në fund u arrit të arrestohej në Tiranë më 30 shtator, pasi qarkullonte me armë zjarri me fishek në fole gati për qitje. Edhe kësaj here, ai tentoi t’i shmangej pikës së kontrollit, por u kap pas 10 minutash ndjekjeje nga forcat e posaçme “Shigjetat”.

Lajden Kadilli njihet edhe si “Lypeni” shqiptar, që në tri raste ka kundërshtuar Policinë, madje dy herë ka tentuar t’i përplasë me makinë efektivët e Rendit në Tiranë e Durrës. Vitin e kaluar, Kadilli u shpall në kërkim pas një incidenti që pati me dy djemtë e deputetit Spartak Braho në Durrës.

Ai është dënuar vetëm një herë në mungesë për një plagosje, por dënimi i është konvertuar me shërbim prove. Bëhet fjalë për plagosjen e Albi Çelçimës në Golem të Kavajës, ngjarje për të cilën Kadilli është dënuar në muajin qershor të vitit 2019 nga gjykata e Kavajës me 4 vjet burgim, duke iu konvertuar dënimi me 5 vjet liri me kusht. Por gjatë periudhës që ishte në shërbim prove, ai është konfliktuar për parkimin me djalin e deputetit Spartak Braho, Kreshnik Brahon, duke e kanosur këtë të fundit me armë dhe thyer xhamin e makinës me tytën e pistoletës. Ngjarja ka ndodhur në sy të fëmijëve të mitur të Brahos. Për këtë ngjarje Kadilli është shpallur në kërkim.

Ndërkohë një kërkim i dytë është dhënë në 11 shtator 2019 nga Policia e Tiranës. Kujtojmë që në të gjitha rastet që ndodhen në kartotekën kriminale të Policisë së Shtetit ku Kadilli është shpallur në kërkim, ai nuk është arrestuar nga Policia.

Më 18 korrik 2013, Lajden Kadilli është shpallur në kërkim, pasi në këtë datë, rreth orës 20:00, në vendin e quajtur “Ura e Dajlanit” në Durrës, ka tentuar të vrasë me autoveturën me targa AA 272 CB, punonjësin e policisë, Arben Luçi. Pas ngjarjes është larguar për t’u fshehur, pasi Prokuroria dhe Policia e Durrësit ka nisur procedimin penal për akuzën “Vrasje për shkak të cilësive të veçanta e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Më datë 20 gusht 2013 është anuluar kërkimi për të. Më datë 8 janar 2014 shpallet sërish në kërkim pasi Prokuroria e Apelit Durrës dërgon urdhër për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Apelit Durrës, e cila kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për akuzën “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”, “Kundërshtim te punonjësve të policisë së rendit publik”. Ky urdhër është anuluar dy muaj me vonë, më datën 18 mars 2014 dhe kërkimi për Kadillin është shuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco