Ekzekutimi i 2 vëllezërve në Durrës/ Si dështoi atentati, dëshmia e të penduarit

Ekzekutimi i 2 vëllezërve në Durrës/ Si dështoi atentati, dëshmia e të penduarit

16:42, 01/10/2020
A+ Aa A-

SYRI TV ka zbardhur zbardh detajet e një vrasjeje të dyfishtë në Durrës, e cila fal gabimit të atentatorëve ngeli e pa finalizuar.

Vrasja do të kryhej për llogari të trafikantëve shqiptarë në Holandë për prishje pazaresh dhe për këtë ekzekutori do të paguhej 90 mijë euro.

Gabimi me makinën e grabitur për kryerjen e vrasjes, solli edhe dështimin e planit të vrasësve.

Vrasjet e bujshme kanë tronditur vendin në muajt e fundit, duke i kthyer qytetet në arena përplasjesh me armë, por edhe shumë prej tyre kanë dështuar për shkak të gabimeve të atentatorëve.

Pak ditë pas ekzekutimit të vëllezërve Haxhia në Durrës, një tjetër atentat ishte duke u përgatitur për ekzekutimin e dy vëllezërve të tjerë, po në zonën e Shëna Vlashit në Durrës dhe këtë herë, shkak ishte prishja e pazareve të drogës në Holandë.

Organizatorët e vrasjes, tashmë të identifikuar dhe arrestuar nga Policia, kishin arritur të gjenin ekzekutorin armën dhe të gjitha mjetet e krimit, por gabimi në makinën që do të përdornin u kushtoi rëndë.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga SYRI TV, për ekzekutimin e dyfishtë do të paguheshin 90 mijë euro, kjo e zbardhur nga dëshmia e ekzekutorit tashmë të penduar.

Një person i identifikuar me emrin Gazi i ka kërkuar shtetasit me iniciale H. S., të sapoliruarit nga burgu për vrasje, që të merrte përsipër vrasjen e dy vëllezërve nga Shëna Vlashi dhe për këtë do të paguhej 90 mijë euro. Pasi H. S., ka pranuar të marrë përsipër vrasjen ka kërkuar bashkëpunimin e shokut të tij me iniciale K. R., që të grabisnin makinën që do të përdorte në atentat, ku pjesë do të ishte edhe Gazi, porositësi i kësaj vrasjeje për llogari të personave që ishin në Holandë.

Por grabitja nën kërcënimin e armës të makinës ‘Audi Q5’ të një shtetasi maqedonas, e cila gjurmohej me GPS, ishte gabimi i tyre, që më pas u detyruan që ta braktisnin pak kilometra larg vendit ku kërcënuan shtetasin maqedonas.

Pas zbulimit të grabitjes dhe arrestimit të autorëve të grabitjes, policia ka siguruar edhe shkakun e vërtetë të kësaj grabitje, e cila ishte në kuadër të planit për të kryer vrasjen e dyfishtë, kjo e vërtetuar nga dëshmia e personit që mori përsipër të kryente vrasjen.

Gazi më ka thënë që në vrasje do të vinte edhe ai, si dhe me tha që gjej dhe ndonjë të besueshëm. Unë për këtë ngjarje fola dhe me shokun, duke i treguar se çfarë do të bënim dhe ai ra dakord.

Të dielën jam takuar me shokun tek një lokal, në plazh në Durrës rreth orës 18.00, dhe kemi qenë vetëm ne të dy. Kemi biseduar për të vjedhur një makinë e cila do të përdorej për të kryer vrasjen, dhe kemi lëvizur me autobus deri në Plepa dhe më pas kemi lëvizur në këmbë drejt Shkëmbit të Kavajës.

Duke ecur, rreth orës 21:30-23:00 në rrugën dytësore kemi parë një makinë të ndaluar, në gjendje të ndezur, me dyert e hapura dhe në vendin e pasagjerit para ishte vetëm një grua. Kastrioti mbante pistoletën që ja kishim marrë Gazit të cilën ai e mbante në marsupin ngjyrë kafe. Unë kam dalë nga ana e shoferit dhe hipa në të, ndërsa Kastrioti doli nga ana e pasagjerit, dhe hapi derën. Ajo gruaja e trembur ka zbritur nga makina dhe u largua. Menjëherë kam lëvizur me këtë makinë në drejtim të Kavajës në rrugën dytësore dhe gjatë rrugës pamë që makina, e cila ishte Audi, fuoristradë në ngjyrë blu të errët me targa zvicerane nuk e kishte çelësin dhe nuk dinim si të vepronim për ta fikur’, ka thënë i penduari.

Sipas të penduarit, për këtë vrasje do të paguhej 90 mijë euro, dhe porositësi do ti siguronte atij të gjitha mjetet e nevojshme si dhe do të merrte edhe vetë pjesë në ekzekutim pasi ishte në hasmëri me objektivët e atentatit.

‘Unë ata dy djemtë nuk i njihja, Gazi më ka thënë që janë vëllezër, e unë jam në gjendje t’iu tregoj juve dhe banesën. Gazi më propozoi që do të gjente armët, dhe më thotë që gjej makinën, e unë do të jap për vrasjet 90.000 euro.

Gazi më ka thënë që jemi prishur për punë droge në Holandë dhe jemi në hasmëri më njëri-tjetrin. Kam rreth një muaj që takohem me Gazin dhe me ka thënë që do të jap dhe një telefon Skain që nuk përgjohet.

Më pati dhënë një telefon të tillë, por që u bllokua dhe ia kam kthyer dhe më thotë që sa ta rregulloj do ta jap përsëri’, thuhet në dëshminë e të penduarit.

Hetuesit shkuan te dy të arrestuarit pas një sërë dëshmish që nxirrnin emrat e tyre dhe pamjeve filmike, ndërsa hetimet janë në vazhdim. Prokuroria ka ngritur akuzën e sigurimit të mjeteve për vrasje dhe vjedhje me dhunë për K. R., dhe H. S., ndërsa sfida e organit të akuzës është verifikimi i deklarimeve të këtyre personave dhe identifikimi i shtetasit me emrin Gazi, i cili dyshohet se do të kryente vrasjen për llogari të personave të tjerë.

Kjo ngjarje nuk është aq e panjohur për publikun, pasi kur bëri arrestimin e dy të paguarve si ekzekutorë, policia publikoi pamjet e operacionit, por detajet e vetme të dhëna ishin si zbulim i një grabitjeje nën kërcënimin e armës, por pa dhënë ende detaje se pas këtij arrestimi fshihej një krim mafioz për llogari të karteleve të drogës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco