Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Investigimi i 'RAI 3', pse është friksuar Edi Rama?

Gjoba, paaftësi dhe korrupsion/ Si u zvenit plotësisht OFL-ja

Gjoba, paaftësi dhe korrupsion/ Si u zvenit plotësisht OFL-ja

20:39, 30/09/2020
A+ Aa A-

Operacioni Forca e Ligjit ka marrë një goditje finale me rastin e Artan Shkëmbit. Drejtuesi i këtij operacioni është i dyshuar për dekonspirim dhe korrupsion. Opozita ka denoncuar se i gjithë akti normativ kishte për qëllim gjobëvënien dhe përdorimin e kriminelëve në funksion të pushtetit, sidomos në prag të fushatës. Por si u zvenit ky operacion?

Më 31 janar të 2020, akti normativ në mbështetje të Operacionit Forca e Ligjit, do të hynte në fuqi.

Menjëherë akti normativ pati kundërshtime të shumta nga juristët, të cilët thanë se ishte një mbivendosje e ligjit anti-mafia, të cilin Shqipëria e kishte pjesë të legjislacionit të saj tashmë.

Po kush janë subjektet e këtij akti normativ? Të gjithë personat të cilët deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, janë dënuar me vendim penal të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë- me përjashtim të personave për të cilët ka vendim pafajësie- për pjesëmarrje dhe kryerje të krimeve nga organizata kriminale, banda e armatosur dhe grupi i strukturuar kriminal, pjesëmarrje dhe kryerje të krimeve nga organizata terroriste e të krimeve për qëllime terroriste.

Por si nisi operacioni Forca e Ligjit në terren?

Fillimisht punonjësit e policisë, të veshur me jelekun blu, në të cilin ishte shkruar OFL, zbritën në numra të shumtë në terren, së bashku me zëdhënësen bionde, e cila lexonte komunikatën për shtyp para kamerave nga objektet, të cilave u kishin vendosur shiritin.

Por duket se tashmë ashtu siç u venit buja e oficeres bionde, është venitur edhe Operacioni Forca e Ligjit, ose si njihet tashmë nga publiku, OFL.

Në ekranet televizive, pasqyrimi i punës së OFL-së është i njëjtë, punonjësit e policisë me jelekun blu, ndërkohë emrat e personave të cilëve u kërkohet llogari për pasurinë e tyre ndryshojnë.

Por çfarë ka mbetur tetë muaj pas nisjes së Operacionit Forca e Ligjit?!

Teksa më shume se 260 persona të botës së krimit morën formularin e deklarimit të pasurisë, procesi duket se është futur në monotoni. Kërkesave të OFL-së, SPAK i është përgjigjur kryesisht me kërkesa për sekuestrim makinash, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e sekuestrove të vendosura mbi prona të ndryshme në kushte emergjence, i janë kthyer mbrapsht policisë për plotësime dhe si të marra në kundërshtim me vetë aktin normativ.

Por cilat janë pyetjet që iu dërgohen të fortëve të vendit për t’i vendosur me shpatulla pas murit?

Ato janë pyetje standard, konkretisht: Deklarimi i burimeve të ligjshme të pasurisë, deklarimi i shkakut të posedimit dhe të përcaktimit të masës të se drejtës apo interesat e ligjshme që posedon mbi pasuritë objekt shqyrtimi. Sqarimi i mënyrës se fitimit të pasurisë, në veçanti burimit të të ardhurave në raste shit- blerjeje, përcaktimin nëse pasuria ka bashkëpronar ose është në përdorim të të tretëve apo këta përfitojnë nëpërmjet saj në një mënyrë tjetër, të ardhurat e ligjshme vjetore dhe çdo informacion tjetër lidhur me pasurinë.

Pak muaj më parë, në intervistë për Syri Televizion, avokatët që kanë mbrojtur klientët e tyre në procese ndaj Operacionit Forca e Ligjit, shpreheshin se përveç mbivendosjes me Ligjin Anti-mafia, problem mbetej edhe mënyra e ekzekutimit.

Në 13 raste të kërkesave për klientët e tij, një avokat shprehet se në asnjë rast nuk është marrë vendimi për sekuestrimin e pasurive të tyre. Ndërkohë në një rast është bërë pezullimi i hetimit pasuror.

Por gjatë punës së specialistëve të OFL-së nuk kanë munguar as lapsuset, që kanë të bëjnë me akuza e vepra penale për të cilat janë dënuar të konsideruarit si subjekte të aktit normative. Rast i denoncuar në media është ai i Mario Meshinit. Avokati thotë se policia gaboi duke e referuar rastin e Meshinit si të akuzuar për “Vrasje me paramendim”, ndërkohë që ai u dënua për moskallëzim krimi, vepër që nuk e bën subjekt të OFL-së.

Ndërkohë para pak ditësh u regjistrua një tjetër skandal. Një nga katër personat që OFL i dërgoi për të deklaruar pasurinë ishte edhe Shkëlzen Dumani, i akuzuar si i përfshirë në organizata terroriste. Megjithatë, Dumani ka mbetur i vrarë në Siri në vitin 2014 dhe 6 vite më vonë i dërgohet letër për të deklaruar pasurinë.

Për juristin Ulian Bajrami, për të parë rezultatet e aktit normative duhet pritur, megjithëse edhe ai e konsideron atë si një mbivendosje të ligjit të mëparshëm.

E kur aktit normativ i kanë mbetur edhe rreth 3 muaj për të qëndruar në fuqi, ende rezultatet e tij nuk janë të qarta as për vet agjencitë ligjzbatuese./SYRI TV

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Trx01/10/2020 04:39

Po thoni se OFL eshte krijuar si organizate ekzekutive e gjobevenesve ne kupolen e larte te Rilindjes. Po kjo nuk do mend per tu kuptuar. Tek cdo veprim nepermjet VKM, ndryshimeve ligjore dhe kushtetuese, PPP ne nje vend qe ska gjykata as prokurori kuptohet qarte qellimi.

Shto koment

Denonco