Standardet e dyfishta të SPAK/ Shtyhet seanca për Shkëmbin

Standardet e dyfishta të SPAK/ Shtyhet seanca për Shkëmbin

11:29, 30/09/2020
A+ Aa A-

Shtyhet për nesër seanca gjyqësore për ish-zv drejtorin e OFL-së Artan Shkëmbin, i cili u pezullua nga detyra pak ditë më parë pë nxjerrje të sekretit hetimor. Mësohet se avokati mbrojtës i Shkëmbit, Artan Broci ka këkuar më shumë kohë për njohjen e akteve.

Vendimi për pezullimin e Shkëmbit u mor dy ditë më parë nga gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe u pasua nga një urdhër i kryepolicit Ard Veliu.

Megjithatë SPAK-u, një prej strukturave me pritshmërinë më të lartë të Reformës në Drejtësi, nuk po arrin t’i shkëputet qasjes së vjetër të prokurorisë shqiptare: “E fortë me të dobëtit dhe e dobët me të fortët”.

Në fundjavën e kaluar, Prokuroria Speciale (SPAK) njoftoi arrestimin e një pedagogu në Universitetin e Korçës, nën dyshimet për korrupsion (mitmarrje) për provime të studentëve.

Ndaj këtij personi, të dobët dhe pa mbështetje politike apo institucionale, prokurorët e SPAK-ut treguan forcën e ligjit, duke urdhëruar arrestimin e tij.

Një sjellje tërësisht të ndryshme prezantoi SPAK në rastin e hetimeve ndaj një funksionari shumë të lartë policor, Artan Shkëmbit, me mbështetje të fuqishme institucionale.

Në fillim të kësaj jave, SPAK-u njoftoi se, me kërkesë të saj, Shkëmbi, i cili është edhe drejtues i Operacionit “Forca e Ligjit” (OFL), ishte pezulluar nga detyra, nën dyshimet për korrupsion dhe nxjerrje sekreti hetimor.

Në ato pak të dhëna të publikuara nga media, janë ngritur dyshime se Artan Shkëmbi ka marrë para në formë korrupsioni nga grupe kriminale, si edhe ka nxjerrë të dhëna që i kanë ndihmuar eksponentë të krimit.

Kjo, për faktin se pozicioni i tij e ka lejuar që të ketë informacione të klasifikuara, nga ato që konsiderohen “të dorës së parë”.

Për më tepër, veprimet e dyshuara të drejtuesit të OFL-së rëndojnë edhe më shumë të gjithë strukturën speciale policore, e cila edhe pa këtë rast, është vënë nën pikëpyetje për selektivitet në goditjen e personave të përfshirë në krimin e organizuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco