VIDEO/ Ngjarja e paralajmëruar: Pamjet si në Siri në banesën e Lefter Zhidrut

VIDEO/ Ngjarja e paralajmëruar: Pamjet si në Siri në banesën e Lefter Zhidrut

10:48, 26/09/2020
A+ Aa A-

Banesa ku Lefter Zhidru u ekzekutua me një plumb në kokë nga forcat RENEA pas një rezistence prej pesë orësh për t’u dorëzuar, ndodhet në katin e dytë të një pallati në lagjen “11 Nëntori”.

Pamja e krijuar nga shkëmbimi i zjarrit mes 71- vjeçarit dhe RENEA-s ngjasonte me ato të Sirisë. Muret të shkatërruara dhe shenja plumbash kudo. Dera hyrëse e banesës e shpërthyer dhe me dhjetëra shenja plumbash, të cilët e kishin tejshpuar derën, materiali i së cilës ishte dru.

Teksa hyje në banesën, ku prej më shumë se 5 vite jetoi Lefter Zhidru me bashkëshorten dhe vajzën e mitur, binte në sy edhe dera e fqinjëve të tij, e cila kishte marrë goditje të shumta plumbash. Në korridorin e banesës gjithçka ishte e shkatërruar, ndërsa nuk mungonte një hartë e Shqipërisë e varur në mur. Viheshin re çanta të mbushura me fitila zjarrpërcjellës.

Po ashtu, nuk mungonin as kallëpet e tritolit, të cilat i moshuari i mbante në banesë. Por nuk dihet sa kohë i është dashur për ta kthyer në një bazë armësh 71-vjeçarit. Kallashnikovi me të cilin luftoi për disa orë është gjetur nga efektivët e Policisë te këmbët e 71- vjeçarit, pasi u qëllua për vdekje nga RENEA.

Janë gjetur kallëpe me lëndë plasëse të montuara me kapsolla detonatore gati për shpërthim. Shapka ngjyrë blu dhe kallashnikovi ngjitur me trupin e tij të pajetë, ishin pamjet e fundit të burrit që frikësoi qytetin e Elbasanit. Fiks në 18:00, koha për Lefter Zhidrun mbaroi.

NGJARJA E PARALAJMËRUAR

Emri i Lefter Zhidrut nuk ishte denoncuar vetëm në Policinë e Elbasanit. Duke mos u mjaftuar me veprimet procedurale nga Policia e Elbasanit, një nga banorët e pallatit ku banonte viktima i është drejtuar drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit me një e-mail.

Përmbajtja e tij kishte të bënte pikërisht me 71-vjeçarin, që ngriti në këmbë ditën e premte Policinë e Shtetit. Letra mban datën 4 maj, e cila denoncon 71-vjeçarin, ndonëse ajo zbulon edhe një detaj që gjatë kohës së karantinës, Zhidru shqetësonte Policinë duke e marrë herë pas here në celular.

Në letër thuhet se ky shqetësim i është adresuar Policisë së Elbasanit, por përgjigjja e tyre ishte:

“Është budalla”, prandaj fqinji ka zgjedhur që t’i drejtohet drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.

“Jam një pensioniste nga qyteti i Elbasanit. Po ju drejtohem juve, pasi prej 6 vitesh ndihem e rrezikuar dhe e kërcënuar nga një qiraxhi që ka ardhur të banojë në pallatin tonë. Personi në fjalë jo vetëm të ofendon, të fyen, por çka është më e rëndësishme, e mban derën e shtëpisë hapur duke na kërcënuar me levë, të cilën e ka përdorur ndaj banorëve të pallatit. Për këto shqetësime kemi njoftuar gjithmonë Policinë. Ia ka gjetur edhe Policia levën në dorë dhe ndaj personit në fjalë nuk merret asnjë masë. Këta dy muajt e fundit të karantinës zotëria nuk bën gjë, veçse merr Policinë në telefon, e cila merr djemtë e pallatit, i mban 2 orë dhe më pas i nxjerr.

Madje, në prezencë të Policisë na ofendon me fjalë të ndyra dhe prapë Policia merr djemtë e pallatit. Të gjithë banorët e pallatit kanë bërë një peticion, që i është dorëzuar të plotfuqishmit të lagjes dhe prapë nuk ka asnjë përgjigje, kemi folur me pronarin e shtëpisë, por nuk ka pasur asnjë reagim.

E kemi përsëritur këtë peticion dhe e kemi dorëzuar në Polici, bashki dhe te i plotfuqishmi i lagjes. Po ju drejtohem juve për këtë shqetësim, sepse fëmijët ose ai mund të bëjnë vetëgjyqësi.

Dua të më jepni një përgjigje për këtë çështje, sepse prej 6 vitesh nuk po gjejmë një zgjidhje nga Policia e Elbasanit, gjithmonë na thonë ‘ai person është budalla’. Dua të shtoj këtu që familja ime është në proces gjyqësor me këtë person”, shkruhet në letrën që i është drejtuar Ardi Veliut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco