Si u monitorua Emiljano Ramazani para vrasjes dhe raportimet te Erion Alibej

Si u monitorua Emiljano Ramazani para vrasjes dhe raportimet te Erion Alibej

20:30, 22/09/2020
A+ Aa A-

Prokuroria e Elbasanit e konsideron 34-vjeçarin Erion Alibejn porositësin e dy vrasjeve të ndodhura brenda 9 ditësh në këtë qytet. Viktimat ishin dy njerëz të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin Emiljano Ramazani, 39 vjeç dhe Regis Runaj, 23 vjeç.

Shënjestra e parë e atentatit do të ishte ‘koka’, Emiljano Ramazani, i dyti Runaj, njeriu i 39-vjeçarit, të cilët Erion Alibej i akuzonte për përfshirje në ekzekutimin e vëllait të tij, Endritit, në dhjetor 2018.

Në dosjen e prokurorisë, të siguruar nga gazetarja Klodiana Lala dhe të zbardhur nga “BalkanWeb”, thuhet se dy personat e ‘punësuar’ nga Alibej, Euglen Halili dhe Xhuljano Hoxha në këtë vrasje kishin vetëm rolin e vëzhguesit, duke ruajtur për disa ditë deri ditën e ekzekutimit më 20 korrik 2020, Emiljano Ramazanin.

Halili dhe Hoxha e kanë vëzhguar 39-vjeçarin dhe lëvizjet e tij. Të dhënat ata ia kanë dërguar porositësit të vrasjes, shtetasit Erion Alibej. Më 20 korrik Eugleni dhe Xhuljano e kanë ndjekur viktimën dhe kanë dërguar vendndodhjen e tij pranë palestrës në Elbasan.

Këtë veprim ata e kanë kryer rreth orës 14:00-14:30. Rreth orës 16:00 viktima Emiljano ka lëvizur nga palestra për në drejtim të banesës së tij, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Luleve” në Elbasan.

Në momentin që ai ka parkuar automjetin e tij tip “Ford”, një person ka dalë nga një mjeti “Passat” i parkuar pranë vendit të ngjarjes dhe është afruar pranë viktimës duke e qëlluar 6 herë me armë zjarri të llojit pistoletë.

Në kuadër të hetimeve për këtë ngjarje është lidhur marrëveshja e bashkëpunimit mes një shtetasi dhe organit të prokurorisë. Ky shtetas, por edhe personat e tjerë të pyetur gjatë hetimeve, kanë konfirmuar dyshimin se shtetasi Erion Alibej ka qenë në pozicionin e porositësit.

Bazuar në dëshminë e bashkëpunëtorit, policia dhe prokuroria kanë arritur të vënë pas hekurave Erion Alibejn, duke kërkuar dhe masën e sigurisë ‘arrest me burg’, i dyshuar për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim, për motive gjakmarrje parashikuar nga neni 78/2 dhe 25 i K.Penal.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco