'Killerit' Orges Bilbili i refuzohet ndryshimi i masës së sigurisë

'Killerit' Orges Bilbili i refuzohet ndryshimi i masës së sigurisë

10:49, 27/08/2020
A+ Aa A-

Gjykata e Apelit nuk ia ka pranuar Orges Bilbilit, kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë.

Orges Bilbili u arrestua në Tiranë më 10 prill, tek Xhamlliku, në periudhën kur vendi ishte në karantinë. Ai kërcënoi policin që i kërkoi dokumentet, pasi kishte shkelur ndalimqarkullimin, por polici e qëlloi dhe e plagosi personin e shpallur në kërkim për shumë vrasje.

Protagonisti i ngjarjes te “Xhamlliku” në Tiranë, Orges Bilbili, është bërë i njohur për opinionin që në 8 korrik të vitit 2010, kur së bashku me Leart Haxhiun ekzekutuan 29 vjeçarin Gerti Lala, i cili njihej si pjesë e grupit të Aldo Bares. Pas arrestimit në atë kohë, gjatë ditëve të izolimit në burg Bilbili ka mohuar të ketë gisht në vrasje, por policia e Qarkut Fier pohoi se për ngritjen e akuzës ndaj tij kishte ndihmuar e ëma e viktimës Lala, e cila njohu 20-vjeçarin Bilbili si vrasësin e të birit. Por pavarësisht nga kjo, gjykata e liroi për 'mungesë provash'.

Bilbili, së bashku me mikun e tij të ngushtë Laert Haxhiu rezultojnë në skedën e policisë dhe prokurorisë si të përfshirë në shumë vrasje, plagosje, vjedhje, trafik droge, etj. Haxhiu u dënua me 32 vite burg, por arriti që t'i shpëtojë drejtësisë pas apelimit vetëm pas 3 viteve në qeli. Kurse i prangosuri i sotëm, Orges Bilbili, rezulton se është dënuar me 7 vite e 4 muaj burgim për trafikim lëndësh narkotike, por më pas është liruar pas apelimit. Gjithashtu ai rezulton person i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor i pilotit italian, Giorgio Riformato, avioni i të cilit ngeci në bregdetin e Divjakës, teksa po përgatitej për të trafikuar lëndë narkotike nga Shqipëria për në Itali.

Bashkë me Haxhiun, Orges Bilbili është i dyshuar edhe për atentatin, ku u plagosën Xhulio Shkurti (nipi i Aldo Bares) dhe Sajmo Xhelili.

Orges Bilbili njihet nga policia dhe opinioni në qytetin e Lushnjes si `killeri` kryesor i bandës që drejton së bashku me Laert Haxhiun.

Policia ka deklaruar se të gjitha ngjarjet e rënda me protagonistë Haxhiun dhe Bilbilin janë kryer si shenjë hakmarrje ndaj bandës së Aldo Bares, për disa vrasje të kryera shumë vite më parë.

Shënjestër sistematike ka qenë Xhulio Shkurti, nipi i Alfred Shkurtit. Ai është djali i Ramadan Shkurtit, një ndër viktimat e para të përplasjes së përgjakshme mes bandës së Aldo Bares dhe asaj të Artur Dajës që nis në qershorin e vitit 1997. 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco