Shtohen testimet, shtohen të infektuarit/ Rëndohet situata në spitale

Shtohen testimet, shtohen të infektuarit/ Rëndohet situata në spitale

11:50, 22/07/2020
A+ Aa A-

Çdo herë kur rriten testet, kapërcejnë edhe shifrat e të infektuarve. Në 24 orët e fundit, janë kryer 482 testime dhe kanë rezultuar pozitivë me koronavirus 119 pacientë, nga të cilët 69 vetëm në kryeqytet.

Referuar të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht në vendin tonë janë 1776 të infektuar aktivë, nga 4290 raste pozitive në total. Prej tyre 2397 janë shëruar. Nisur nga raporti ndërmjet rasteve totale të infeksionit dhe personave të shëruar, rezulton që 55 për qind e të infektuarve e kanë fituar betejën me COVID-19.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 482 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 119 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 69 raste në Tiranë, 8 në Kavajë, nga 7 raste në Krujë, Tepelenë, 5 në Lezhë, 4 në Durrës, nga 3 raste në Elbasan, Pogradec, nga 2 raste në Shkodër, Fier, Korçë, Has, Lushnje, dhe nga 1 rast në Mallakastër, Kamzë, Malësi e Madhe. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 45 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 2397 që nga fillimi i epidemisë”, ka bërë me dije Eugena Tomini.

Ndërkohë vijon të rëndohet situata në spital, ku aktualisht gjenden të shtruar 125 pacientë, 20 prej të cilëve në tera pi intensive dhe 4 të intubuar. Dje, si pasojë e COVID-19, kanë humbur jetën 4 pacientë, duke e çuar në 117 numrin e viktimave që nga fillimi i pandemisë.

“Me gjithë të shëruarit, vijon të ketë rritje të të shtruarve në spitalet COVID. Aktualisht, në dy spitalet COVID, në Spitalin Infektiv dhe spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ po trajtohen 125 pacientë, 20 në terapi intensive dhe 4 pacientë janë të intubuar. Në 24 orët e fundit, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 4 qytetarë: Një 67-vjeçare nga Tirana dhe një 82-vjeçar nga Vlora në Spitalin Infektiv dhe në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ një 75-vjeçare nga Malësia e Madhe dhe një 80-vjeçar nga Tirana, me sëmundje bashkëshoqëruese”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco