Analisti: Kemi më shumë raste se Gjermania e Italia, do shembet shteti

Analisti: Kemi më shumë raste se Gjermania e Italia, do shembet shteti

13:18, 14/07/2020
A+ Aa A-

Shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi komenton situatën dramatike të përhapjes së koronavirusit në Kosovë, teksa shkruan në ‘Facebook’ se ditën e djeshme ka pasur më shumë raste infeksioni se në Itali dhe Gjermani.

Shkrimtari kritikon ashpër gjithë politikanët kosovarë, ku thekson se “Në ASNJË pikë debati mbi drejtimin që ka marrë vendi nuk është shtruar si parësore çështja e shtrirjes dhe rritjes së numrit të testeve dhe ka të ngjarë që vendi në pjesën e dytë të vitit sërish të zihet me tema parësore tjera-negociatat, Gjykata speciale e kështu me radhë”.

Mesazhi i Surroit:

Ende nuk është kuptuar se sa është dramatike situata me COVID-19 në Kosovë.

Më 13 korrik në Kosovë ka pasur 187 raste të reja të infeksionit. Në të njëjtën ditë, Italia dhe Gjermania kanë pasur në numra absolut MË PAK raste të infeksionit. Italia, me popullatë 33 herë më të madhe ka pasur 169 raste të reja, Gjermania me popullatë 46 herë më të madhe ka pasur 159 raste të reja.

Ka edhe më keq: Italia bën 99 teste për një mijë banorë e Gjermania 76. Kosova për momentin nuk mbërrin të bëjë as një të katërtën e një testi për një mijë banorë.

Kosova, gjatë gjysmës së parë të vitit e zuri veten duke promovuar si tema parësore natyrën e tregtisë me Serbinë –me apo pa taksa, me apo pa reciprocitet-dhe matësin e dashurisë ndaj Amerikës apo kësaj administrate amerikane. Në ASNJË pikë debati mbi drejtimin që ka marrë vendi nuk është shtruar si parësore çështja e shtrirjes dhe rritjes së numrit të testeve dhe ka të ngjarë që vendi në pjesën e dytë të vitit sërish të zihet me tema parësore tjera-negociatat, Gjykata speciale e kështu me radhë.

Por, shembja shëndetësore, sociale, ekonomike dhe e sigurisë së vendit është lehtë e parashikueshme nëse nuk bëhet ndryshim dramatik në trajtimin e COVID-19.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco