Rikthehet alarmi për infektimet, AKU: Qytetarë, blini bukë të paprerë

Rikthehet alarmi për infektimet, AKU: Qytetarë, blini bukë të paprerë

12:31, 02/07/2020
A+ Aa A-

Në një kohë kurinfektimet nga koronavirusi në vend po shtohen ndjeshëm dita dita ditës, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i është rikthyer një paralajmërimi të muajve të karantinës: Blerjen e bukës së paprerë në furra.

Por, AKU, "i kujdesshëm" për të mos ngjallur panik dhe vënë alarmin i pari ndër institucionet e shëndetit, thirrjen "në vëmendjen e konsumatorëve" e ka kamufluar përveç "kontaminimit të mundshëm, me arsyen se bukës i prishen vlerat ushqimore, aroma, shija.

Kujtojmë se gjatë periudhës së mbylljes, AKU ushtroi kontrolle të rrepta në furrat dhe dyqanet e bukës për të penguar prerjen e saj për shkak të infektimit nga koronavirusi të blerësve. Në njoftimin e sotëm thuhet:

NË VËMENDJE TË KONSUMATORËVE!

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, bazuar në opinionin e specialistëve në fushën e drithërave dhe të bukës, sjell në vëmendje të konsumatorit këshillën që produkti bukë të blihet i paprerë në njësitë e tregtimit të këtij produkti.

Prerja e bukës është një proces ndërhyrje mekanike që sjell prishjen e “guackës mbrojtëse” të këtij produkti ushqimor ndaj kontaminimit të mundshëm, si dhe prishjen e strukturës kimiko-fizike, duke ndryshuar cilësinë apo vetitë e produktit ushqimor, të tilla si: vlerat ushqimore, aroma, shija, etj.

Gjithashtu, referuar opinionit të specialistëve në fushën e drithërave dhe të bukës, argumentohet se prerja e bukës sjell ngurtësimin e saj, tuli i bukës bëhet më i ashpër, lagështia pakësohet, duke humbur kështu freskia e produktit ushqimor, pra ulet cilësisë e tij.

Ekspertët e shpjegojnë:
Së pari, me faktin e ndryshimit të konformacionit molekular të niseshtesë në 30 minutat e para pasi është prodhuar produkti; si dhe
Së dyti, aroma vazhdon të zhvillohet ndërsa produkti është në proces ftohjeje.

Nga prerja e bukës ndodh ndërprerja e këtyre dy proceseve dhe për pasojë do të kemi:

Një bukë të thatë pa porozitetin e duhur dhe me nivel lagështie të ulët. Gjithashtu, aromat karakteristike të këndshme të bukës rrezikojnë të mos formohen apo të zhduken, si pasojë e oksidimit të përbërësve kryesorë.

Vlen të përmendet edhe fakti se gjatë prerjes në feta rritet sipërfaqja e bukës dhe në kushte temperature më të lartë se 30 gradë celcius, rrezikohet formimi i myqeve dhe toksinave të dëmshme, si dhe kontaminimi ambiental i mundshëm.

Për sa më sipër, prerja e bukës në feta për t’ u tregtuar më pas në vetë subjektin prodhues, apo në subjekte të tjerë tregtues, nuk rekomandohet.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco