Kush është njeriu ‘hije’ i Çapjave të Elbasanit

Kush është njeriu ‘hije’ i Çapjave të Elbasanit

20:04, 08/06/2020
A+ Aa A-

I dyshuar, arrestuar, hetuar e liruar dhe i mbijetuar ndaj dy atentateve në të shkuarën! Emri i Ardjan Çapjas rikthehet periodikisht në faqet e para të kronikës së zezë. 55-vjeçari, që është dyshuar e përfolur si “truri” i grupit të Çapjave në Shqipëri ja ka dalë mbanë që t’u shpëtojë si atentateve me autorësi ende të pazbardhur, ashtu edhe përpjekjeve të panumërta të policisë e prokurorisë për ta lidhur me ngjarje të bujshme që kanë ndodhur në 15 vitet e fundit në qytetin e Elbasanit, madje edhe qytete të tjera të Shqipërisë.

Ai është dyshuar si organizator e pjesëmarrës në disa ekzekutime mafioze për hakmarrje, por edhe si doras i vrasjeve të porositura me pagesë. Telashet për fisin Çapja nisën në vitin 2005, kur në dhjetor u ekzekutua brenda ambienteve të një lokali pranë Universitetit të Elbasanit, Sokol Çapja, 33 vjeç.

 

Policia arrestoi në atë kohë si të dyshyar shtetasit Dritan Sheme, Gentian Beqirin dhe Armand Hasanin. Sheme përflitej në atë kohë si vrasës me pagesë dhe dyshimet e paprovuara ndonjëherë nga policia dhe prokuroria ishin se përplasja mes tij dhe Sokol Çapjas kishte lindur pasi ky i fundit kishte refuzuar t’i paguante 15 mijë euro, që i kishte premtuar për kryerjen e një vrasjeje në qytetin e Elbasanit, që Sheme dyshohet se e ka realizuar.

Të tre të arrestuarit ja dolën mbanë që të manovrojnë dhe t’i shpëtojnë sistemit të drejtësisë, por dy prej tyre dyshohet se nuk i shpëtuan hakmarrjes së Çapjave. Dritan Sheme u ekzekutua në Tiranë në qershor të 2006, krim për të cilin policia nuk ka identifikuar dot asnjë autor. Sheme kushëri i Fadil Memës, që në atë kohë ishte punonjës në policinë e Elbasanit. Çapjat fajësonin edhe Memën për vrasjen e Sokolit dhe ndaj tij pak kohë më vonë u organizua një atentat, ku mbeti i plagosur në këmbë.

 

Për këtë ngjarje nuk u zbuluan kurrë autorët, ndërkohë që Mema emigroi në drejtim të Italisë në përpjekje për t’i shpëtuar hakmarrjes. Por, arratia zgjati deri në 2015-ën, kur u ekzekutua në Torino dhe nga hetimet e palës italiane dyshimet si për porositësit, ashtu edhe për autorësinë e ngjarjes buronin në Elbasan.

Ndërkohë, Gentian Beqiri, që ishte dënuar nga Apeli me 25 vite burg u ekzekutua në banesën e tij, ku ishte rikthyer pasi Gjykata e Lartë riktheu për gjykim dosjen ndaj tij. Gjatë rigjykimit u la në arrest shtëpie dhe ruhej vazhdimisht nga dy punonjës policie. Por, dy persona kanë trokitur në derën e shtëpisë duke iu prezantuar punonjësve të policisë si djemtë e tezes së Gentianit dhe më pas e kanë qëlluar atë me pistoletë me silenciator brenda banesës në sy të të atit, që humbi jetën si pasojë e infarktit. Për këtë ngjarje policia arrestoi dy persona, mes të cilëve edhe Florenc Çapjan.

Florenc Çapja mohoi të kishte lidhje me ngjarjen në fjalë dhe kjo nuk u provua asnjëherë në gjykatë dhe ai u la i lirë. Por, gjatë kohës që Florenc Çapja hetohej për këtë dhe akuza të tjera, ndaj fisit të tij ndërmerret një atentat.

Në shkurt të 2016, Agron Çapja, Ardit Sinakolli dhe Eno Badelli mbetën të vrarë pas një sulmi me armë në ambientet e një lokali në pronësi të tyre pranë stadiumit të qytetit të Elbasanit. Autorët e dyshuar ishin tre persona dhe kanë qëlluar me breshëri automatike, ku veç të vdekurve 10 persona të tjerë mbetën të plagosur.

Në të gjithë zinxhirin e këtyre ngjarjeve, emri i Ardjan Çapjas nuk del në asnjë rast, deri në 2016, kur u arrestua pasi qëlloi me armë zjarri në drejtim të një patrulle policore. Ngjarja ka ndodhur në qershor 2016 pranë hotel “Univers” në Elbasan, në pronësi të tyre. Disa agjente policie që mbanin nën vëzhgim Çapjat janë shoqëruar nga pas nga një automjet për në të cilin dyshohet se po lëviznin Ardjan Çapja, Florenc Çapja dhe Bledar Muça. Këta të fundit u kanë bërë me shenjë me drita agjentëve të policisë që të ndalonin.

Pas këtij sinjalizimi nga dera e pasme automjetit me të cilin po lëviznin këta tre persona ka dalë njëri prej, i cili ka qëlluar me pistoletë xhamin e pasëm të makinës së policisë. Në këtë moment ka shpërthyer shkëmbimi i zjarrit dhe vetëm pas ndërhyrjes së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është bërë i mundur arrestimi i Ardian Çapjes, Florenc Çapjes dhe Bledar Muçës.

Por, edhe në këtë rast Ardjan Çapja dhe dy të dyshuarit e tjerë ja dolën mbanë që t’i shpëtojnë drejtësisë duke deklaruar gjatë hetimeve se nuk ishin në dijeni që personat me të cilët kishin shkëmbyer zjarr ishin punonjës policie dhe se kishin reaguar, pasi duke pasur parasysh ngjarjet e së kaluar ata mund të ishin atentatorë.

Një vit më vonë, Ardjan Çapja u shpëton brenda pak muajve dy atentateve, njërit me eksploziv dhe tjetrit me armë zjarri. Në të parin, Ardjan Çapja e gjeti pakon me eksploziv në automjetin e tij, ndërsa në tentativën e dytë njohu atentatorët e armatosur nga larg.

Pas një periudhë qetësie, emri i Ardjan Çapja rikthehet sërish, këtë herë i shqiptuar nga OFL, ku i kërkohet që të justifikojë pasurinë. 55-vjeçari rezulton pronar me 100 për qind të aksioneve të “Hotel Univers”, një hotel i ngritur prej kohësh në dalje të qytetit të Elbasanit në rrugën që e lidh këtë të fundit me Librazhdin.

Pikërisht ky hotel është përfolur si baza nga ku grupi i dyshuar kriminal i fisit Çapja organizonte dhe drejtonte aktivitetin e tij të paligjshëm, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Po në këtë hotel përgjatë viteve janë hedhur dyshimet se persona të ndryshëm, që nuk u bindeshin Çapjave janë mbajtur peng dhe torturuar për ditë me radhë.

 

Përveç kësaj pasurie, dyshohet se një numër jo i vogël asetesh të tjera me burim paratë e trafikut të drogës, apo gjobëvënies në qytetin e Elbasanit janë regjistruar në emra të familjarëve, të afërmve, ose anëtarësh të tjerë të bandës që dyshohet se ka pasur prej kohësh monopolin e aktiviteteve kriminale në këtë qytet.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco