Detajet e ngjarjes/ Njerëzit e Çapjas i ndoqën atentatorët

Detajet e ngjarjes/ Njerëzit e Çapjas i ndoqën atentatorët

19:25, 08/06/2020
A+ Aa A-

Rikthehen sërish përplasjet mes grupeve rivale në qytetin e Elbasanit. Kësaj here shënjestër e snajperit ishte Ardian Çapja.

55-vjeçari u qëllua nga mali i Krastës. Çapja sapo kishte dalë nga banesa në afërsi të hotelit në pronësi të tij, ndërsa plumbi e kapi në shpatull. Nga goditja ai u rrezua dhe pësoi dëmtime të tjera në koke.

Atentati i ndodhur në orën 9 të mëngjesit të së hënës alarmoi të gjithë zonën e cila kontrollohet nga fisi Çapja. Një pjesë e tyre bllokuan rrugën kryesore në dalje të Krastës ndërsa aty mësohet se me shpejtësi kaloi dhe mjeti i atentatorëve, raporton A2. Ndonëse iu vunë pas, atentatorët mundën të largoheshin dhe me ndihmën e personave të tjerë, të cilët dyshohet se kanë qëlluar në afërsi të lagjes së re.

Ardian Çapja u dërgua fillimisht në spitalin e Elbasanit, por më pas u transportua në Tiranë te “Trauma”. Gjendja e tij sipas mjekëve vijon të jetë e rënduar. Pak kohë më parë Ardian Çapjas, Operacioni Forca e Ligjit i dërgoi formularin e vetëdeklarimit.

Sipas Policisë ai është i dyshuar për një sërë vrasjesh me pagesë, por dhe i ka shpëtuar disa atentateve në qytetin e Elbasanit, i fundit me tritol poshtë automjetit. Makina e atentatorëve u gjet në zonën e Fushë Mbretit, duke u djegur ndërsa gjatë shuarjes së flakëve një zjarrfikës mbeti i plagosur pasi shpërthyen plumbat të cilat ndodheshin në makinë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco