Tre piratë kompjuterësh janë arrestuar nga Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, në kuadrin e operacionit “Pirateria”.
Të arrestuarit janë E. D, 23 vjeç; J.S, 24 vjeç dhe T.K, 27 vjeç, të tre banues në Tiranë, të cilët “piratonin”platforma dixhitale, në dëm të disa kompanive, duke u grabitur të drejtat televizive këtyre platformave në mënyrë të paligjshme.
Piratimi bëhej nëpërmjet aparateve Dreambox, Androidbox, Set Top Box etj. dhe pajisjeve të sofistikuara që mundësojnë transmetimin e sinjaleve televizive.
Pagesat ndaj këtyre shtetasve bëheshin me para në dorë “cash”, nëpërmjet llogarive bankare nga bankat e nivelit të dytë dhe nëpërmjet kartave të kreditit Paypal.
Atyre iu sekuestruan katër njësi kompjuterike të cilat shërbenin për piratimin e këtyre platformave, 6 aparate celular të markave të ndryshme, 14 Dreambox, Androidbox, Set Top Box dhe një automjet.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve E. D., J. S. dhe T. K., për veprat penale të “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale dhe intelektuale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
© SYRI.net