Ekzekutimi i 65-vjeçarit/ E vranë dhe e hodhën në pyll, pistat ku po hetohet

Ekzekutimi i 65-vjeçarit/ E vranë dhe e hodhën në pyll, pistat ku po hetohet

10:09, 01/06/2020
A+ Aa A-

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Vlorës pasditen e djeshme, ku një 65- vjeçar është gjetur i vrarë me armë zjarri.

Trupi i tij është gjetur nga Policia në një zonë të pyllëzuar. Burime zyrtare të Policisë bënë të ditur se viktima është shtetasi Ylli Luçaj, ndërsa prej kohësh punonte si rojë në rrugën e re që lidh fshatin Kuç me Himarën. 65-vjeçari u gjet pa shenja jete në pyllin mes Qeparoit dhe Kuçit, ndërsa dyshohet se është vrarë nga persona ende të paidentifikuar.

Fillimisht, thanë burimet, raportimet ishin për një vetëvrasje, por pas hetimeve dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes, rezultoi që të ishte një vrasje e mirëfilltë. Rrethanat janë të paqarta, por Policia po kreh zonën dhe ka filluar me shoqërimet e personave që kanë dijeni për ngjarjen.

“Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, ku paraprakisht dyshohet se shtetasi Y.L., në rrethana ende të paqarta, ka humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit. Shërbimet e Policisë po krehin zonës si dhe po vijon shoqërimi i personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Vlorës, lidhur me vrasjen e 65- vjeçarit, Ylli Luçaj.

NGJARJA

Policia njoftoi se ngjarja është regjistruar rreth orës 16:00 të pasdites të së dielës. Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë telefonuar Policinë e Vlorës, ku kanë raportuar se kanë dëgjuar disa të shtëna armësh në zonën ku jetonin. Menjëherë, në vendin e ngjarjes, kanë shkuar forcat e Policisë dhe kanë nisur kërkimet në zonën ku ishte raportuar për të shtëna me armë. Nga kërkimet e tyre, është gjetur një trup i pajetë me disa plagë në trup, çka pas verifikimeve rezultoi se ishte Ylli Luçaj, rojë në rrugën e re që po ndërtohet për të lidhur fshatin Kuç me Himarën.

Pranë trupit të tij, thanë burimet nga uniformat blu, nuk është gjetur asnjë armë zjarri, ndërsa në trup është qëlluar me të paktën pesë plumba. Ylli Luçaj, pas verifikimeve të bëra, rezulton se është një person pa precedentë të mëparshëm penalë. Për zbardhjen e plotë të ngjarjes, Policia e qytetit bregdetar po heton në dy pista, që dyshohet se mund të jenë shkak i ngjarjes. Njëra pistë lidhet me ndërtimin e rrugës së re Kuç Himarë, ndërsa pista tjerë është ajo e ndonjë konflikti që viktima mund të ketë pasur gjatë ditëve të fundit.

Ndërkohë, mësohet se ditën e djeshme, 65-vjeçari kishte qëndruar në punë gjatë gjithë ditës, për shkak se kompania nuk punonte ditën e diel. Në polici janë shoqëruar banorët e zonës që banojnë afër zonës së ngjarjes, me dyshimin se mund të kenë parë ndonjë lëvizje të dyshimtë pas vrasjes së 65-vjeçarit Lucaj./panorama/

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco