Kapshticë: arrestohen 4 ish-të burgosur, nisën për në Greqi një kamion me kanabis

Kapshticë: arrestohen 4 ish-të burgosur, nisën për në Greqi një kamion me kanabis

12:05, 30/05/2020
A+ Aa A-

Katër ish-të burgosur nga Tirana dhe nga Korça, thuajse të gjithë mbi 50 vjeç, kanë bashkëpunuar me njeri-tjetrin për të dërguar në Greqi me kamion, 195 kg kanabis. Por, tentativa e tyre u zbulua dhe të gjithë u arrestuan. Arrestimi i parë ndodhi në Kapshticë.

Policia Kufitare e Kapshticës, në dalje të Shqipërisë, përzgjodhi për kontroll të detajuar në vijën e dytë, një kamion “Iveco” që e ngiste S.V,  një burrë 54 vjeç me banim në Tiranë, i cili ishte nisur për në Greqi.

Kontrolli ka vazhduar më pas me skanimin nga Dogana, ku pati dyshime se mbi karrocerinë e kamionit mund të ishte fshehur lëndë narkotike. Dhe realisht, mbi sipërfaqen e saj, u gjetën 195 kg kanabis! E gjithë lënda narkotike u sekuestrua nga Policia dhe menjëherë, iu vunë prangat, kamionistit, që kishte qënë i dënuar më parë për dhunë në familje.

Policia njoftoi se pas shoqërimit të tij në Polici dhe punës hetimore nga seksioni për trafiqet e paligjshme dhe narkotikët në Korçë, u bë zbardhja e skemës së  trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve dhe identifikimi i bashkëpunëtorëve.

Në bashkëpunim me Policinë e Tiranës u kapën personat e tjerë të implikuar në këtë ngjarje:

Sh.H, 64 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vetgjyqësi;

V.C, 55 vjeç, banues në Korçë,i dënuar më parë për prodhim dhe shitje e narkotikëve;

M.J, 48 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale "Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve" i cili ka falsifikuar dokumentacionin e kamionit. Po ashtu, u shpall në kërkim shtetasi B. M., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili së bashku me shtetasit Sh. H., dhe V. C., dyshohet të kenë qenë në rolin e organizatorëve të kësaj veprimtarie./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco