Koronavirusi/ Agravon situata te 'Nënë Tereza', mbyllet pavioni i parë Mihal Tase

Koronavirusi/ Agravon situata te 'Nënë Tereza', mbyllet pavioni i parë

11:03, 30/05/2020
A+ Aa A-

Në pavionin e sëmundjeve të brendshme në QSUT janë konfirmuar tashmë të infektuar 15 persona, personel shëndetësor. mbi këtë situatë ka folur  mjeku Mihal Tase, shefi i pavionit.

Në intervistën e parë pas shpërthimit të Covid-19 në QSUT, Tase dha versionin e tij se si u fut virusi në spitalin që ai drejton. Mjeku tha në Abcnews, se Covid-19 erdhi nga pacientë, duke hedhur kështu poshtë deklaratat e ministrisë, ku u tha se rasti i parë pozitiv ishte një infermiere.

Ndërkaq, Tase bëri të ditur se pavioni i sëmundjeve të brendshme do të jetë i mbyllur për një javë. Gjatë bashkëbisedimit me gazetaren Suela Demiri, ai u ndal edhe tek çështja që të infektuarit në këtë spital kanë transportuar virusin edhe në rrethe, si rasti i Lushnjes dhe Matit.

Sipas tij në atë pavion janë të sëmurë rëndë dhe është e pamundur që të ndalosh hyrjen e familjarëve dhe për pasojë rritet më shumë mundësia e përhapjes së infeksionit.

“Për një periudhë të gjatë nuk fusnim asnjë në spital. Ndërkohë që kur u mbush pavioni me të sëmurë rëndë është shume e vështirë t’i mbash larg familjarët. Mjekët nuk janë xhandarë, sado që jemi përpjekur. Për të sëmurët rëndë  mund të humbasin jetën është shumë e vështirë t'i thuash familjarit mos hajde. Nëse e keni ndjekur periudhën e Italisë një nga dramat më të mëdha ishin se vdesin familjarët pa pasur një familjar afër.

Nuk është shumë kollaj të jesh mjek. Kanë hyrë, mund ta ketë marrë një dhe ia ka dhënë tjetrit. Janë ndjekur rastet edhe në Mat dhe Lushnje. Janë gjëra të kësaj natyre që i ka çdo epidemi në botë. Pavioni jonë nuk është mbyllur kurrë. Të sëmurët më rëndë vinë tek ne. Atyre nuk mund tua mbyllësh derën e spitalit”, tha mjeku.

Tase shtoi më tej se ekzaminimi i Covid-19 kërkon kohë, dhe sipas tij nuk mund t’i lënë pacientët jashtë.

“Ne nuk e dimë kush na vjen në spital. Covid kërkon një ekzaminim të caktuar. Unë nuk mund ta le 12 orë të sëmurin në urgjencë. Nuk mund t’i kontrollosh dot të gjithë. Ne i matim temperaturën, por temperatura nuk tregon ndonjë gjë të madhe. Ashtu sikurse nuk tregon edhe tamponi. Diagnozën nuk e vendos dot brenda ditës dhe të sëmurin nuk mund ta lësh jashtë”, u shpreh Tase për Abcnews.al

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Tags

    Komentet

    Tosi30/05/2020 12:13

    "AGRAVON" Gjuha shqipe permban te gjitha fjalet e nevojshme per te shprehur nje mendim. Perdorimi I fjaleve te huaja nuk e ben artikullin me interesant, ty me modern apo me te zgjuar. Eshte permbajtja ajo qe ka rendesi.

    Shto koment

    Denonco