Skandali/ Kur Ard Veliu ia kalon mentalisht edhe Enver Hoxhës

Skandali/ Kur Ard Veliu ia kalon mentalisht edhe Enver Hoxhës

18:18, 29/05/2020
A+ Aa A-

Nga Ferdinand Dervishi

Sot Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, edhe pse me një fjalor që dëshmonte njohuri të vakëta të shqipes, njoftoi qytetarët shqiptarë se kishin marrë disa masa ndaj ngjarjes së turpshme të rrahjes publike nga policia të një të riu 15-vjeçar.

Porse në vazhdim, numri 1 i Policisë Shqiptare, publikoi një video që sipas tij rrëfente se ky fëmijë i rrahur brutalisht nga policia vinte nga një familje jo normale. Në pamje, sipas Veliut, shfaqej nëna e 15-vjeçarit me një pistoletë në duar duke bërë shaka me një femër tjetër, me sa dukej e njohura e saj.

Nuk dihet nëse e gjitha kjo ka qenë një shfaqje e gjykuar dhe realizuar nga vetë Ard Veliu, porse nisur nga unë vetë, shija që u mbeti shqiptarëve, sidomos atyre që kanë njohur në lëkurën e tyre sistemin e kaluar politik, ka qenë tmerrësisht e hidhur. Pasi vetëm gjatë sistemit komunist njerëzit përbuzeshin, degjeneroheshin nga Sigurimi i Shtetit deri edhe ndëshkoheshin, vetëm sepse vinin nga familje “jo të rregullta” apo “kundërshtare” të regjimit.

Pra, në një mendësi të ngjashme me atë të Ard Veliut, 15-vjeçari e kishte hak drurin se vinte nga një familje jo e shëndoshë, ose e kishte hak drurin sepse nuk kishte nënën në rregull.

Zot na ruajt me të drejtat e ngatërruara të shqiptarëve në kokën e thatë të kryepolicit shqiptar!

Më poshtë po sjell një shembull, kur edhe vetë diktatori Enver Hoxha është treguar më i butë dhe me njerëzor se “polici që duam” i rreth 40 viteve më pas.

ENVER HOXHA: Po, edhe unë ia thashë që dhe ai është anëtar partie. More shoku Mehmet, vazhdova unë, kur kishte vdekur Medar Shtylla, gruaja e tij, italiania Marie Shtylla, erdhi më kërkoi mua mendimin për fejesën e vajzës së saj, se ajo dashuronte një djalë të mirë, profesor fizkulture dhe i sjellshëm, por që kish pasur një gjysh deputet në kohën e Zogut. Ajo, megjithëse pa parti, si grua shumë e mirë, meqenëse djali kishte këtë anë negative në biografinë e tij, qe lëkundur, edhe për arsye se gjithë rrethi i Shtyllajve, duke filluar që nga Behari e gjithë mëhalla, po i flisnin keq për këtë fejesë të vajzës. Unë do ta zboj atë djalë nga shtëpia, më tha ajo e shqetësuar, pastaj vazhdoi. Unë mendoj me kokën e Medarit me kokën e Partisë dhe tani pyes veten: Po të ishte Medari, çfarë do të bënte në këtë rast? Jam e bindur se ai do t’i thoshte vajzës, ose ta linte këtë djalë, ose të largohej nga ne. Unë e këshillova Marie Shtyllën që vajza e saj të fejohej me këtë djalë, se përveç gjyshit, asgjë tjetër negative nuk kishte në rrethin e tij familjar. Pas kësaj, të dy këta të rinj u bashkuan në martesë.

RAMIZ ALIA: Pastaj ai vetë është djalë i mirë.

ENVER HOXHA: Djalë i mirë e me të gjitha cilësitë.

(Pjesa e shkëputur nga biseda e datës 12.09.1981  mes Enver Hoxhës dhe sekretarëve të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, Ramiz Alia dhe Hekuran Isai)./abcnews.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco