Dy muaj në karantinë, gruaja i zbulon dashnoren burrit në Tiranë

Dy muaj në karantinë, gruaja i zbulon dashnoren burrit në Tiranë

22:39, 28/05/2020
A+ Aa A-

Të palarat i dolën në dritë një 47-vjeçari T. C që u gjurmua nga bashkëshortja pas shumë ditëve qëndrim model e të përkushtuar në shtëpi. Gruaja me inicialet E. C, nënë e dy fëmijëve tha se mendonte që martesa e saj ishte pa asnjë të çarë dhe se nuk kishte pasur asnjë konflikt apo ftohje në çift.

Gjatë karantinës nëna e dy fëmijëve nuhati që bashkëshorti i saj shkruante shpesh në telefon, e mbante telefonin me kujdes dhe madje edhe ankohej “këta të punës te firma s’bëjnë dot asgjë pa mua”. “Përherë kur i duhej të fliste në telefon e bënte këtë gjë kur gjendesha në tualet apo duke kaluar në dhomën tjetër”. Kështu ka nisur shpjegimet E. C që gjatë karantinës ka ruajtur qetësinë dhe natyrisht edhe buzëqeshjen para partnerit.

“Në një nga ditët e para sapo fashat kufizuese u liruan, kur ai po dilte sepse kishte “faturat për likuidim” vendosa t’i vihem pas dhe pashë që takoi një vajzë të re. Ata nuk ishin kolegë, pasi qëndrimi i tyre dukej shumë i afërt”, tha ajo në polici.

Më tej sipas rrëfimit të saj në polici, E. C ka shkrepur fotografinë “e çiftit” me aparatin celular dhe pa bërë zhurmë është kthyer në banesë ku dhe ka pritur partnerin me të cilin ka 17 vjet martuar.

“Kur u kthye i lodhur dhe me ankesa, i tregova foton, por ai e humbi toruan dhe nisi të më ofendojë me dhunë verbale, më shau e më quajti fiksimaxhie. Si ai veprova dhe unë, dhe një moment ai më hodhi vazon në kokë”, shtoi më tej E. C. Por policia u njoftua nga vjehrra e saj, që kur pa se nuk po uleshin gjakrat në katin e dytë kërkoi ndihmë. Kur policia e pyeti se për çfarë e kishte kërcënuar dhe goditur partneren ai deklaroi “është xheloze, nuk e kërcënova, vetëm shfryva nervat”.

Por pavarësisht këtij qëndrimi mohues, gruaja ju vendosi oficerëve fotografinë e tradhtarit që shfaqet i ulur në stol së bashku me një femër tjetër, shumë larg lagjes ku ka shtëpinë. Ky është rasti tipik i një partneri model në sytë e gruas, që para pandemisë e kishte tradhtuar, por ajo nuk kishte kuptuar asgjë.

Deri në çastin kur bashkëshorti i lodhur nga masat kufizuese, nuk e ndërpreu komunikimin me “të dashurën”, duke lënë edhe gjurmë të dyshimta. Por ndërsa ky është një shembull tradhtie të zbuluar nga Covid-19, ka edhe shembuj xhelozie të pashkak, që kanë përfunduar sërish për zgjidhje në polici.

Rasti i dhunës u deklarua në komisariatin numër pesë dhe gjithçka ka precipituar nga dyshimet e kota të burrit që jeton me fëmijët dhe partneren në Kamëz. Gruaja e cila më pas mori urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, u tërhoq zvarrë për flokësh nga Sh. M, me të cilin ajo ka tre fëmijë më e madhja e moshës 19 vjeçe. Pasi fëmijët tentuan t’i ndanin, ata njoftuan komshinjtë që telefonuan policinë e zonës.

Mes lotëve gruaja tregoi se xhelozia e të shoqit ishte bërë e padurueshme për të. “Vuaj nga hernia diskale. Punën në fabrikë e humba ngase u sëmura. Fillova të punoj duke pastruar ndonjë shtëpi. Edhe para një viti kishte urdhër mbrojtjeje pasi është i sëmurë nga xhelozia. Për fëmijët nuk u ndamë. Mbolla bahçen e një të moshuare që jeton vetëm. Kur u ktheva bleva ushqime. Sa hyra në shtëpi më qëllloi, më bërtiti: ku i gjete paratë, shkon me pleq dhe pastaj u vërsul e më rrahu”. Gruaja i tregon oficeres L. P. në procesverbalin që gazeta “Si” disponon se burri sa herë shpërthente nga xhelozia e pashkak i thoshte “Do ta nxij jetën, do të ther”./ Gazeta Si

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco