Vodhën 84 mijë euro/ Si manipulonin kartat bankare nëna me të bijën në Durrës

Vodhën 84 mijë euro/ Si manipulonin kartat bankare nëna me të bijën në Durrës

13:11, 28/05/2020
A+ Aa A-

Janë bërë publike detaje nga zbulimi i grupit të Durrësit që klononte karta bankare dhe kryenin rezervime fiktive për shtetas të huaj, duke përfituar të paktën 84 mijë euro.

Nënë e bijë, pronare të një subjekti në zonën e plazhit, dhe bashkëpunëtori i tyre janë vënë në pranga pasi mashtronin shtetas të huaj me karta të klonuara dhe u rezervonin atyre pushime fiktive në Durrës. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Durrësit, shtetasit me inicialet B. G., 43 vjeçe, S. G., 24 vjeçe (nënë e bijë), dhe M. B., 31 vjeç, banues në Durrës, u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Durrësit.

“Është finalizuar operacioni policor i koduar ‘BOOKING’, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik, ndërsa në pranga ranë 3 persona. Ata akuzohet se klononin karta bankare, kryesisht të shtetasve të huaj, duke përfituar shumën 84 mijë euro. Në kuadër të operacionit policor të koduar ‘BOOKING’, pas një hetimi disamujor u siguruan prova bindëse për veprimtarinë kriminale të 3 shtetasve, për të cilët Prokuroria urdhëroi ndalimin e tyre, konkretisht: B. G., 43 vjeçe, S. G., 24 vjeçe, dhe M. B., 31 vjeç, banues në Durrës.

Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përfituar shumën 84.000 euro, nëpërmjet kartave të klonuara, duke mashtruar shtetas të huaj që kryenin rezervime në hotele për turizëm”, bëri të ditur Policia e Durrësit.

HETIMI

Burime nga Policia e qytetit bregdetar thanë për gazetën “Panorama” se, pas një hetimi disamujor u siguruan prova bindëse për veprimtarinë kriminale të tre shtetasve, për të cilët Prokuroria urdhëroi ndalimin e shtetasve të mësipërm.

Nga hetimet, rezultoi se nënë e bijë dhe bashkëpunëtori i tyre, kartat e vjedhura në Itali i klononin këtu në vendin tonë, ndërsa kishin hapur një faqe fiktive duke reklamuar hotele luksoze dhe mashtronin shtetasit e huaj, të cilët rezervonin pushime.

“Kartat e kreditit që i siguronin nga një bashkëpunëtor në Itali, 31- vjeçari i klononte këtu. Ndërkohë, nënë e bijë, që kanë nën administrim një lokal modest në plazh, kishin hapur një faqe ‘BOOKING’, ku reklamonin hotele dhe ambiente luksoze, me anë të të cilave mashtronin shtetas të huaj, të cilët binin pre dhe rezervonin pushime”, thanë burime nga grupi hetimit.

Zbulimi i këtyre shtetasve u bë pas disa denoncimeve të shtetasve të huaj, që kishin rënë pre e mashtrimeve. Menjëherë kanë nisur hetimet mbi denoncimet e bëra dhe nga vëzhgimi disamujor nga ana e Policisë, u bë i mundur zbulimi i mashtruesve që kanë përfituar edhe një shumë të konsiderueshme parash.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco