Koronavirusi i largohet Durrësit: Zyrtarisht, asnjë i infektuar

Koronavirusi i largohet Durrësit: Zyrtarisht, asnjë i infektuar

14:19, 29/04/2020
A+ Aa A-

Zyrtarisht në qytetin e Durrësit nuk kemi asnjë të infektuar me koronavirus. Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë publikuar të martën, në Durrës nga 42 raste të shënuara në total që nga fillimi i pandemisë, 38 prej tyre janë shëruar, ndërsa 4 rastet e tjera fatkeqësisht kanë ndërruar jetë.

Që prej datës 13 prill, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nuk është shënuar asnjë rast i ri i infektuar me Covid-19, ndërsa 38 persona kanë arritur ta fitojnë betejën me virusin që ka mbërthyer mbarë botën.

Portali Durreslajm i ka bërë një historik, situatës pandemike në qytetin që u godit që në ditët e para të shpërthimit.

Durrësi ishte qyteti që regjistroi dhe viktimën e parë në vend, ku më 11 mars ndërroi jetë në spitalin rajonal e moshuara 73-vjeçare, që kishte dhe disa sëmundje bashkëshoqëruese.

Më 31 mars ndërroi jetë një 62-vjeçar nga Durrësi, i cili po ashtu kishte sëmundje bashkëshoqëruese, specifikisht me diabet. 62-vjeçari ka qenë në vetëizolim në shtëpi, por gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua e për pasojë u dërgua drejt spitalit Infektiv, ku dhe ndërroi jetë.

Ndërsa dy viktimat e fundit të regjitruara në harkun kohor të një jave, janë dy personalitete në Durrës.

Më 21 prill u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare ish-ushtaraku i lartë, kapiteni i rangut I, Çapajev File. Ai e humbi betejën me koronavirusin, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, në Tiranë, ku ndodhej i shtruar prej ditësh.

Ndërsa dy ditë më parë, ndërroi jetë arkitekti i njohur durrsak Hajdar Kovaçi, i cili u përcoll dje për në banesën e fundit me duartrokitje dhe nderime nga familjarët, miqtë, të afërmit e personalitete durrsakë, të cilin mbledhur në sheshin “Liria”.

Kujtojmë që një nga zonat më të nxehta në Durrës ishte Spitalla, ku u infektuan 11 anëtarë të 3 familjeve të të njëjtit fis. Por lajmi i mirë është që si ata edhe gjithë të infektuarit e tjerë kanë arritur të shërohen.

Tanimë që kemi hyrë në kushtet e lehtësimit të disa masave dhe me hapjen e shumë bizneseve, e rëndësishme është që durrsakët të vazhdojnë të respektojnë me përpikmëri masat e vendosura si e vetmja armë që kemi në dorë për të frenuar përhapjen e infeksionit; duke respektuar distancimin fizik dhe ruajtjen e higjienës personale, si dhe duke shmangur daljet dhe grumbullimet e panevojshme, për të mposhtur infektimin nga Covid-19.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco