Lajmi i fundit

LIVE/ Tensionohet protesta para Bashkisë së Tiranës

Historia e ‘të tmerrshmit të Tiranës’, Elidon Kotorri: Vrasjet dhe si doli nga burgu vitin e kaluar

Historia e ‘të tmerrshmit të Tiranës’, Elidon Kotorri: Vrasjet dhe si doli nga burgu vitin e kaluar

12:32, 25/04/2020
A+ Aa A-

Elidon Kotorri i cili është shndërruar sërish në subjekt të policisë së kryeqytetit dhe kronikës së zezë, njihet si një nga eksponentët më të zëshëm të krimit brutal në Tiranë.

Ai është liruar në mënyrë të ‘çuditshme’ nga burgu i Peqinit, për `sjellje të mirë`, në datën 7 gusht të vitit të kaluar.

Kotorri gjatë viteve 2000, ishte një nga emrat më të lakuar si një protagonist i një lufte të egër mes organizatave kryesore kriminale në kryeqytet, edhe për faktin se prokuroria herë e akuzonte për disa vrasje dhe herë e tërhiqte akuzën për ‘‘mungesë provash’.

Paralelisht me organin e akuzës edhe gjykatat duket se u dorëzuan përpara tij për një krim të dyfishtë të realizuar në vitin 1999, ku u vranë Sentilian Elezi dhe Fatmir Hodaj. Gjykata e Strasburgut i cilësoi provat e mbledhura nga ana e prokurorisë dhe policisë si të marra në rrugë jo ligjore.

Kështu Elidon Kotorri nga një i dënuar i përjetshëm, pasi dërgoi çështjen në gjykatën e Strasburgut ku avokatët përdorën kartën e të drejtave të njeriut, fitoi rishikim të çështjes. Pas kësaj gjykatat shqiptare ja zbritën dënimin me 25 vjet burgim për vrasje të cilat tronditën kryeqytetin dhe përfundimisht e liruan 8 muaj më parë.

Krimi i trefishtë për të cilin u akuzua Elidon Kotorri ndodhi më 11 janar 2000 në afërsi të shkollës ‘Vasil Shanto’ dhe kishte në shënjestër, viktimën Andi Hasani. Përveç tij në këtë atentat u vranë edhe dy të tjerë, Gazmend Zeneli dhe Sokol Alushi, si dhe mbeti i plagosur Grigor Stefani.

Siç rezultoi gjatë gjykimit, Andi Hasani, kishte qenë edhe një herë tjetër shënjestra e një breshërie me armë, nga të cilat ai vetëm u plagos bashkë me dy të tjerë. Por u vranë Sentiljan Elezi dhe Fatmir Hodaj. Ky atentat i dështuar ndodhi më 23 dhjetor 1999, në Tiranën e asaj kohe ku disa grupe kriminale kishin nisur një luftë të hapur. Por për këtë ngjarje për të cilën dyshohej Kotorri, prokuroria u tërhoq më vonë.

Përplasja mes dy grupeve ka nisur, në fund të vitit dhjetorit të vitit 1998 kur Elidon Kotorrit i vrasin shokun e tij të ngushtë, Elton Zajmi, në ambientet e jashtme të klubit ‘Partizani’. I bindur se vrasjen e tij e ka kryer Andi Hasani, Kotori, ka vendosur të hakmerret ndaj tij. Për të realizuar këtë ai ngarkoi Olsi Koçiu, i cili ka punuar shofer në aktivitetin tregtar që ushtronte familja Kotorri, që të ndiqte lëvizjet e viktimës Andi Hasani, zbuloi policia në atë kohë.

Olsi Koçiu e ka mbikëqyrur viktimën dhe e ka spiunuar tek ‘shefi’ , i cili nga ana e tij sapo ka mësuar përmendësh axhendën ka urdhëruar bashkëpunëtorin ta ndërpresë misionin.

‘Më datë 10.01.2000 i ka thënë atij të bënte gati automjetin e tij, se do të shkonin së bashku në Rinas për një udhëtim në Greqi. Po në datë 11.01.2000, ora 14:30, i dënuari Elidon Kotorri, me disa persona të paidentifikuar, me një mjet tip volksëagen me targa TR 4414 E, kanë vajtur tek rruga ‘B.Curri’, tek stacioni i fundit i Tiranës së Re, për të ndjekur viktimën Andi Hasani. Në këtë kohë Andi Hasani ka hipur në automjetin e tij tip Volvo, sëbashku me shtetasit Sokol Alushi, Gazmend Zeneli dhe Gregor Stefani. Elidon Kotorri, me shokët e tij, është vënë në ndjekje të viktimës dhe tek shkolla ‘Vasil Shanto’ kanë qëlluar mbi automjetin që udhëtonte Andi Hasani. Nga të shtënat kanë mbetur të vrarë Andi Hasani, Sokol Alushi, Gazmend Zeneli dhe u plagos Gregor Stefani. Mbas kryerjes së krimit, autorët kanë braktisur mjetin e tyre dhe janë larguar me këmbë. Më pas i dënuari Elidon me një motor është kthyer në vendngjarje për të mësuar nëse ishte vrarë Andi Hasani. Pasi ka mësuar vdekjen e tij, ai është kthyer në banesë dhe pastaj është nisur për në Turqi’, thuhet në vendimin e zbardhur të gjykatës së Tiranës.

Si prova prokuroria dorëzoi në proces, disa gëzhoja të nxjerra nga një automatik e një mitralozë i lehtë; maska, dorashka e kapele sintetike. Por prova më interesante që i çoi hetuesit tek Elidon Kotorri doli nga këqyrja e maskës në të cilën u konstatuan 12 fije floku që pas krahasimit rezultonin të Elidon Kotorrit.

Elidon Kotorri u arrestua më 18 prill 2000 dhe u dënua me burgim të përjetshëm, por çështja e tij u rihap pas gjetjeve të gjykatës së Strasburgut që konstatoi se dëshmia e dhënë në polici e Olsi Koçiut është marrë nën kushtet e dhunës. Edhe vetë Kotorri pretendoi se i ishte marrë floku pa dijeninë dhe dëshirën e tij, një fije floku që në fakt atë e shpëtoi nga burgimi i përjetshëm, i shpallur dhe i lënë në fuqi nga tri gjykata.

‘Olsi Koçiu më datë 18 Prill 2000, pas një kontrolli në apartamentin e tij ai u arrestua dhe u akuzua për mbajtje pa leje të municionit të gjetur në apartamentin e tij. Më 19 Prill 2000 ai u mor në pyetje nga prokurori. Procesverbali i nënshkruar nga ankuesi deklaroi se ankuesi i parë zgjodhi të përfaqësohej vetë. Për sa i përket krimit të datës 11 Janar 2000 ai bëri deklarata vetë-inkriminuese të cilat gjithashtu inkriminonin edhe ankuesin e dytë. Rrjedhimisht, ai u akuzua për moskallëzim të krimit të datës 11 Janar 2000. Sipas tij, ai bëri këto deklarata vetë-inkriminuese si rezultat i dhunës së rëndë të ushtruar ndaj tij nga oficerët e policisë më 19 Prill. Ai pretendoi se nuk ishte lejuar të takonte avokatin mbrojtës të zgjedhur prej tij gjatë dy javëve në vazhdim. Më 20 Prill 2000, ankuesi i parë parashtroi se ai duhej të mbahej nga oficerët e policisë në sallën e dëgjimit për shkak të gjendjes së dobët shëndetësore dhe se ai kishte shenja të dukshme te keqtrajtimit në fytyrë. Në të njëjtën datë, u konfirmua nga Gjykata e Rrethit të Tiranës (‘Gjykata e Rrethit’) ligjshmëria e arrestimit të tij. Asnjë afat nuk u caktua mbi kohëzgjatjen e ndalimit të tij. Ankuesi i parë u mbrojt nga një avokat mbrojtës i caktuar nga gjykata, megjithëse ai pretendoi se kishte caktuar një avokat mbrojtës të zgjedhur prej tij. Procesverbali tregonte se avokati mbrojtës i caktuar nga gjykata kishte tërhequr vëmendjen e gjykatës mbi shenjat që tregonin se ankuesi ishte rrahur’, shkruhet në dosjen penale të Elidon Kotorrit.

Pas këtyre gjetjeve të konstatuara nga Strasburgu si shkelje arbitrare për të cilat Shqipëria u gjobit 15 mijë euro dëmshpërblim për Olsi Koçiun nën akuzë, për mos kallëzim krimi, Kotorri i cili gjatë gjykimit dhe rigjykimit i shpenzoi shtetit edhe 44 milionë lekë ( shpenzime për policinë gjatë kohës që ndaj tij u shpall arrest shtëpiak ), i mbyll llogaritë me burgun. Ai në total qëndroi si vite kalendarike 19 vjet në burg, por që së bashku me kohën e paraburgimit llogariten 25 vjet burgim, shumë larg nga dënimi i përjetshëm për të cilin dikur gjyqtarët lexuan në vitin 2020.

Ditën e sotme policia njoftoi, se e ka shpallur sërish në kërkim këtë personazh, pasi tentoi që të marrë së bashku me disa shokë me dhunë në makinën e tij e në mes të Tiranës dy vajza të reja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco