I mbijetoi koronës/ I riu nga Vau i Dejës: Njerëzit fillojnë e të shohin shtrembër

I mbijetoi koronës/ I riu nga Vau i Dejës: Njerëzit fillojnë e të shohin shtrembër

12:38, 16/04/2020
A+ Aa A-

Një 35-vjeçar nga Vau i Dejës, i cili foli me BIRN në kushtet e anonimatit thotë se shumë sesa COVID-i, atë e sëmuri stresi. I riu ishte ndër rastet e para në qarkun e Shkodrës që u konfirmua pozitiv, ndërsa më pas koronavirusi preku edhe familjarët e tij.

Familjarët, mes të cilëve edhe gjyshja 75-vjeçare e kaluan sëmundjen pa komplikime. Por vetë 35-vjeçari u shtrua për tetë ditë në Spitalin Infektiv në Tiranë, pasi shfaqi simptoma të temperaturës dhe kollës së rënduar.

“Në fakt unë nuk kisha ndojë komplikim, megjithëse me thënë të drejtën, frikë kisha. Kjo sepse para tre muajsh kisha kaluar një ftohje në mushkëri e nuk isha mjekuar dhe filloi të më rëndohej kola. Por me ta thënë të vërtetën, më shumë se sëmundja, kisha stres,” thotë ai.

Për një pacient me COVID-19 stresi gjenerohet nga disa burime.

“Çfarë nuk dëgjoja në TV, çfarë nuk lexoja, pastaj kur shihja doktorët dhe infermierët të veshun në atë formë, ku nuk më shkonte mendja dhe filloi të më rritej frika dhe më kapi edhe tensioni, që unë nuk kam vuajtur kurrë. 8 ditët që kam qëndruar në spital kam pas temperaturë 38-39, dhimbje trupi, por gjithçka shkoi mirë,” shton ai.

I shëruar nga virusi, i riu nga Vau i Dejës duket se nuk i ka kaluar ende përjetimet e këqija që e shoqëruan sëmundjen. Ai është i mërzitur edhe nga mënyra se si përcillet informacioni, ndërsa i druhet stigmës në qytezën e tij të vogël.

“Jo po e kemi marrë kur kemi qenë në Itali, jo po lani duart…po larja e duarve është e përditshme, nuk është vetëm për sot. Këto deklarata kështu nuk më pëlqejnë, se njerëzit fillojnë e të shohin shtrembër,” thotë ai.

“Kush më shumë se unë do të kujdeset për familjarët e mi? Na e kanë futur armikun në shtëpi,” shton ai i revoltuar.

35-vjeçari ka lënë prej ditësh spitalin dhe ndodhet i vetëkarantinuar në shtëpi me familjarët e tij. Megjithatë, frika nga virusi nuk është shëruar plotësisht.

“Po lexojmë e thonë se mund të rikthet sërish, e sigurisht që për ne është frikë. Nuk duam ta kalojmë më këtë situatë paniku,” përfundoi ai.

Trishtimi i mjekut Gelaj: Pse unë?
Beqir Gelaj, mjeku i vetëm infeksionist në spitalin e Durrësit që u prek nga COVID-19 nuk e fsheh trishtimin që përjetoi kur mësoi rezultatin e testit. “U mërzita dhe m’u duk pak e habitshme që të gjithë rezultuan negativë dhe vetëm unë rezultova pozitiv. Se si u ndjeva…edhe për faktin se unë nuk kisha asnjë shenjë,” thotë doktor Gelaj. Megjithatë, mjeku i ka dhënë shpjegim me kontaktet e shtuara që ai pati në shërbim të pacientes së ndjerë. “Kalova një formë të lehtë të COVID-19, pa komplikime. Tashmë kam kaluar edhe 14 ditët e karantinimit dhe pas përgjigjes negative, dje ishte dita e parë që u riktheva në spital duke ndihmuar stafin, e tani besoj se do të futem në forcë të plotë,” thotë doktori. Ndërkohë, vajza e tij i është bashkuar stafit të bluzave të bardha që shkuan në Itali për të ndihmuar në luftën kundër COVID-19.

Në Codonjo, 8 orë ferri në pritje të ambulancës
COVID-19 e sulmoi Luan Sulejmanin në pikën e tij të dobët –te djali 4 muajsh, në epiqendrën e infeksionit në Codonjo të Italisë, ku ai jeton prej vitesh si emigrant. “Në Codonjo spitali ishte mbyllur, për shkak se ai që konsiderohet pacienti zero kishte qenë disa herë i shtruar. Spitali në Lodi ishte tejmbushur, nuk kishte vende. Djali kishte temperaturë mbi 39, ishte vetëm 4 mujsh. Imagjino se çfarë paniku dhe stresi na përfshiu edhe për shkak të rasteve që dëgjonim çdo ditë. Spitalet ishin plot dhe nuk dinim nëse do të na jepej ndihmë apo jo,”kujton ai. Orët e gjata në pritje të ambulancës ishin për të 8 orë ferri. Ai e konsideron mbërritjen në spital si moment çlirimi. “Për fat gjithçka shkoi mirë dhe djalin e kanë mbajtur vetëm 5 ditë në spital,” përfundon ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco