Ndërhyrje në Kodin Penal për COVID-19/ Avokati kundër Ramës: Kushtetuta është e qartë se kur kufizohet liria

Ndërhyrje në Kodin Penal për COVID-19/ Avokati kundër Ramës: Kushtetuta është e qartë se kur kufizohet liria

18:10, 09/04/2020
A+ Aa A-

Dy deputete të mazhorancës, Eglantina Gjermeni dhe Klotilda Bushka, i kanë propozuar Komisionit të Ligjeve ndryshime në Kodin Penal, me qëllim ashpërsimin e masave për të gjitha ata qytetarë që thyejnë masat kufizuese për COVID-19. Në këto propozime parashikohen si vepra penale shkelja e masave dhe shkelësit do të dënohen me gjobë dhe burgim deri në gjashtë muaj.

Në draftin e propozimeve të dy deputeteve të Kuvendit thuhet se kush shkel urdhrin e karantinës, dhe ky veprim shkakton pasoja me vdekje do të dënohet nga 5-15 vite burg. Propozimet e bëra do të shqyrtohen në seancën plenare të datës 16 prill ku pritet që socialistët të japin kartonin jeshil për të miratuar këto propozime.

Avokati i njohur, Saimir Vishaj nuk e shikon me vend ndërhyrjen në Kodin Penal. Gjithashtu ai thekson se, Kodi ka të parashikuar dënime për rastet e përhapjes së sëmundjeve infektive. Z. Vishaj i pyetur nga gazetarja Bruna Çifligu, propozon si zgjidhje alternative ashpërsimin e urdhrave si dhe mbylljen me polici dhe ushtri të personave që duhet të qëndrojnë në karantinë.

“Nuk e përkrah këtë ide. Që prej vitit 1995 mund të ketë mbi 200-250 ndërhyrje në Kodin Penal. Kodi Penal nuk është një libër, është ligj në bazë të Kushtetutës. Kushtetuta e ka përcaktuar qartë se kur kufizohet liria. Është e parashikuar dhe për rastet e përhapjes së sëmundjeve infektive, nuk mund të bëjmë ndërhyrje emocionale që nuk i rezistojnë kohës”, deklaroi avokati për Euronews Albania.

Gjithashtu, z. Vishaj e konsideron në kundërshtim me vetë masat që ka ndërmarrë qeveria, pasi nga një anë lirohen nga burgjet ata që janë të rrezikuar nga COVID-19 dhe nga ana tjetër miratohen ligje që mund të dërgojnë të moshuar në këto institucione të vuajtjes së dënimit.

“Nga një anë është urdhri i ministres së Drejtësisë që orienton gjykatat që të kenë kujdes me masat “arrest me burg” dhe nga ana tjetër zbrazja e burgjeve dhe nga ana tjetër kërkojmë të dënojmë ata që thyejnë karantinën. Kjo është t’i vëmë bombën burgjeve, janë në dhoma nga 2 deri në 8 persona. Mund të shkojnë persona të moshuar të cilët në mënyrë të vetëdijshme thyejnë rregullat”, përfundoi z. Vishaj.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco