Policia, gjoba në Tiranë për kalimtarë dhe dy supergjoba në Pogradec nga 700 mijë lekë

Policia, gjoba në Tiranë për kalimtarë dhe dy supergjoba në Pogradec nga 700 mijë lekë

14:38, 07/04/2020
A+ Aa A-

Policia  ka vijuar kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria për frenimin e epidemisë COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 41 shoferë që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit. Ata u ndëshkuan me heqje të patentës dhe bllokim mjeti. Ndërkohë, në Tiranë është arrestuar A. B., 45 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Në Pogradec,  gjatë kontrolleve për personat e vetëkarantinuar, janë ndëshkuar me gjobë 700.000 lekë,  D. K., 32 vjeçe dhe I. M., 26 vjeç, të cilët ishin kthyer nga një qytet i Maqedonisë së Veriut dhe duhet të ishin vetëkarantinuar, por u konstatuan jashtë ambienteve të banesës.

Në vendin janë konstatuar 5 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative. Në Sukth është konstatuar i hapur për herë të dytë, lokali “Bar kafe” i A. J., të cilit iu bllokua aktiviteti për 6 muaj.

Pas kontrolleve nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve nga qytetarët në 112/129 dhe Komisariatin Dixhital, janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 270 shtetas duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Në Tiranë është arrestuar K. J., 18 vjeç, banues në Tiranë, sepse gjatë pasdites së djeshme duke lëvizur pa leje ka kundërshtuar dhe goditur me grusht punonjësit e Policisë, si dhe u proceduan penalisht shtetasit L. GJ., 20 vjeç dhe E. J., 25 vjeç, banues në Tiranë, sepse janë konstatuar duke lëvizur gjatë orarit të ndaluar të lëvizjes dhe kanë kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë.

Në Berat është arrestuar në flagrancë shtetasi D. R., 33 vjeç dhe është proceduar në gjendje të lirë shtetasi A. P., 49 vjeç, pasi janë konstatuar nga punonjësit e Policisë duke lëvizur pa mjet identifikimi, jashtë orarit të lejuar të lëvizjes dhe kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë gjatë shoqërimit për në komisariat, ku shtetasi D. R. i ka kundërshtuar punonjësit me dhunë.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco