Punonjësit e pastrimit në Lezhë pa mjete mbrojtëse, kryebashkiaku: S’janë të rrezikuar

Punonjësit e pastrimit në Lezhë pa mjete mbrojtëse, kryebashkiaku: S’janë të rrezikuar

15:45, 30/03/2020
A+ Aa A-

Pavarësisht situatës së krijuar nga “Koronavirusi i Ri”, Irena* rreth 45 vjeç ka dalë çdo ditë në punë. Gruaja, e cila është e vetmja që dërgon të ardhura në shtëpinë e saj të madhe, fshin çdo ditë rrugët e qytetit të Lezhës për 30 mijë lekë në muaj me fshesë të sajuar prej shkurresh dhe është e detyruar ta bëjë këtë pa mjetet minimale mbrojtëse, pavarësisht situatës.

“Siç e shikoni jemi pa maska dhe doreza sepse bashkia s’na ka dhënë asnjë mjet për tu mbrojtur. Kemi kërkuar për t’i blerë vetë po nuk gjejmë në farmaci as maska e as doreza”, tha 45-vjeçarja në një bisedë për BIRN. Edhe pse të ekspozuar vazhdimisht ndaj infeskioneve, përfshi virusin e ri, mungesën e mjeteve mbrojtëse e vunë në dukje edhe kolegë të saj.

Por kryetari i Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu u përpoq ta zvogëlonte problemin. Ai tha se pastruesit e qytetit duhej të punonin në distancë nga njëri tjetri, ndërsa i akuzoi ata se kishin shpërdoruar dorezat e maskat që u kishte dhënë bashkia. “Kjo do thotë se përdorimi i maskave apo mjeteve të tjera mbrojtëse nuk ka ndonjë efekt, por gjithsesi ne i kemi mundësuar në fillim elementet mbrojtëse, por i kanë shpërdoruar”, tha Ndreu duke iu referuar 15 pastruesve që bashkia ka në qyetin e Lezhës.

Por pastruesit e qytetit thonë se ishin të frikësuar. “Normalisht frika është e madhe sepse ne largojnë mbeturinat e rrugës, pastrojmë koshat e vegjël dhe mund të infektohemi. Mundohem të jem e kujdeshme sa të mundem, që të mbroj veten dhe familjarët e mi”, tha 45-vjeçarja.  Ajo tha se punonte prej 10 vitesh dhe do të vazhdonte aq sa të mundej. “Është e rëndësishme në këtë kohë virusi që ambjenti në qytet të jetë i pastër, pasi kështu mbrohen dhe qytetarët”, thotë ajo.

Mes frikës nga Covid-19 dhe frikës nga varfëria, edhe të tjerë punonjës të pastrimit thanë se ishin të detyruar të dilnin në punë pa mjete mbrojtëse. Një burrë rreth 60 vjeç, i cili kërkoi të mos i përmendej emri, tha se problemet ekonomike e kishin mundur frikën që kishte.

“Kam shumë frikë, por halli me bën të dal në punë. Ne i biem çdo ditë rreth qytetit, duke e pastruar dhe normalisht se kjo është shumë e rrezikshme sepse heqim mbeturina të ndryshme, që mund të jenë edhe burim infektimi, por me këtë punë mbaj familjen sepse nuk kemi asnjë të ardhur tjetër”, tregoi 60-vjeçari.

Ai tha se prej dy javësh u qëndronte larg familjarëve. “Punoj pa asnjë lloj mase mbrojtëse. S’na ka dhënë kush as maska e as doreza. Ka 2 javë që ju rri larg familjarëve të mi se mund të infektohem nga çasti në çast e mund t’ju rrezikoj jetën edhe familjarëve”, tha burri.

Të dy pastruesit bën apel për ndihmë. “I bëj thirrje shteti që të mendojë për ne dhe të na sigurojë mbrojtje se kështu jemi shumë të rrezikuar”, tha 60-vjeçari.

Ndërsa Irena tha se lutej që të mos liheshin në mëshirë të fatit. Por kryebashkiaku Pjerin Ndreu e minimizoi rrezikun që u kërcënohej këtyre punonjësve, ndërsa u mburr se bashkia kishte ndihmuar 2 mijë familje me pako ushqimore. “Puna e punonjësve të pastrimit është në distancë me njeri-tjetrin dhe shumicën e kohës ata punojnë natën dhe nuk ka ndonjë rrezik”, tha Ndreu, pavarësisht detyrimit që ka bashkia bazuar në Kodin e Punës dhe legjislacionin për parandalimin e aksidenteve në punë, për të ofruar mjete mbrojtëse për këta punonjës gjatë gjithë kohës.

Ndreu megjithatë këmbënguli se “përdorimi i maskave apo mjeteve të tjera mbrojtëse nuk ka ndonjë efekt (për punonjësit e pastrimit të rrugëve)”.

Lezha është një prej qarqeve të prekura nga Covid-19. Deri tani në të gjithë qarkun janë shënuar 5 raste të infektuarisht, ndërsa të hënë kryeministri  Gjatë 24 oreve të fundit ne qarkun e Lezhës janë kinfirmuar edhe dy raste të reja me covid-19, duke e çuar ne 6 numrin total të të infektuarve. Hartës i është shtuar edhe Mirdita, pasi nje punonjes i spitalit rezultoi pozitiv me këtë sëmundje. Përballë kësaj situate punonjesit e pastrimit shpresojnë qe kjo situatë të kalojë sa me parë, pasi jane mjaft te rriskuar me shumë se askush për tu prekur nga virusi.

*Emrat dhe të dhënat e identitetit në këtë shkrim janë ndryshuar nga BIRN për të mbrojtur punonjësit./ Elvis Hila,BIRN/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco