‘Të rrimë brenda, me u dashtë me njëri tjetrin’, Zef Deda përlotet dhe këndon në nderim të mjekëve

‘Të rrimë brenda, me u dashtë me njëri tjetrin’, Zef Deda përlotet dhe këndon në nderim të mjekëve

14:31, 29/03/2020
A+ Aa A-

Ashtu siç ka ditur të emocionojë përherë me aktrimin dhe humorin e tij, Zef Deda na ka dhuruar momente të gëzueshme, edhe në komunikimin që pati sot përmes Skype me televizionin Fax News.

Optimist se situata e pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi do të kalojë shpejt, aktori i humorit apeloi qytetarët që të qendrojnë në shtëpitë e tyre, të dhurojnë dashuri, dhe të besojnë që kjo luftë do të mbyllet herët dhe me fitore.

Lidhur me qendrimin e tij në shtëpi, aktori i dashur shkodran u shpreh se ai është mësuar në njëfarë forme, pasi vitet e fundit është përballur me probleme me shëndetin e tij që e kanë detyruar të jetë më shumë se i kujdesshëm.

“Nuk më zen vendi në vend me thënë të drejtën këto ditë, unë kam 12 ditë që jam totalisht i mbyllur. Jam këtu për të respektuar të gjitha rregullat si qytetar i këtij vendit, kini kujdes, lahuni, pastrohuni, të gjithë, se shumë shpejt do të largohet ky virus.

Edhe në shtëpinë tonë na bëjnë dush 12 herë në ditë, do na shkojnë dhe dritat shumë, por i kemi marrë të gjitha masat që të dalim prej këtij gazepi, me pak shtrëngim por mirë. Atyre kinezëve ju ndodhi nuk deshën, ata që ta sillnin këtej, e hoqën se iu shkoi më para, ashtu do e largojmë edhe ne, veç duhet të kemi kujdes.

Tashi me thënë të drejtën unë kam 5 vite që kam pasur probleme me sëmundje, dhe jam mësuar me qendrimin brenda e në spitale, për me rujt duhet me u rujt. Duhet të bindim mendjen që të qendrojmë në shtëpinë tonë, pasi komunikimi me njerëzit, përçon këtë lloj virusi. Mos prek, me më prek, maskohu, laj duart, derisa të gjendet formula që ti lëshohemi sa të largojmë.

Bluzat e bardha janë heronj, dhe na porosisin që të qendrojmë në shtëpi, dhe të ruhemi nga papastërtitë, pasi kjo është një sëmundje tepër ngjitëse. Duhet me dit një gjë, populli duhet të bindet në emër të zotit, për vete, për të tjerët për të gjithë shoqëërinë tonë.

Të rrimë brenda me e dashtë njëri tjetrin dhe me e pa në sy dhe me u dashtë. Më vjen shumë keq për viktimat që nuk kanë njerëz se kush ti varrosë. Ta kalojmë këtë 15 ditësh, se do bëjmë sërish shfaqje e do bëjmë humor”, u shpreh aktori i njohur i humorit.

Ndërkohë që nuk mungoi as një këngë e tij live në Fax News, e cila iu dedikua bluzave të bardha, dhe fitores që ato do të kenë ndaj virusit. Po ashtu Deda u emocionua dhe u përlot, teksa falenderoi gazetarët, të cilët i quajti heronj për punën që po bëjnë në këto ditë të vështira për të gjithë vendin.

“Hapni penxheret dhe uroj me gjithë zemër që ta kalojmë sa më qetë, ky popull kaq vital ka mundësi dhe të këndojë në shtëpi, të hapë fotografitë e vjetra e të humbasë në kujtime.

Karantina duhet të respektohet, që ky popull të jetojë në shekuj e në shekuj, të rrimë urtë paksa, edhe të qetë paksa, të kemi afrimni, të kemi dashuri, dashurinë që na dha zoti me e pas ne, ta çojmë dhe të tjerët.

Do të vijë koha që të dalim dhe të shkojmë te njëri tjetri, me fitoren e bluzave të bardha do ta këndoj dhe unë këngën e fitimtarëve,(këndon) ju du të gjithëve. A mund tiu uroj dhe ju mediave, ju na hapni shpirtin me komunikimin tuaj, ju falemnders shumë, me punën tuaj të mrekullueshme, edhe ju jeni heronj”, u shpreh Deda në komunikimin e tij për Fax News.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Najada29/03/2020 16:56

Ja me u dashtë, ja me u xanë

Shto koment

Denonco