Koronavirusi pezullon pa afat gjyqet, këto raste bëjnë përjashtim, por online

Koronavirusi pezullon pa afat gjyqet, këto raste bëjnë përjashtim, por online

22:49, 25/03/2020
A+ Aa A-

Deri tani ishte vendosur shtyrja edhe me dy javë, tashmë pas shpalljes së fatkeqësisë natyrore gjyqet të gjitha zyrtarisht pezullohen pa afat.

Qeveria ka vendosur që seancat gjyqësore në çështjet administrative, civile dhe penale, të planifikuara pranë të gjitha gjykatave shtyhen deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19.

Nga data e hyrjes së fuqi të këtij akti normativ deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19 pezullohen afatet  për  ngritjen  e  padive përparaqitjen e ankimeve si dhe për kryerjen e çdo veprimi procedural në çështjet administrative, civile dhe penale.

Përjashtim bëjnë disa kategori specifike, si për shembull, çështjet penale, që lidhen me vleftësimin e arrestit, ato  administrative me  objekt gjykimin e masave të sigurimit të padisë, në rast se gjykata  vlerëson  se  shqyrtimi  pas  afatit  të përcaktuar të këtij akti normativ, mund të shkaktojë një dëm të rëndë e të pariparueshëm për palët.

Po ashtu çështjet  penale,  në  të  cilat  afatet  e kohëzgjatjes maksimale të paraburgimit mbarojnë gjatë periudhës së pezullimit, por edhe ato që gjykohen urgjente.

Por edhe në rastet që do të zhvillohen, parashikohet pjesëmarrja në distancë ose online. 'Pjesëmarrja e personave të dënuar apo me masë sigurimi ‘arrest në burg’, si dhe e përfaqësuesve ligjorë të tyre, në të gjitha seancat gjyqësore  gjatë  kohëzgjatjes  së  gjendjes  së epidemisë,  sigurohet,  atje  ku  është  e  mundur,nëpërmjet ndërlidhjes audiovizive në distancë, duke përdorur programe kompjuterike të përshtatshme për këtë qëllim' thuhet në VKM-në që është publikuar në Fletoren Zyrtare.

VENDIMI I PLOTE

Masat e veçanta dhe efektet në fushën e veprimtarisë gjyqësore

1. Seancat gjyqësore në çështjet administrative, civile dhe penale, të planifikuara pranë të gjitha gjykatave, shtyhen deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19.

2. Nga data e hyrjes së fuqi të këtij akti normativ deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19 pezullohen afatet  për  ngritjen  e  padive,  për  paraqitjen  e ankimeve  si  dhe  për  kryerjen  e  çdo  veprimi procedural në çështjet administrative, civile dhe penale, sipas parashikimeve në këtë akt normativ. Kur afatet fillojnë gjatë periudhës së pezullimit, ato shtyhen  deri  në  përfundimin  e  gjendjes  së epidemisë.

3. Rregullat sipas pikave 1 dhe 2, të këtij neni, nuk zbatohen në këto raste:

a)  Në  çështjet  administrative,  me  objekt gjykimin e masave të sigurimit të padisë, në rast se gjykata  vlerëson  se  shqyrtimi  pas  afatit  të përcaktuar në nenin 2, të këtij akti normativ, mund të shkaktojë një dëm të rëndë e të pariparueshëm për palët;

b) Në çështjet familjare, me objekt gjykimi kujdesin, detyrimet dhe respektimin e të drejtave të të  miturve,  kujdestarinë  dhe  birësimin,  masat mbrojtëse ndaj dhunës në familje, ushtrimin e përgjegjësisë prindërore, përkujdesjen dhe detyrimet për ushqim, si dhe në ato çështje civile në të cilat, përjashtimisht, gjykata vlerëson se shqyrtimi i vonuar i tyre mund të shkaktojë dëm të rëndë e të pariparueshëm për palët;

c) Në çështjet penale, që lidhen me vleftësimin e arrestit  në  flagrancë  ose  ndalimit,  caktimin, verifikimin e kushteve e të kritereve të caktimit dhe nevojat  e  sigurimit,  zëvendësimin,  revokimin, bashkimin ose shuarjen e masave të sigurimit të ‘arrestit në burg’ ose të ‘arrestit në shtëpi’, kur të arrestuarit, të pandehurit ose mbrojtësit e tyre kërkojnë që të vijohet me shqyrtimin e tyre, si dhe në çështjet penale që lidhen me caktimin e masës së sigurimit pasuror ‘sekuestro preventive’;

ç)  Në  çështjet  penale,  në  të  cilat  afatet  e kohëzgjatjes maksimale të paraburgimit, sipas pikës 6, të nenit 263, të Kodit të Procedurës Penale, mbarojnë gjatë periudhës së pezullimit;

d) Në çështjet penale të një natyre urgjente, për shkak të nevojës së sigurimit të provës, sipas nenit 316,  të  Kodit  të  Procedurës  Penale.  Urgjenca vlerësohet nga gjykata që shqyrton çështjen;

dh) Në çështjet penale në ngarkim të të miturve në konflikt me ligjin, kur ndaj tyre është zbatuar masa e arrestit apo e ndalimit, sipas nenit 15, të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur;

e) Në çdo çështje tjetër penale ku i pandehuri është  i  paraburgosur  ose  është  duke  vuajtur dënimin me burgim, në rast se i pandehuri ose mbrojtësi i tij kërkojnë vazhdimin e gjykimit.

4. Gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë të shkaktuar  nga  përhapja  e  COVID-19  dhe  me synimin  për  të  kufizuar  efektet  negative  në veprimtarinë gjyqësore, këshillat si dhe organet e administrimit  gjyqësor  të  çdo  gjykate,  sipas kompetencave të tyre të përcaktuara me ligj dhe në funksion të zbatimit të rregullave nënligjore të nxjerra nga organet përgjegjëse, miratojnë masa organizative specifike për zhvillimin e proceseve gjyqësore,  të  nevojshme  për  të  shmangur grumbullimet në ambientet e gjykatave dhe brenda sallave  gjyqësore,  si  dhe  kontaktet  e  ngushta ndërmjet individëve, që kanë të bëjnë me:

a) kufizimin e hyrjes së publikut në ambientet e gjykatës,  duke  garantuar,  kundrejt  rregullave  të vendosura  për  këtë  qëllim,  vetëm  aksesin  e individëve që duhet të kryejnë veprimtari që kanë urgjencë;

b)  rregullimin  e  aksesit  në  shërbime,  me rezervim, edhe nëpërmjet komunikimit telefonik ose elektronik, duke u kujdesur që përdoruesit të mund të përdorin shërbimet brenda një kohe të caktuar,  si  dhe  miratimin  e  çdo  mase  që konsiderohet  e  nevojshme  për  të  shmangur grumbullimet;

c)  vendosjen  e  udhëzuesve  detyrues  për kufizimin dhe mënyrën e lëvizjes së personave. Udhëzuesit publikohen në faqen e internetit të gjykatës dhe Këshillave;

ç) zhvillimin me dyer të mbyllura të të gjitha seancave  gjyqësore  publike  për  çështjet  e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, në zbatim të pikës 2, të nenit 20, të ligjit nr.49/2012, ‘Për organizimin   dhe   funksionimin   e   gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative’, të nenit 173, të Kodit të Procedurës Civile, ose të nenit 340, të Kodit të Procedurës Penale;

d) kryerjen e seancave mbi bazë dokumentesh në çështjet administrative dhe civile, të parashikuara në pikën 3, të këtij neni, në të cilat nuk kërkohet prania e palëve, nëpërmjet përdorimit të mjeteve të komunikimit elektronik për paraqitjen e akteve procedurale dhe dhënien e vendimit nga gjykata.

Pjesëmarrja në distancë në seanca gjyqësore

1. Pjesëmarrja e personave të dënuar apo me masë sigurimi ‘arrest në burg’, si dhe e përfaqësuesve ligjorë të tyre, në të gjitha seancat gjyqësore  gjatë  kohëzgjatjes  së  gjendjes  së epidemisë,  sigurohet,  atje  ku  është  e  mundur,nëpërmjet ndërlidhjes audiovizive në distancë, duke përdorur programe kompjuterike të përshtatshme për këtë qëllim.

2. Mënyra e ndërlidhjes në distancë duhet të sigurojë në çdo rast shikueshmërinë e ndërsjellë të personave  të  pranishëm  në  të  dyja  vendet  e ndërlidhura dhe mundësinë e dëgjimit nga të gjitha palët.  Nëse  parashikohet  pjesëmarrja  e  disa  të pandehurve, secili prej tyre duhet të vendoset në kushte që të mund të shikojë dhe të dëgjojë të tjerët.

3.  Ngarkohen  Drejtoria  e  Përgjithshme  e Burgjeve  dheKëshilli  i  Lartë  Gjyqësor  që  të sigurojnë mjetet dhe programet kompjuterike të nevojshme për sigurimin e ndërlidhjes në distancë, sipas këtij neni.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco