Vrasja e dyfishtë/ Dyshohet se objektiv i atentatit ka qenë Avdia

Vrasja e dyfishtë/ Dyshohet se objektiv i atentatit ka qenë Avdia

13:09, 04/03/2020
A+ Aa A-

Edhe pse fillimisht u tha se Dorjan Shkoza ishte objektivi i atentatit të ndodhur mbrëmjen e së hënës në lagjen “Nishtulla” të Durrësit, dyshohet se ka qenë 24-vjeçari Anxhelo Avdia, shënjestra e vrasjes së dyfishtë. Burime nga Policia kanë bërë të ditur se i riu është kthyer nga Britania e Madhe një javë më parë, ku kishte jetuar dhe punuar gjatë kohëve të fundit. 24-vjeçari dyshohet se është përfshirë në një konflikt në Angli dhe për këtë arsye ishte kthyer një javë më parë në Shqipëri.

Kjo është një ndër pistat kryesore ku po heton Policia e Durrësit, që ka të bëjë me aktivitetin e tij të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar, por nuk përjashtohet edhe që Anxhelo Avdia dhe Dorjan Shkoza të jenë përfshirë në ndonjë konflikt për arsye të ndryshme, raporton Panorama.

Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia, të cilët mbetën të vrarë nga persona ende të paidentifikuar, dyshohet të jenë përfshirë në prodhimin, trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Prishja e pazareve të drogës është një nga pistat kryesore ku po heton edhe Policia e Durrësit për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, duke marrë parasysh të shkuarën e viktimave.

Dorjan Shkoza ka qenë i skeduar dhe dënuar për trafikimin e lëndëve narkotike në Durrës, ndërsa Avdia për përfshirjen në celula trafikantësh të kokainës në Angli. “Kemi arsye të forta të mendojmë se kemi të bëjmë me dy persona, të cilët jo vetëm e konsumonin lëndën narkotike, por edhe e shpërndanin atë.

Njëri prej tyre (Dorjan Shkoza) është person që ka vuajtur dënimin për këtë vepër penale, ndërkohë edhe Avdia kemi informacione se ishte përfshirë në grupe trafikantësh të kokainës në Angli. Madje, kemi informacione se 24- vjeçari ishte përfshirë në një konflikt në Britaninë e Madhe.

Grupi i hetimit ka shkuar sërish paraditen e djeshme në vendin e ngjarjes për të rindërtuar edhe një herë dinamikën e atentatit, ku mbetën të vdekur dy të rinjtë në “Nishtulla” të Shkozetit në Durrës.

Ekspertët kanë dalë në përfundimin se autorët kanë qenë profesionistë duke i qëlluar viktimat nga një distancë shumë e afërt e duke i lënë të vdekur në vend.

“Shkoza dhe Avdia ishin duke qëndruar në trotuar, përpara servisit të makinave që menaxhohej nga 35-vjeçari. Në këtë moment ka kaluar një makinë tip “Benz” dhe ka hapur zjarr nga një distancë dy-tre metra, duke i qëlluar të dy të rinjtë. Qitësi ka qenë ekspert i vërtetë, pasi nuk është shumë kollaj të qëllosh me pistoletë me saktësi të një profesionisti. I ka qëlluar të dy me shumë saktësi. Ka qëlluar pesë herë dhe të pestë plumbat u gjetën në trupin dhe kokat e viktimave. Pra, kemi të bëjmë me autorë ekspertë. Ata janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe makina u gjend e djegur në vendin e quajtur “Bishti i Zhurit” në afërsi të Rrogozhinës. Nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes kemi mësuar se makina në fjalë ishte parë dy-tri ditë me radhë në zonë, ku bënte lëvizje dhe vëzhgime”, thanë hetuesit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco